Përmbytjet shkatërrojnë ura dhe rrugë, harta e dëmeve

PermbytjetPasi përjetuan 24 orë të vështira nën reshjet e dendura të shiut, që sollën pasoja pothuajse në gjithë vendin, ditën e djeshme shqiptarët u “zgjuan” me sytë nga qielli me shpresë për një përmirësim të kushteve të motit. Por reshjet e dendura të shiut vijuan edhe gjatë gjithë ditës së djeshme duke krijuar probleme të mëdha. Një pjesë e lumenj dolën nga shtrati dhe për pasojë u përmbytën sipërfaqe të tëra toke, një pjesë e rrugëve u përmbytën nga uji apo edhe u bllokuan nga shkarja e dherave, shumë banesa u përmbytën, ndërsa banorët bënë thirrje për shpëtimin e jetës dhe të gjësë së gjallë. Në zonat problematike, Emergjencat Civile, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura morën masa për evakuimin e banorëve, sigurimin e argjinaturave dhe vendosjen e inerteve në pikat e përmbytjeve pranë lumenjve. Në ndryshim nga një ditë më parë situata u normalizua në kryeqytet dhe në qarkun e Lezhës, ndërsa pati probleme në Gramsh, Elbasan, Fushë-Krujë, Lushnjë, Durrës, Dibër dhe Kavajë.

Situata në qarqe

Në ndryshim nga një ditë më parë në qarkun e Tiranës, situata është drejt normalitetit si pasojë edhe e rënies së intensitetit të reshjeve. Që prej ditës së djeshme situata paraqitet e normalizuar edhe me ujërat e lumit “Lana”, duke mos pasur dalje nga shtrati, ndërsa nuk paraqiten probleme në qarkullim gjatë aksit Tiranë-Elbasan. Qarku i Lezhës ishte ai që përjetoi një situatë alarmante gjatë ditës së parë të reshjeve, ndërsa gjatë ditës së djeshme situata u përmirësua. Akset rrugore janë të kalueshme plotësisht. Në disa zona fushore të rrethit Kurbin, tokat bujqësore ndodhen ende të mbuluara nga uji. Në rrethin e Mirditës problem shkakton ura e Cekajve, që lidh Rrëshenin me zonën e Kaçinarit, pasi niveli i uji shkon deri në 1 metër mbi normalen. Ndërprerja e reshjeve dhe ulja e nivelit të ujërave në lumenjtë Erzen dhe Ishëm, sollën përmirësim të situatës në qarkun e Durrësit.

Në fshatin Katund i Ri, bashkia Shijak, u evakuuan 185 persona, banesat e të cilëve rrezikoheshin nga përmbytjet. Në zonën e Sukthit, situata paraqitet më problematike dhe forcat e ushtrisë shpërndanë ndihma për familjet në nevojë. Në qarkun e Fierit, në grykëderdhje të lumit Shkumbin, në afërsi të fshatit Thanasaj, është çarë argjinatura fundore, për shkak të prurjeve të mëdha. Ujërat e lumit Shkumbin, por dhe prurjet nga deti, krijuan përmbytje në të gjithë zonën. Rreth 20 familjet e fshatit Thanasaj u shpërngulën dhe u morën masa për evakuimin e familjeve nga fshati Çermë dhe Tërbuf. Në ndihmë të banorëve erdhën forcat e ushtrisë, të cilët punuan për bllokimin e çarjes së argjinaturës. Veç përpjekjes për bllokimin e çarjes së argjinaturës, hapja e disa pikave të tjera në kanalet e dyta dhe të treta, do të ndihmojë që uji të largohet nga banesat.

