Poeti Moikom Zeqo ndërroi jetë në moshën 71 vjeçare

Moikom ZeqoPoeti i njohur shqiptar Moikom Zeqo ndërroi jetë sot në Tiranë në moshën 71 vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

Gjatë 52 vjet krijimtari të pandërprerë, ai botoi 66 vepra, nga të cilat 15 vëllime poetike, 18 prozë letrare, si dhe 33 monografi për historinë dhe kulturën shqiptare.

Shumë nga veprat e Mokiom Zeqos janë përkthyer e botuar në SHBA, Europë dhe Ballkan.

Dy vëllimet poetike të tij të botuara në SHBA janë “I Don’t Believe in Ghosts” më 2007 dhe “Zodiac” më 2015.

Kritikët amerikanë, që u kujdesën për publikimet e tij në anglisht, pohuan se “poeti Zeqo ishte një humanist i vërtetë edhe në vitet më të errëta të atdheut të tij”, dhe se “Zeqo ishte një talent i madh poetik, pagabueshmërisht i vërtetë, që ndërtoi një kozmologji të re të vetën”.

Vëllimi i parë poetik i Zeqos është “Vegime të vendlindjes” më 1968, ndërsa i fundit është “Golgotë Fluturash” më 2019.

I diplomuar 40 vjet më parë në letërsi, poeti nga Durrësi u bë menjëherë gazetar dhe redaktor letrar i gazetës kulturore “Drita”, më pas studiues në Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Zeqo mbante titujt “Doktor i Shkencave” dhe “Mjeshtër i Madh”, ishte për disa kohë ministër kulture dhe deputet në fillimet e tranzicionit demokratik si dhe drejtor i Muzeut Historik Kombëtar për afro 8 vjet deri në 2005.

Por angazhimet në administratë nuk ia zbehën asnjëherë pasionin për artet dhe historinë, ndaj shkroi e botoi një seri vëllimesh me poezi, studime letrare, historike e arkeologjike.

Pothuajse çdo vit të jetës së tij krijuese në 5 dekada Moikom Zeqo botoi krijimtari letrare, deri në vitin 2019, kur nxori një vëllim poetik dhe romanin Centauri i Fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>