Në Shqipëri kryeministri Edi Rama njoftoi sot se i ka kërkuar kandidatit të Partisë socialiste për kreun e Bashkisë së së Kavajës që të tërhiqet nga gara e ditës së dielë.
“I kam sugjeruar kandidatit tonë të tërhiqet nga gara e të dielës e t’i kërkojë të tërhiqet edhe kandidatit tjetër, të cilit ia bëj dhe unë këtë apel, shumë miqësisht. Vjen gjithnjë një moment për të thënë fjalën e fundit dhe luajtur gurin e fundit, po ky moment nuk është 7 maji”, – deklaroi kryeministri Rama në një dalje të posaçme publike.
Vendimi i kryeministrit, erdhi pas deklaratave të forta të opozitës e cila ka vendosur që ditën e zgjedhjeve në Kavajë të organizojë atje një manifestim.
E djathta nuk është përfshirë në garën për kreun e Bashkisë së Kavajës, duke mos paraqitur asnjë kandidat.
Sot kreu i opozitës Lulzim Basha përsëriti dhe një herë se nuk tërhiqet nga objektivi për një qeveri teknike e cila sipas tij duhet të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.
“Ne jemi gati, dhe stacioni ynë më i rëndësishëm, i pari në këtë betejë finale që do ta fitojë e nesërmja, shpresa dhe e ardhmja, do ta fitoja Republika e Re, është Kavaja. Përballja e parë, është dita e dielë në kryeqytetin e lirisë, në kryeqytetin e demorkacisë, në Kavajë. Ditën e dielë, le ta mësojë çdo shqiptar dhe çdo miki huaj, se në 7 Maj Republika e vjetër rrëzohet në Kavajë”. Opozita ka përsëritur vazhdimisht se ajo nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve pa u arritur më parë një marrëveshje e gjerë politike.
Zoti Rama akuzoi opozitën se synon destabilizimin e vendit.
“Që ka një plan për destabilizim të këtij vendi, që çadra është ngritur për ta vënë në jetë këtë plan, që pas atyre që janë ngujuar në çadër nga frika e drejtësisë, ka të tjerë që e duan destabilizmin për të dëmtuar Shqipërinë, këto nuk janë më hamendje. Janë fakt!”.
Kryeministri shtoi se “të pengosh njerëzit të votojnë, është krim i rëndë! Dhe ky krim që nuk ka ndodhur as në vendet më të humbura, me demokraci shumë më të dobët se Shqipëria, në këtë vend nuk mund, nuk duhet e nuk do ta lejojmë të kryhet. Por – theksoi zoti Rama – as kemi arsye dhe as nuk është nevoja që ta bëjmë Kavajën pasnesër, vendin ku ky krim të tentohet e të ndëshkohet me çdo çmim. Sepse, nëse të ngujuarit në çadër, në dëshpërimin e tyre kërkojnë shesh për të bërë një stërvitje me përmbajtje kriminale në Kavajë, për të nxirë Shqipërinë sa të munden e për të cenuar e dëshpëruar kë të munden përpara 18 qershorit, as ne, as Shqipëria, as miqtë e partnerët tanë të pazëvendësueshëm nuk kemi pse bëhemi pjesë e kësaj stërvitjeje të shëmtuar, por kemi nevojë të zhvillojmë, pasi t’i kemi dalë çdo borxhi PD-së, ndeshjen e 18 qershorit”.
Kryeministri i bëri sërish thirrje zotit Basha që të marrë në konsideratë ofertën e bërë prej tij, duke saktësuar se koha e mundshme për përfshirjen e Partisë Demokratike në zgjedhje skadon të dielën e ardhshme, kur nis dhe përgatitja e materialeve zgjedhore.
Zoti Rama nënvizoi se për datën e zgjedhjeve më 18 qershor nuk mund të negociohet, sikundër dhe për kërkesën e opozitës për një qeveri teknike.
Vendimi i kryeministrit Edi Ram u përshëndet menjëherë nga Presidenti Buajr Nishani, në zyrën e të cilit për dy ditë me radhë u zhvilluan dhe takimet mes kryeministrit Rama dhe kryetarit demokrat Basha, ndonëse pa asnjë rezultat.
“Presidenti e vlerëson qëndrimin e Kryeministrit për shtyrjen e zgjedhjeve për Kryetarin e Bashkisë së Kavajës si një mundësi për të vijuar dialogun politik mes palëve për të gjetur një zgjidhje kompromisi të krizës politike në vend. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës vijon të nxisë mbajtjen hapur në vijimësi të dialogut mes palëve”, – përfundon deklarata
Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështeti “thirrjen e Kryeministrit për shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake në Kavajë me qëllim që të ruhet përqendrimi i qeverisë dhe opozitës tek procesi i dialogut. Nxisim vazhdimin dhe përshpejtimin e procesit të dialogut sepse koha që mbetet për t’i zgjidhur çështjet me anë të negociatave përpara zgjedhjeve të 18 qershorit është e kufizuar”, – nënvizon deklarata e ambasadës amerikane në të cilën theksohet se “mbështesim të drejtat e shqiptarëve për të protestuar paqësisht dhe nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive që të mos angazhohen në akte që mund të nxisnin dhunë, veçanërisht akte që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane.
Edhe kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, partneri kryesor i socialistëve e vlerësoi pozitivisht shtyrjen e zgjedhjee në Kavajë “në funksion të çtensionimit të situatës. Dialogu duhet të vazhdoje dhe atij i duhet krijuar hapësira dhe qetësia e duhur. Zgjedhjet me standarte mbeten sfidë madhore pa kthim”, theksoi zoti Vasili në një deklaratë.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të opozitës e vlerësoi tërheqjen e kandidatit socialist nga zgjedhjet vendore të Kavajës si “fitoren e parë të republikës së re”, sepse, sipas tij, kryeministri Rama ka një plan “për të rikthyer monizmin në vendin që përmbysi diktaturën komuniste”.
Zoti Basha tha se “faktori i vetëm i destabilizimit në Shqipëri janë bandat e majta kriminale të lidhura me pushtetin, që po bëheshin gati të lanin hesapet me njëri-tjetrin në Kavajë”.
Ai theksoi se “rruga e vetme për tu bashkuar me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndarjen me krimin dhe ndarjen me drogën, është qeveria teknike”.
“Zgjedhjet e vetme që do të mbahen në Shqipëri, do të jenë vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vetëm me pjesmarrjen e opozitës, vetëm me zgjidhjen politike, e cila, për këtë lëvizje, kalon nga qeveria teknike dhe garancia e nevojshme për votën e lirë të qytetarëve” – tha zoti Basha. (voa)