Situata paraqitet e vështirë edhe në zonën e Divjakës, nga ku qindra hektarë tokë janë nën ujë. Në qarkun e Elbasanit, gjatë aksit Elbasan-Librazhd, në Xibrakë rrëzimi i inerteve solli bllokimin e qarkullimit për disa orë, ndërsa, pas ndërhyrjes së firmës kontraktore, qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të dy krahët. Në hyrje të qytetit të Peqinit nga aksi Rrogozhinë-Peqin është dëmtuar ura e varur që lidh Peqinin me fshatin Budlis. Rrjedha e fortë e ujit të lumit Shkumbin ka gërryer një pjesë të rrugës nacionale Elbasan-Librazhd. Në qarkun e Korçës, si pasojë e rrëshqitjet së dherave, mbetet i bllokuar aksi rrugor Lozhan-Moglicë, duke izoluar banorët e shtatë fshatrave. Mësohet se të izoluar janë fshatrat Osnat, Velçan, Mesmal, Selcë, Niçe, Tërkanj dhe Bërrdush.

Banorët thonë se janë të bllokuar që prej ditës së djeshme dhe nuk kanë asnjë mundësi të për kaluar rrugën. Reshjet e shiut shembën një pjesë të rrugës së Dardhasit në Pogradec, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve. Rruga e bllokuar lidh komunën Dardhas me 4 fshatra. Probleme ka patur edhe në aksin Pogradec-Memlisht, për shkak të inerteve që kanë rënë në rrugë. Ministria e Bujqësisë raportoi mbi situatën dhe dëmet materiale të shkaktuara nga përmbytjet në shkallë vendi, duke bërë me dije se në disa fshatra ujërat kanë dëmtuar sipërfaqe të konsiderueshme toke të mbjellë. Kështu, në Muriqan janë përmbytur 2 hektarë tokë; në Labinot Fushë rreth 4 dynymë; në Rrashbull 40 hektarë; në Sukth 25 hektarë dhe në Ishëm 200 hektarë. Ndërkohë, dëme kanë pësuar edhe tokat në fshatrat Kapidanaj e Gjuricaj, por për momentin nuk dihet me saktësi bilanci i dëmeve.

Ndihma për banorët

Forcat e Armatosura, gjatë 48 orëve, kanë patur një angazhimin maksimal në operacionin e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura. Në zonën e Katundit të Ri të qarkut të Durrësit janë evakuuar 185 persona që rrezikoheshin nga përmbytjet, ndërsa një helikopter i Forcës Ajrore ka kryer një operacion kërkim-shpëtimi në këtë zonë. Forcat Speciale dhe ato të Komandës Mbështetëse vijojnë të mbeten në terren për evakuimin e banorëve që rrezikohen, si dhe për shpërndarjen e ushqimeve dhe veshmbathjeve për banorët në nevojë të kësaj zone. Ndërkaq, 50 anëtarë të FA-ve janë përqendruar në zonën e Lushnjës. Nga Komanda Mbështetëse janë dërguar 3 mjete vetëshkarkuese me thasë me rërë për të mbushur argjinaturën e lumit Shkumbin, e cila rrezikoi përmbytjen e zonën së Çermës, dy mjete traktorë me zinxhirë të Batalionit të Xhenios, 2 mjete transporti me 20 persona dhe thasë bosh për tu mbushur në plazhin e Divjakës. Ndërsa FA-të kanë vendosur një helikopter “Cougar”, i cili përdoret për transport thasësh me rërë nga plazhi i Divjakës për t’i hedhur në argjinaturën e çarë të lumit Shkumbin.

Rama dhe Basha inspektojnë zonat e përmbytura

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, inspektoi nga afër situatën në Shijak, Sukth dhe Katund të Ri. Duke folur me banorët, kryeministri Rama premtoi mbështetje nga qeveria. “Si asnjëherë më parë, ato përmbytje që ndodhën në fillim të vitit të kaluar ne i kemi dëmshpërblyer plotësisht, në të gjitha aspektet, edhe në bagëti, edhe për shpendët, edhe për prodhimin. Shtuar këtu faktin që kemi shlyer detyrimet e prapambetura nga qeveria e mëparshme, rreth 7 milionë euro, në ultësirën e Shkodrës.

