Në Shqipëri Partia Demokratike reagoi ndaj vendimit të deputetes Rudina Hajdari për të mos hequr dorë nga mandati parlamentar. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie Gazmend Bardhi, deklaroi në mbrëmje se “vendimi i Rudina Hajdarit është personal. Mandati është i demokratëve! Është e qartë se nga sot ajo nuk përfaqëson më Partinë Demokratike në Parlamentin e Krimit dhe për pasojë nuk është më as anëtare e Këshillit Kombëtar të PDSH”.
Në një rast të ngjashëm me atë të zonjës Hajdari, PD vendosi përjashtimin nga partia të deputetit Myslim Murrizi. Në deklaratën e tij, zoti Bardhi thuajse bën të qartë se i njejti fat do të ishte rezervuar dhe për të, porse “në rastin e Rudina Hajdarit, çdo vendim statutor është i panevojshëm, sepse formalisht ajo nuk rezulton e regjistruar si anëtare e Partisë Demokratike”.
Në mënyrë indirekte, zoti Bardhi e sulmon të bijën e Azem Hajdarit duke lënë të nëkuptohet se sipas tij ajo po devijon dhe nga amaneti i babait të saj duke e kundërvënë atë me të vëllanë i cili u shfaq në protestën e opozitës para parlamentit javën e shkuar me një përshëndetje fare të shkurtër. “Azem Hajdari ka qenë, është dhe do të mbetet simbol i demokratëve dhe historisë së Partisë Demokratike. Beteja dhe amaneti i tij për liri dhe demokraci është sot më aktual se kurrë, kur Shqipëria rrezikohet nga një Qeveri ilegjitime, kriminale dhe e korruptuar. Për këtë amanet të Azem Hajdarit foli Kiri Hajdari në protestën e 5 Marsit, përkrah demokratëve që dorëzuan mandatet e deputetëve”, vë në dukje zoti Bardhi në deklaratën e tij.
Deri më tani janë 11 emra nga opozita, të cilët nuk kanë pranuar t’I binden vendimit të saj për të hequr dorë nga mandatet, dhe që të gjithë janë cilaur tradhëtarë apo njerëz që “kanë shitur shpirtin e tyre”. Në intervistën për Zërin e Amerikës, ku ajo bëri publik vendimin e saj për të qëndruar në parlament, zonja Hajdari u shpreh se nuk e shqetësonin epitet që mund t’i vinin zgjedhjes së saj. “Mua nuk më shqetësojnë absolutisht fare, sepse këto akuza vijnë nga njerëz me shpirt të ngordhur dhe që janë shpresë-shtypësit e këtij vendi. Unë nuk jam nga ata njerëz: Unë nuk e shes shpirtin tim”, deklaroi zonja Hajdari.
voa