Rama: BE ka krijuar ishullin e Kosovës, duke mos lejuar lëvizjen e lirë

Mbledhja shqiptare

Shqipëria dhe Kosova avancojnë, atë që tashmë njihet, si partneriteti strategjik mes dy vendeve, i cili u riktheksua edhe njëherë tjetër nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive, në kryeqytetin shqiptar.

Të ulur bashkarisht në një tryezë me ngjyrat e BE-së, kabinetet qeverisëse dëshmuan, se rruga e përbashkët e dy vëndeve është kontinenti i vjetër.

Por, siç theksoi Kryeministri Rama, “bashkimi mes veti kalon nga Bashkimi Europian”, për të cilin, Rama si asnjëherë më parë, lëshoi kritika të ashpra, për atë që shefi i Qeverisë shqiptare, e quajti “izolim të Kosovës nga mosliberalizimi vizave”.

“Ne i kemi thënë dhe do ta themi kudo dhe kurdo që do të na jepet rasti. Regjimi i vizave sot në Kosovë është një padrejtësi cinike ndaj Kosovës dhe kjo padrejtësi duhet të marrë fund një orë e më parë, sepse nuk cënon vetëm dinjitetin e popullit të Kosovës, por cënon edhe dinjitetin e vetë Europës. Mbajtja e Kosovës, nën regjimin e vizave është turp për Bashkimin Europian”, tha Rama.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ishte i drejtëpërdrejtë në deklarimin e tij, kur tha se duhet bërë më shumë në aspektin e marrëdhënieve ekonomike.

“Vlerësoj se marrëdhëniet tona ekonomike, ndërmjet vendeve tona, kanë mbetur më prapa nga marrëdhëniet në fusha të tjera. Ne jemi zotuar dhe punojmë intensivisht që të krijohet një sistem bashkëpunimi, i cili ka për bazë konkurrencën e lirë në treg, ndërsa Qeveritë tona do të heqin barrierat që ky bashkëpunim të jetë konkret dhe frytdhënës. Sistemi, që ne bashkarisht po krijojmë, eliminon subjektisivizimin dhe subjektivizmin për pengimin e qarkullimit të mallrave dhe shërbime në kohë reale”, tha Mustafa.

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili prezantoi edhe dokumentin për partneritetin strategjik, e cilësoi atë të një rëndësie historike për ne dhe për rajonin, duke shtuar se, bashkëpunimi dypalësh në fushën e sigurisë mes nesh është shumë i rëndësishëm, në situatën e fundit të krijuar në botë.

Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi punën e bërë nga qeveria e Shqipërisë në lobimin për njohjen e shtetit të Kosovës, Me tej, ai tha se, Shqipëria po ashtu ka ndihmuar në anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare.

Nënshkruhen marreveshjet mes dy qeverive

Me moton “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr”, u zhvillua mbledhja e dytë e përbashkët e Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Delegacioni i Qeverisë së Kosovës u prit me nderime në ambientet e Pallatit të Kongreseve, në një ceremoni zyrtare që zgjati për rreth 10 minuta.

Kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij u takua fillimisht me homologun Isa Mustafa dhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës.

Holli i Pallatit të Kongreseve është konceptuar i ndarë në 3 pjesë, ku bie në sy tryeza në formë rrethore me ngjyrë blu, mbi të cilën janë vendosur flamujt e BE-së, ku do të ulen të dy kabinetet qeveritare.

Në mes është vendosur një shqiponjë 3 dimensionale, kurse anash dekori parashikon vendosjen e flamujve të dy vendeve. Një kënd i veçantë është dedikuar për nënshkrimin e marrëveshjeve dhe një tjetër për konferencën e përbashkët për shtyp të kryeministrave Rama dhe Mustafa.

Me vone u krye edhe firmosja e dy qeverive me 11 marrëveshje, memorandume dhe protokolle të cilat janë:

1. Për Bashkëpunim të “Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë”.

2. Memorandum mbi “Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”.

3. Protokoll mbi “Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.

4. Protokoll “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.
5. Memorandum i Mirëkuptimit “Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”.
6. Marrëveshje e Bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.

7. Marrëveshje e “Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.

8. Marrëveshje për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”.

9. Protokoll “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.

10. Memorandum “Mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.

11. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.

Kryefjala e mbledhjes së dytë të dy qeverive ishte thellimi partneritetit strategjik i Shqipërisë me Kosovën, i cili në në një vit ka njohur progres të rëndësishëm edhe në fushën e politikës së jashtme, ku Kosova është bërë pjesë e shumë nismave rajonale dhe për herë të parë në Milano u hap Konsullata e parë e përbashkët mes dy vendeve.

Hapja e kësaj Konsullate parashikohej në marrëveshjen e nënshkruar gjatë mbledhjes së parë të dy qeverive në Prizren. / Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>