Megjithatë, sërish do të bëjmë çmos që të mbështesim të gjithë njerëzit në nevojë”, tha Rama. Por nga ana tjetër, kreu i qeverisë theksoi se, e gjitha kjo është pasojë e një shkatërrimi, që i është bërë vendit ndër vite, si me shkatërrimin e pyjeve apo me ndërtimet. “Mobilizimi i të gjithëve ka qenë maksimal, ashtu sikurse edhe efektiviteti. Nga ana tjetër, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm, që këto janë faturat që i paguajmë dhe do të vazhdojmë t’ia paguajmë pas një zhvillimi kaotik, pa plan, pa rregulla, pa disiplinë, me ndërtime e projekte kuturu. Ne kemi bërë një punë të madhe në këtë periudhë dyvjeçare për pastrimin e kanaleve, kemi përsëri një projekt të madh që do ta financojmë me 25 milionë dollarë, në bashkëpunim me pushtetin vendor, për të pastruar të gjitha kanalet dytësore”, deklaroi më tej Rama.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pasi inspektoi nga afër situatën e shkaktuara nga përmbytjet në Çermë të Lushnjës, pohoi se deri më tani nuk është marrë asnjë masë për mbylljen e çarjes së argjinaturës. “Në Çermë, Shkumbini ka çarë argjinaturën dhe mbi 150 familje janë përmbytur. Dhjetëra metra kub ujë për sekondë vërshojnë përmes çarjes duke zgjeruar njollën e përmbytjes. Asnjë masë deri tani për mbylljen e çarjes. Në Sukth, Erzeni ka dalë nga shtrati duke përmbytur mbi 1200 familje. Niveli i ujit në shumë raste mbi 1.5 metër. Gjendja vazhdon të përkeqësohet, u shpreh Basha.

Erion Braçe

Deputeti socialist i qarkut të Fierit, Erion Braçe u shpreh se situata nga përmbytjet është përmirësuar ndjeshëm në fshatin Çermë të Lushnjës, aty ku çarja e argjinaturës të lumit Shkumbin dha pasojat më të rënda. Deputeti i PS-së theksoi se asnjë shtëpi nuk është përmbytur dhe se dëmet kanë qenë vetëm në tokat bujqësore, por nuk la pa bërë me faj vetë banorët që kanë ndërtuar ura mbi kanalet kulluese duke i bllokuar ata.

Edmond Haxhinasto

Reshjet e dendura të shiut që përfshinë të gjithë vendin, nuk kanë sjellë problem me cilësinë e ujit të pijshëm. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto zhvilloi një kontroll në impiantin e pastrimit të ujit të pijshëm në Bovillë, nga ku rezulton se situata është normale. Ministri u bëri apel ndërmarrjeve të tjera të ujësjellësve në rrethe që të pastrojnë ujin sipas standardeve.

OSHEE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, përmes një njoftimi zyrtar, deklaroi se nga 1200 fidera që janë në total në rrjetin e shpërndarjes, vetëm 30 prej tyre janë pa energji. Pa drita janë kryesisht zonat rurale që janë prekur nga përmbytjet, ku fiderat janë stakuar për efekt sigurie. OSHEE përjashton mundësinë për një situatë emergjence, por tha se më kritike gjendja paraqitet në kabinat në zonat e prekura nga dëmtimet e argjinaturës së Shkumbinit dhe dalja nga shtrati e lumit Erzen.

Mazniku

Në zonën e Surrelit, Zall-Bastar, Zall-Herr dhe Ndroq pati rrëshqitje dherash duke bllokuar disa nga akset kryesore. Bashkia e Tiranës punoi në zhbllokimin e tyre, ndërsa emergjencat civile kanë evakuar më herët banorët. Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, inspektoi punimet në zonën e Surrelit, aty ku u  shënuan edhe rrëshqitjet më masive. Ndërsa këshilltarët e djathtë akuzuan Veliajn se në një situatë të tillë emergjente ka braktisur qytetin.

shekulli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>