Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua sot me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-së, David Wisner.
Gjatë takimit u diskutua mbi kontributin e Kuvendit në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe thellimin e reformave.
Nikolla nënvizoi se Kuvendi po punon për avancimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Gjithashtu Nikolla e informoi Wisner mbi përpjekjet për rikthimin e veprimtarisë së Kuvendit në normalitet, për zhvillimin e debatit parlamentar gjatë seancave plenare, në mënyrë që publiku dhe qytetarët të njihen më mirë me përmbajtjen e legjislacionit që shqyrtohet e miratohet në Kuvend.
Wisner vuri në dukje se SHBA dhe partnerët e Shqipërisë do të vijojnë të mbështesin Shqipërinë në konsolidimin e demokracisë, fuqizimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe integrimin euro-atlantik si edhe vlerësojnë angazhimin e institucioneve shqiptare në përparimin e vendit.
Parlamenti është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe sistemin demokratik dhe është e dobishme që palët në Kuvend të angazhohen për t’u shërbyer qytetarëve dhe të ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë.
Top Channel