Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese vendosi sot të pezullojë zbatimin e Ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pas kërkesës së paraqitur tre javë më parë nga Partia demokratike, e cila ka kërkuar gjithashtu dhe shpalljen antikushtetues të ligjit. Vendimi i sotëm praktikisht bllokon zbatimin e të gjithë procesit të Reformës në Drejtësi
Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje pasi tre javë më parë Partia demokratike ashtu siç dhe kishte paralajmëruar më herët, i paraqiti asaj kërkesën për pezullimin e zbatimit të ligjit si dhe shpalljen antikushtetuese të përmbajtjes së tij. Në marrjen e vendimit të sotëm, anëtarët e gjykatës mësohet të kenë vlerësuar se zbatimi i procedurave të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që do të merret në shqyrtim vlefshmëria apo jo e ligjit, do të kishte pasoja të pariparueshme.
Në të njejtën kohë, Gjykata i është drejtuar edhe Komisionit të Venecias, për një opinion të këtij institucioni, nëse ligji është apo jo në përputhje me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ligji konsiderohet si elementi kryesor i të gjithë procesit të Reformës në Drejtësi, duke synuar kalimin në sitë të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve si dhe verifikimin e pasurive të tyre, me synim spastrimin e radhëve të Drejtësisë nga elementët e korruptuar. Por përmbajtja e tij ka qenë objekt debatesh të forta mes shumicës dhe opozitës e cila që në Komisionin e Reformës paraqiti një sërë vërejtjesh, veçanërisht lidhur me organet që do të përfshiheshin në process për dhënien e informacioneve. Sipas opozitës, përfshirja e institucioneve që varen nga ekzekutivi përbën një përpjekje direkte për kontrollin e procesit nga ana e qeverisë.
Ligji për rivlerësimuin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka patur një mbështetje publike nga misionet e asistencës ligjore të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit europian të cilët kanë qenë direkt të përfshirë në hartimin e tij. Bashkimi europian ka vënë mënjanë dhe financime të shumta për procesin e rivlerësimit, ndërkohë që ekspertë të tij janë parashikuar të kenë një peshë domethënëse në vedimmarrjen e institucioneve që duhet të kalojnë në sitë gjyqtarët dhe prokurorët.
Por vendimi i sotëm praktikisht ngrin të gjithë procesin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, pasi asnjë prej institucioneve të parashikuara nuk mund të ngrihet dhe të funksionojë, nëse anëtarët e tyre nuk kalojnë më parë filtrin e rivlerësimit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë reagun sot përmes një deklarata ku theksojnë se “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian respektojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar Ligjin e Vetingut dhe pezulluar zbatimin e tij. Gjykata Kushtetuese ka thënë se do t’ia referojë ligjin Komisionit të Venecias. Nxisim që ky referim të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur për të parandaluar vonesa. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbeten të përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të reformës së gjyqësorit”, saktëson deklarata. (voa)