Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me atë të Inovacionit, prezantuan këtë të mërkurë aplikacionin “Komisariati Dixhital”, ku qytetarët mund të denoncojnë në kohë reale një krim të çdo lloji.
Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se është bërë shumë në këto muaj të qeverisjes së majtë sa i përket rendit dhe integritetit të Policisë së Shtetit dhe këtë e tregojnë shifrat, por shtoi se “Komisariati Dixhital” është “polici inteligjent në dorën e çdo qytetari”.
“Kemi bërë shumë në këto muaj. Shifrat flasin vetë. Edhe shifrat e punonjësve të policisë të dënuar dhe proceduar për shkelje të detyrës dhe korrupsion. Por ne mendojmë që ‘Komisariati Dixhital’ është një epokë krejtësisht tjetër drejt gjeneratës së re të Policisë së Shtetit, policisë moderne”, shtoi Tahiri.
Ai theksoi se tashmë “qytetari ka mundësi jo vetëm të denoncojë, por edhe të mbikëqyrë veprimin e policisë mbi denoncimin e tij përmes këtij aplikacioni, si dhe të shikojë e ndjekë jo vetëm raportimin e tij, por edhe të qytetarëve të tjerë”.
/ Top Channel