Në favor 88 votat e shumicës. Opozita nuk mori pjesë në votim: Projekti shkel Kushtetutën. Ambasada amerikane përshëndet vendimin e parlamentit
Në Shqipëri parlamenti miratoi sot në mbrëmje ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i konsideruar si elementi kyç për zbatimin e Refromës në Drejtësi. Ligji u miratua me 88 votat e shumicës, ndërsa opozita bojkotoi procesin e votimit, ndërsa shprehu më parë kundërshtimin e saj të fortë ndaj tekstit të miratuar më 23 gusht në Komisionin e posaçëm të Reformës.
Përfaqësuesi demokrat Eduard Halimi deklaroi në fjalën e tij se “projektligji i sjellë sot nga qeveria është jashtë çdo konsesusi, çdo standarti europian dhe dhunon kushtetutën e vendit. Kryeministri kërkon që pastrimin e drejtësisë, kontrollin e gjyqtarëve e prokurorëve ta bëjë ai me ministrat dhe drejtorët politike, dhe opozita e vendit, siç do opozitë në çdo vend demokratik nuk mund të pranojë kapjen politike të këtij procesi”, tha zoti Halimi. Sipas tij “ky projektligj dhunon hapur Kushtetutën e 22 korrikut dhe miratimi i tij në mënyrë të njëanshme, pa konsesus, rrezikon dështimin e reformës. Opozita nuk do e votojë një projektligj pa konsesus që dhunon Kushtetutën dhe standartet europiane. Opozita do ndjekë çdo rrugë në mbrojtje të Kushtetutës se 22 korrikut për një reformë në drejtësi vetëm dhe vetëm sipas asaj Kushetute dhe bazuar në standartet më të mira euroatlantike”, theksoi ai duke njoftuar më pas largimin nga salla të opozitës.
Kryetari i parlamentit Ilir Meta u shpreh se “për të gjithë ata, të cilët përmendin konsensusin e 21 korrikut dhe apelojnë në vazhdimësi për konsensus, dua t’u bëj të qartë se ka një dallim themelor midis konsensusit për Kushtetutën dhe konsensusit për ligjet në zbatimin e Kushtetutës. Konsensusi për një reformë kushtetuese është i domosdoshëm të realizohet me opozitën edhe sikur të kemi një mazhorancë legjitime që e ka shumicën kushtetuese të dalë nga zgjedhjet popullore”, tha ai duke shtuar se ka bërë përpjekje që edhe ky ligj apo ligjet e tjera të nevojshme për zbatimin e Reformës të kalonin me konsensus. Por, theksoi më pas ai “aktualisht nuk më duket shumë bindës qëndrimi i opozitës, por kjo është e drejta e saj. Opozita ka shprehur shumë pretendime për shumë riformulime, një pjesë e tyre janë marrë në konsideratë. Por nuk shoh asnjë gjë esenciale apo themelore që të pengojë votimin nga ana e opozitës në parim, po pse jo dhe nen për nen, ashtu sikurse kam parasysh edhe pjesëmarrjen e saj edhe përmes votimit të amendamenteve që ajo ka pretenduar”.
Kryeministri Rama nga ana e tij sulmoi në mënyrë të drejtëpërdrejtë opozitën duke deklaruar se sipas tij ajo dëshmoi se realisht nuk e do reformën në Drejtësi. “Shqiptarët, përtej gjithë çfarë flasim këtu, duhet ta kenë shumë të qartë që këtu në këtë sallë, ka një shumicë e cila është e gatshme t’i përgjigjet thirrjes e t’i nënshtrohet vullnetit të tyre për të goditur në zemër, sistemin e korruptuar të drejtësisë dhe për të flakur jashtë sistemit të gjithë të inkriminuarit e maskuar si prokurorë dhe si gjykatës, si dhe një pakicë, e cila kapet dëshpërimisht si i mbyturi pas fijes së barit, duke dhënë këtu gjithfarësoj arsyesh të mosarsyes për të vazhduar të jemi nën thundrën e kësaj strukture të organizuar kriminale që është ajo që mban peng me maskat e prokurorëve dhe gjykatësve sistemin e drejtësisë”. Duke vlerësuar rëndësinë e këtij ligji kryeministri theksoi se ai “i hap rrugë fshesës së hekurt në pallatin e drejtësisë dhe spastrimit të pallatit të drejtësisë nga të gjithë ata që e kanë marrë peng drejtësinë në këtë vend. Kanë marrë peng liri e të drejta në çdo nivel, e kanë kthyer drejtësinë në një mall që vetëm shitet dhe blihet dhe kanë penguar jo vetëm çdo qytetar në rrugën e vet për të marrë një të drejtë në kohë dhe normalisht, por një popull të tërë për t’u qeverisur nga ata, të cilët nuk kanë probleme me drejtësinë”.
Vendimi i parlamentit u përshëndet menjëherë dhe nga ambasada amerikane në Tiranë. “Ambasada e Shteteve tё Bashkuara mirёpret vendimin e Parlamentit tё Shqipёrisё pёr tё miratuar ligjin e parё pёr zbatimin e reformёs nё drejtёsi. Ky ligj i rёndёsishёm do tё fillojё procesin e rivlerёsimit tё prokurorёve dhe gjykatёsve. Pёrgёzojmё ata anёtarё tё Parlamentit tё cilёt votuan nё favor tё kёtij hapi tё rёndёsishёm pёr zbatimin e amendamenteve kushtetuese tё aprovuara unanimisht mё 22 korrik. Presim tё shohim aprovimin e plotё dhe nё kohё tё ligjeve tё tjera pёr zbatimin e kёsaj reforme kritike qё gёzon mbёshtetjen e shumicёs dёrrmuese tё shqiptarёve”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane.