Protesta e polemika për importin e mbetjeve

protesta-importi-i-mbetjeveShumica i rikthehet ligjit që rrëzoi në 2013. Ambientalistët dhe shoqëria civile paralajmëruan para parlamentit se do kërkojnë referendum. Kryeministri Rama: Kushtet nuk janë më ato të tre viteve më parë

Me thirrjet e përsëritura “Nuk i duam plehrat” ambientalistë dhe përfaqësuesë të shoqërisë civile protestuan sot para parlamentit, ku u diskutuan disa amendamente ligjore të cilat parashikojnë lejimin e importit të mbetjeve urbane. Tre vjet më parë, pas përpjekjesh të gjata, po këta njerëz që ishin mbledhur sot para godinës ku zhvillohen seancat parlamentare, arritën të siguronin të drejtën për thirrjen e një referendumi kundër ligjit të atëhershëm i cili lejonte importin e mbetjeve. Referendumi i parashikuar për t’u mbajtur në dhjetor të 2013 nuk u zhvillua, pasi në tetor të po atij viti, qeveria e porsa krijuar e kryeministrit Edi Rama, i rrëzoi nenet e ligjit që parashikonin importin.

Socialistët të cilët në atë kohë kishin mbështetur përpjekjet e shoqërisë civile, i janë rikthyer tani neneve që kishin rrëzuar vetë më parë. Ndërsa ambjentalistët njoftuan rifillimin e përpjekjeve për një referendum të ri: “Sot nuk është fundi i protestës sonë. Ndoshta është fillimi, se ajo do vazhdojë e do vazhdojë derisa populli të shprehet me referendum”, deklaroi Lavdosh Ferruni, një ambientalist i njohur.

Edhe përfaqësuesit e opozitës i kujtuan kryeministrit deklaratat e tij të para tre viteve kundër importit të mbetjeve urbane. “Nuk do t’i hyj diskutimit se çfarë kanë thënë për ligjin e mbetjeve, por jam e sigurt se nuk ka patur ndonjëherë një qeveri që ka shkelur çdo premtim që ka bërë e çdo fjalë që ka thënë. Nëse politika ka një moral, të gjitha ata që kanë folur, së bashku me dy kolegët që kanë propozuar ndryshimet, sot nuk duhet të ishin në sallë, por atje në protestë”, u shpreh Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike.

Sipas opozitës ndryshimi në ligj është bërë për shkak të interesave korruptive. Por për kryeministrin Rama kushtet e sotme janë sipas tij të ndryshme nga ato të tre viteve më parë duke renditur arsyet e riaktivizimit të importit të mbetjeve: “Nëse tre vjet më parë nuk kishte as edhe një laborator të vetëm për këtë punë, sot ka një laborator të standarteve më të larta europiane, të çertifikuar nga Bashkimi europian. Nëse në 2013, sipas igjit, mbetjet mund të hynin nga çdo pikë doganore, sot është e qartë se me ligjin e ri, mbetjet mund të hyjnë vetëm nga tre pika doganore që kanë kapacitetet të plotë kontrolli”.

Por nuk munguan dhe zërat kundër nga shumica. Deputeti Ben Blushi, një kritik i hapur i kryeministrit deklaroi se sipas tij ndryshimet janë kushtëzuar nga interesa private dhe jo nga vullneti I qeverisë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>