Rama: Akuzat për Xhafajn, një akt mashtrimi

RamaNë Shqipëri, kryeministri Edi Rama i cilësoi sot një “maskaradë me synime destabilizuese”, sulmet dhe akuzat e opozitës ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, lidhur me vëllanë e tij, i arrestuar në Itali në vitin 2002 dhe më pas i dënuar me vendim të formës së prerë në vitin 2012 nga Gjykata italiane e Kasacionit, me 7 vjet e dy muaj burgim, për pjesmarrje në një organizatë kriminale e cila merrej me trafikun e drogës.

Lidhur me pretendimet e opozitës se ministri i Brendshëm ka marrë në mbrotje të vëllanë, duke mos e arrestuar për të vuajtur dënimin në Itali, kryeministri deklaroi se “për të nuk ka patur asnjë kërkesë për ekstradim. Dhe në mungesë të kësaj kërkese, ligjërisht Shqipëria nuk ka vepruar dot se nuk ka patur si të veprojë as në kohën kur qeveriste opozita e sotme, dhe as deri sot që qeverisim ne”, shpjegoi zoti Rama.

Nga ana e tj, sot vëllai i zotit Xhafaj bëri të ditur përmes një letre publike se “kam vendosur që t’i drejtohem vetë autoriteteve italiane të drejtësisë për të ekzekutuar një vendim dënimi penal të tyre kundrejt meje. Kam vendosur ta bëj këtë duke u paraqitur sot në Itali tek autoritetet përkatëse”, shkruan Agron Xhafaj.

Lidhur me akuzat se ministri i Brendshëm ka ndërhyrë, vitin e kaluar, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, duke ndryshuar në Kodin e Procedurës nenin për ekstradimet, për të mos lejuar sipas opozitës që të vuante dënimin, kryeministri tha se “nuk ka cfarë t’i shtoj sqarimit të dhënë nga Komisioni europian për këtë çështje”. Në një koment për “Zërin e Amerikës”, lidhur me debatin për nenin e ekstradimit, Delegacioni i Bashkimit europian shpjegoi se “Neni 491 (f) i miratuar i Kodit, garanton se personi i cili është gjykuar dhe dënuar në mungesë ka mundësinë që të ketë një rishqyrtim të çështjes në prani të tij/saj përpara Gjykatës. Kjo masë është në përputhje me Standartet europiane të përcaktuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa Europiane për Ekstradimin dhe Vendimi kuadër i BE-së për Urdhër-arrestin europian. Kodi – vijon më tej shpjegimi – garanton se Shqipëria mund të ekzekutojë një vendim penal të huaj edhe nëse ekstradimi nuk është i mundur për arsyet e përcaktuara në Nenin 491 (f) të Kodit. Shqipëria ka ratifikuar gjithashtu Konventën Europiane mbi Transferimin e Procedimit të Çështjeve Penale, një tjetër alternativë ndaj ekstradimit, për rastet kur zbatohet Neni 491 (f) i Kodit”.

Kryeministri u ndal më gjatë te rregjistrimi i bisedës audio, të publikuar nga opozita, e që sipas saj është zhvilluar mes vëllait të ministrit Xhafaj dhe një ish të dënuari për trafik droge. Vëllai i zotit Xhafaj, ka folur për një material të rremë. Edhe në letrën e sotme publike, ai shkruan se “pranë Prokurorisë, kam deklaruar e dhënë shpjegime konform ligjit, se audio e publikuar, përfshirë efektet zanore si dhe imazhet e sajuara janë false, dhe janë bërë publike në media me qëllim shantazhin dhe presionin ndaj meje e vëllait tim, Ministër i Brendshëm. Ditën e djeshme, datë 15 Maj 2018, kam kryer të gjitha procedurat e nevojshme, të parashikuara nga ligji, përfshirë depozitmin e zërit tim pranë Prokurorisë së Tiranës dhe në prani të ekspertit të fushës, duke ofruar në këtë mënyrë të gjithë bashkëpunimin e mundur në funksion të zbardhjes së të vërtetës”.

Zoti Rama nga ana e tij, tha se i ishte drejtuar një prej laboratorëve më të njohur në botë për të analizuar materialin audio dhe se kishte marrë përgjigje. “Mua ajo përgjigje më mjafton. Jo për të vënë ulërimën kundër hetimit, apo për të influencuar hetimin apo për të bërtirur “montazh, montazh”, po më mjafton për t’ju thënë juve se nuk jemi përpara asnjë lloj prove kompromentimi, por përballë një akti mashtrimi të opinionit publik dhe atij ndërkombëtar me një material jo autentik, përmes të cilit synohet destabilizimi i qeverisjes dhe mundësisht shkatërrimi i segmentit të fundit të rrugës së hapjes së negociatave për anëtarësim në BE”, u shpreh kryeministri, duke saktësuar se kjo i mjaftonte atij vetëm nga pikëpamja politike “për të krijuar bindjen se ministri i Brendshëm duhet të vazhdojë të bëjë detyrën”, porse ndërkohë “Prokuroria e para e gjykata pas, duhet t’i japin shqiptarëve provën e së vërtetës, dhe ose duhet të provojnë shkencërisht autenticitetin e audio përgjimit, ose pastaj, askush, e kushdo qoftë, me çfarëdo imuniteti politik, nuk mund të luajë qensh me këtë vend. Nëse del se i akuzuari, ministri e vëllai i tij nuk kanë asgjë për të paguar, se nëse ndodh e kundërta nuk ka diskutim, atëherë, kush e organizoi këtë lojë të neveritshme për të çoroditur dynjanë, përmes një mashtrimi të tillë publik dhe për të goditur Shqipërinë frontalisht në sytë e botës në këtë moment historik, duhet të paguajë, sipas ligjeve të Republikës, për këtë lloj mashtrimi që përcaktojnë dënimin me burg”.

Nga ana e saj opozita dhe mbështetësit e saj u mblodhën sot për të protestuar përpara godinës së Ministrisë së Brendshme duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Xhafaj. Me thirrjet kundër tij dhe kryeministrit Rama, protestuesit qëlluan me vezë drejt godinës së ministrisë. Ndërsa nënkryetari demokrat Edi Paloka i cilësoi si skandaloze deklarimet e kryeministri. “Prapë me akuzat për median dhe opozitën, jo për ata që kryen krimet, por për ata që i zbulojnë krimet. U kthye prapë te historia me agjentë rusë. Kapet Tahiri, apo Xhafaj, ai thotë do të përgjigjet opozita, por në fund do të përgjigjet ai. Ai do të pendohet për deklaratat që bëri sot. Protesta e sotme është vetëm një hap. Kjo histori sapo ka filluar, Rama nuk ka parë gjë akoma”, u shpreh zoti Paloka. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>