Rajonet më të prekura nga përkeqësimi i motit

shiShtimi i sasisë së reshjeve gjatë 12 orëve të fundit ka bërë që autoritetet të njoftojnë qytetarët rreth situatës së pritshme meteorologjike, duke i këshilluar të bëjnë kujdes në disa zona të caktuara.

Ministria e Punëve të Brendshme, me anë të një njoftimi për shtyp, informon qytetarët se gjatë ditës së sotme, sipas buletineve meteorologjike, pritet të ketë një përkeqësim të ndjeshëm të motit, që do të shoqërohet me reshje dhe shtrëngata shiu me një intensitet të lartë, kryesisht në orët e pasdites.

Rajonet që parashikohet të preken nga përkeqësimi i motit janë: Shkodër, Lezhë, Dibër, Tiranë, Elbasan, Gjirokastër dhe Vlorë, ku në intervale kohore prej 2-3 orësh, do të ketë reshje shiu që mund të arrijnë në 30-40 mm.

Përveç rajoneve të përmendura, në lartësitë mbi 800 metra mbi nivelin e detit, pritet të ketë reshje bore, gjithashtu të dendura.

Për këto arsye, Ministria e Punëve të Brendshme njofton çdo shtetas që t’u bindet lajmërimeve të strukturave të pushtetit vendor dhe qendror për të shmangur qarkullimet e panevojshme, si dhe të japin ndihmesën e tyre ndaj këtyre strukturave, ashtu siç parashikohet edhe në Ligjin nr. 8756, ‘’Për Emergjencat Civile’’.

Gjithashtu, bëhet thirrje të minimizohen lëvizjet e panevojshme, kurse prindërit të shoqërojnë fëmijët në shkolla, kopshte e çerdhe etj.

Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë masat e parashikuara për të tilla raste, duke ngritur Shtabet e Emergjencës në prefektura e bashki, për të vënë në gatishmëri të gjitha kapacitetet njerëzore e teknike operacionale që të reagojnë sipas situatës.

Janë marrë masat që të jenë të gatshme për veprim gjithë strukturat operacionale të Emergjencave Civile si: Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, ARRSH-ja etj.

Janë njoftuar të gjitha kompanitë që kanë detyrime kontraktore për mirëmbajtjen dhe mirëfunksionimin e akseve rrugore kombëtare dhe rurale.

U është kërkuar bordeve të kullimit dhe strukturave të hidrovorëve, si dhe OSHEE-së, të qëndrojnë në gatishmëri për të minimizuar pasojat që mund të shkaktohen nga reshjet e dendura.

/ Shekulli Online / 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>