Zhvillohet për herë të parë në Tiranë, Konferenca vjetore e Komitetit Ushtarak të NATO-s. Integrimi i plotë në NATO i vendeve të mbetura jashtë të Ballkanit-rruga e sigurisë europiane
Siguria në Ballkanin Perëndimor, ecuria në Projektimin e Konceptit të Stabilitetit, lufta kundër terrorizmit, misionet e NATO-s në Afganistan dhe KFOR janë në fokus të kësaj konference, që nisi të shtunën (16.09.2017) punimet në Tiranë. Shqipëria, e anëtarësuar në NATO në vitin 2009, garanton gjithë sigurinë për 29 Shefat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës Euro-Atlantike dhe ushtarakët e saj të lartë për të zhvilluar këtë konferencë në Tiranë, për herë të parë pas 8 vitesh anëtarësimi.
Burime nga Komiteti Ushtarak i NATO-s me qendër në Bruksel, pohojnë se “tema kryesore e kësaj konference është zbatimi i mëtejshëm i Projektimit të Konceptit të Stabilitetit, situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe rekomandimet për rrugën përpara lidhur me misionin e në Afganistan dhe KFOR-in në Kosovë. Çështje të tjera me interes janë progresi i NATO-s në luftën kundër terrorizmit dhe kapacitetet mbrojtëse”.
Shqipëria- përgjegjësi për paqën dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor
Sa i sigurtë është sot rajoni i Ballkanit Perëndimor? Për sa kohë që të gjitha vendet e tij nuk janë anëtare të NATO-s siguria është e brishtë si vetë rajoni. Kryemnistri Rama, në fjalën e tij përshëndetëse e konsideroi rajonin si “pasqyrën më kuptimplotë, të influencës së jashtëzakonshme të NATO-së në konsolidimin e perspektivës së paqes, stabilitetit dhe demokracisë”. Por ai vuri në dukje se BP mbetet një “një rajon i brishtë historik dhe problematik”.
“Hartës së NATO-s i mungojnë Bosnja Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Maqedonia. Kjo zonë, ende e papërfshirë organikisht në arkitekturën e sigurisë europiane, përbën një faktor paqartësie strategjike për Aleancën tonë. Ashtu sikundër, edhe një territor ku aktorë të tretë shohin vulnerabilitet dhe mundësi për penetrim. Ne besojmë fort se vetëm integrimi i plotë Euro-Atlantik i vendeve të mbetura ende jashtë, është rruga për stabilizimin, sigurinë, prosperitetin e Ballkanit, por edhe të vetë Europës” theksoi kryeministri Rama.
Lidhur me politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes së Shqipërisë, kryerjen prej saj të përgjegjësive ndërkombëtare dhe rajonale, si vend anëtar i NATO-s ai vuri në dukje se ato përcaktohen nga “harku i destabilizimit që shënjon kufijtë lindorë dhe jugorë të aleancës, valët e ekstremizmit dhe terrorizmit, si dhe rreziqe të tjera globale”
“Në këtë kontekst Shqipëria i kushton vëmendje e mbështetjes së procesit të konsolidimit të demokracisë re në Kosovë, inkurajimit të politikave dhe faktorëve Euro-Atlantikë në Maqedoni, normalizimi të marrëdhënieve me Serbinë”, theksoi Kryemnistri Rama
Çfarë sjell këmbëngulja serbe për një formulë tjetër sigurie nga vendet e rajonit?
Por jo të gjitha vendet e rajonit kanë sit ë vetmen alternativë sigurie NATO-n. “Pas zgjedhjeve të fundit, duket sikur Serbia ka dhënë disa sinjale në favor të një qasje të re politike, në raport me NATO-n dhe me Bashkimin Europian. Megjithatë, këmbëngulja serbe për një formulë tjetër sigurie të ndryshme nga vendet e rajonit e ndërlikon perspektivën e një arkitekture të qartë dhe të qëndrueshme” tha kryeministri Rama.
Duke u ndalur në situatën e sigurisë në vendet e tjera fqinjë Rama, vuri në dukje se „Maqedonia po bën përpjekje për të riaktivizuar axhendën integruese dhe për të rifilluar një marrëdhënie të re, jo hierarkike, mes popujve të vet shtetformues, duke hapur shanset e këtij vendi për një të ardhme europiane. Kosova arriti që pas një raundi tjetër zgjedhjesh të lira të vazhdojë të konsolidojë institucionet e reja dhe në kushte të ekuilibrave shumë të brishta elektorale, si një dëshmi, edhe njëherë, për forcën e madhe që i jep vendit, orientimi i qartë strategjik në favor të Integrimit Euro-Atlantik”.
Lidhur me plotësimin e angazhimve tëe Shqipërisë si vend anëtar i NATOs, Shqipëria ka ndërmarrë një program ambicioz modernizimi që „ do të shoqërohet edhe me rritjen progresive të shpenzimeve për mbrojtjen” bëri të ditur kryeministri Rama.Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë të pranishme në misionet e NATO-së në Afganistan, Kosovë, Letoni dhe në Detin Egje, të misioneve të BE-së në Bosnje – Hercegovinë dhe në Mali. Shqipëria kontribuon edhe në plotësimin e angazhimeve të NATO-s në kuadër të masave për “Defense and Deterrence”, për “Enhanced Forward Presence” dhe “Projecting Stability Beyond our Borders”. (dw)