Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ritheksoi të enjten se është përballur me trysni gjatë punimeve të takimit të Berlinit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Edi Rama, për pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe.
Komentet e tij pasuan shkrimin e një dite më parë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili hodhi poshtë pohimet e kryeministrit për trysni ndaj tij. Kryeministri Rama nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social facebook, tha se “si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq me tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lere pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për te dalë “burra te mire” para popullit te tyre, si te ishin duke shitur mish ne pazar”.
Edi Rama: E VERTETA IME ME SHUME DESHMITARE
“Si rregull udheheqesit nuk i komentojne ne publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq me teper pa rene dakord paraprakisht dhe lere pastaj t’i shtremberojne, duke genjyer per te dale “burra te mire” para popullit te tyre, si te ishin duke shitur mish ne pazar. Me vjen sinqerisht keq qe miku im Ramush, nuk e ka mesuar ende kete rregull kaq te thjeshte, megjithese normalisht ky s’eshte as ndonje rregull udheheqesish ne fakt, po nje norme elementare mirekuptimi njerezor. Nuk eshte hera e pare qe e ben, po eshte hera me e gabuar dhe prandaj kete here, s’e kaloj dot ne heshtje si te tjera.
Askush s’i ka bere Ramushit presion ne Berlin per te hequr taksen. Une jo e jo. Madje askush as i’a ka kerkuar hiç qe ta heqe taksen! Une jo e jo. Perkundrazi.
Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, kane nxitur nje diskutim informal ne holl mbi rifillimin e dialogut. Kam nderhyre vetem njehere, duke thene se ata duhet te hynin vete ne proces. Me tutje i kane kerkuar me shume durim dhe disa here Ramushit jo ta heqe taksen, po thjesht te jape pelqimin qe taksa te pezullohet perkohesisht, per 6 muaj apo edhe per 4 muaj qofte, duke u zotuar qe te hyjne ne procesin e dialogut Kosove-Serbi ata vete. Edhe te dy personalisht, kancelarja dhe presidenti!
I kam sugjeruar Ramushit ne dy momente ta pranoje kete kerkese te tyre, sepse kam menduar dhe mendoj qe perfshirja direkte ne nivelin me te larte e Gjermanise dhe Frances, boshtit te Bashkimit Europian, u shfaq si nje mundesi e re dhe shume e favorshme per ta shtruar çeshtjen e finalizimit te dialogut, ne nivelin me te larte te mundshem.
E kam mbeshtetur dhe e mbeshtes edhe sot taksen si nje “klithem” te Kosoves, qe ta degjoje bota dhe si te tille edhe e kam mbrojtur, kudo e me kedo. Po une di qe ajo eshte nje takse qe i eshte vene Serbise, jo nje mur qe i eshte vene Gjermanise, Frances apo SHBA, per t’i ndaluar ta ndihmojne e ta mbeshtesin Kosoven, ne rrugen e perpjekjes se mundimshme historike drejt njohjes perfundimtare nga gjithe bota. Dhe kur keta aleate te medhenj dhe te pazevendesueshem dot nga askush e askurre (pa te cilet jo Ramushin, po as Kosoven dhe te drejten e saj njeqind vjet te mohuar s’do ta njihte kurrekush ende sot), kerkojne thjesht pezullimin e perkohshem te takses, ne menyre qe te mund ta ndihmojne e ta mbeshtesin Kosoven drejt njohjes se saj te plote nderkombetarisht, refuzimi eshte i pakonceptueshem per mua.
Shtoj ketu se me ka mbetur gozhde fakti qe miqte e medhenj, hasen ne nje refuzim te pashpjegueshem edhe kur propozuan qe perkunder pezullimit te perkohshem te takses, nese ne fund te muajve te dialogut nuk do te arrihej objektivi final i nenshkrimit te paqes, atehere do t’i hapej perfundimisht rruge liberalizimit te vizave per Kosoven(!).
Gjithesesi, meqe Ramushi u qa publikisht se une i paskesha bere me shume presion se sa Vuçiçi per heqjen e takses, mua s’me mbetet tjeter vecse te ngushellohem me faktin qe pas samitit edhe Vuçiçi, u shpreh publikisht ndaj meje po aq i palumtur sa Ramushi.
S’kam dashur dhe s’dua te hyj asnjehere ne polemika publike me askend ne Kosove, aq me pak me kryeministrin e Kosoves. Uroj qe te mos jem i detyruar ta bej perseri. Ai ka te drejten e tij te flase ne emer te Kosoves, po mua s’ma heq dot askush te drejten te flas per Kosoven.”
Ai shkroi se “kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, kane nxitur një diskutim informal mbi rifillimin e dialogut dhe i kane kërkuar me shume durim dhe disa kryeministrit Haradinaj jo ta heqë taksen, po thjesht te japë pëlqimin qe taksa te pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj, duke u zotuar që të hyjnë ne procesin e dialogut Kosove-Serbi ata vete. Ai pohon se i ka sugjeruar kryeministrit të Kosovës në dy momente ta pranoje ketë kërkesë.
Por, kryeministri Haradinaj tha sot pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës se gjithmonë do ta tregojë të vërtetën për proceset e bisedimeve me Serbinë pasi që sipas tij kjo është edhe interes kombëtar.
“Kërkesat që të pezullohen tarifat nuk janë të reja edhe pozicionet nuk janë të reja për disa prej atyre që i kanë, njëkohësisht qëndrimi im nuk është i ri pra është i qëndrueshëm, nuk ka ndonjë ndryshim dhe nuk do të ketë, pra nuk ka pse të diskutohet më. Pastaj kjo e kryeministrit (Edi) Rama, për mua shqiptarët edhe të majtë edhe të djathtë janë vëllezërit e motrat e mija dhe ua kam borxh të vërtetën, atë që ka thënë At Zef Pllumi “rrno për me tregu” do t’ua tregoj të vërtetën edhe kur i pëlqen edhe kur nuk i pëlqen dikujt për shkak se jemi në obligim ndaj qytetarëve tanë”, tha kryeministri Haradinaj.
Takimi i së hënës në Berlin, i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, përfundoi me pajtimin që të mbahet një takim i ri më 1 korrik në Paris, por nuk hapi rrugë për rifillimin e procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ishte çështja qendrore e diskutimeve.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se takimi i Parisit është më serioz pasi që do jetë takim dypalësh ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Idetë e kaluara dhe të gjitha ato kanë shtyrë që të ndërrohet formati, pra pikërisht ato diskutime për territore dhe kufij kanë bërë që të largohet dialogu nga formati i mëparshëm dhe të kalohet nga ky format. Nuk po them nga kush e te kush, mendoj që ato tashmë i kalojnë të kaluarës”, tha kryeministri Haradinaj.
Bisedimet u pezulluan në nëntor të vitit të kaluar pas reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.
Beogradi kërkon heqjen e tyre si kusht për rifillimin e bisedimeve, ndërsa trysnia ndërkombëtare dështoi të bindë kryeministrin Haradinaj për një gjë të tillë.
voa