Kush? Klani Berisha? Klani Meta? Klani Kryemadhi? Klani Rama? Pankarta e paqartë kujt i dedikohet!?
Ka nisur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” protesta e Sali Berishës me moton kundër rritjes së çmimeve .
Në fillim të protestës me moto “Shqipëria në Rrezik”, u mbajt ‘himni’ dedikuar këtij tubimi, ndërsa vijojnë të mbajnë fjalimet e tyre në podium aktivistë të ndryshëm, për ti lënë radhën më pas figurave politike njofton Top Channel.
Podiumi i fjalimeve është ngritur në sheshin para kryeministrisë. Vetë ish kryeministri mbërriti në selinë e PD rreth orë 19:00, ku ka zhvilluar një takim me deputetët demokratë, mbështetës të tij, para se t’i drejtohet bulevardit Dëshmorët e Kombit.
Qytetarët e mbledhur në protestë, mbajnë pankarta kundër qeverisë në duar, ndërsa në kor vijojnë thirrjet ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’.
Protesta nisi me dy këngëtarët Renis Gjoka dhe Big Basta të cilët kënduan këngën himn të protestës “Një hap përpara”.
Protestës i është bashkuar edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila qëndron krah ish kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshortes së tij, Liri Berisha.
Sakaq një numër i konsiderueshëm efektivësh ndodhen në terren për mbarëvajtjen e protestës, ndërsa në godinën e kryeministrisë dyert, ashtu si në cdo protest janë ‘blinduar’ me llamarina.