Rama falënderon kuqezinjtë: I ndryshuat imazhin vendit

kombetarja ramaNë fjalën e mbajtur para kombëtares, kryeministri Rama falenderoi tifozët, ose lojtarin e 12-të, dhe të gjithë futbollistët që së bashku i dhuruan shqiptarëve emocione të mrekullueshme dhe i ndryshuan vendit imazhin në Francë.

“Është një privilegj i jashtëzakonshëm për mua t’ju uroj me mirënjohjen më të madhe këtë kthim të paharrueshëm në atdhe pas misionit tuaj në Francë, ku latë pas edhe falë lojtarit të 12-të, imazhin e bukur të një Shqipërie kurajoze, luftëtare, krenare dhe evropiane. Jo vetëm kjo sallë, por asnjë stadium s’do mund ta nxinte këtu brenda lojtarin e 12-të. Përshëndes këtu çdo fans që ishte i pranishëm në Lens, Marsejë dhe Lion. Patëm në këtë Evropian të parë, një skuadër të vërtetë dhe një publik të mrekullueshëm, që me entuziazmin e vet e bëri të ndryshojë Francën imazhin për Shqipërinë. Faleminderit juve, luftëtarëve të misionit kuqezi në Francë, sepse pa shembullin tuaj lojtari ynë i 12-të s’do kishte shkëlqyer kaq mrekullisht. Ajo që keni dhënë ju në këtë Evropian shkon shumë përtej futbollit, megjithëse e di se asnjëri prej jush nuk do të jetë për shumë kohë i qetë për atë që Shqipëria mori nga verdikti i fushës”, tha Rama.

Kryeministri u kërkoi lojtarëve të mos jenë aspak pishman që u kthyen në shtëpi për një gol diferencë, por të jenë krenar që i dhuruan popullit një skuadër që dukej mes të barabartësh.

“Por pas eliminimit, kush nga ju e kush nga ne nuk do ta kishte pranuar me gëzimin më të madh këtë film. Madje, më falni, por që të jem i sinqertë, shyqyr që nuk e parashikuam më parë këtë pjesëmarrje se kush e di se sa më e lartë do të ishte premioja që do të na kishit marrë para se të shkonit në Francë. Prandaj djema, asnjë pishman pse u kthyet sot për një gol diferencë, por për një krenar që i dhatë kombit tonë, shtetit, mbarë popullit me këtë skuadër që dukej mes të barabartësh. Kjo skuadër është gati për të përballuar skuadra shumë të vështira në botëror. Faleminderit Xhani, ti je një ‘axurr’ i vërtetë kur hyn në fushë për të mos marrë gol dhe një kuqezi i vërtetë. Krijove një skuadër të vërtetë dhe e bërë skuadrën tonë një histori suksesi që është një shembull frymëzues se çfarë mund të bëjmë ne nëse gjejmë brenda nesh forcën dhe fuqinë për t’u ringritur sëbashkur kur rrëzohemi”, vijoi fjala e kreut të qeverisë.

De Biazi: Do vijoj me Shqipërinë për të vazhduar rrugën e mrekullisë

Është e vështirë të flasësh para teje Edi. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për atë çfarë kemi bërë. Pas këtij kampionati e gjithë bota sportive ka filluar të na marrë më shumë në konsideratë për aftësinë për të ndërtuar një grup për mbi individët. Me rëndësi është rëndësia që kanë këta djem, kanë kaluar nga koncepti i individit tek forca e grupit. Për ne ka ekzistuar përemri vetor “ne”. I jam kthyer shpesh shembullit të Skënderbeut jo se unë dhe Duka i afrohemi atij, por shembujt historik janë të rëndësishëm nëse ne dimë t’i shfrytëzojmë. Ai përdor shembullin e fuqishëm të grupit, kjo është forca e skuadrës sonë. Edhe tifozët luftuan me ne, fituan të tri ndeshjet. Shqiptaria për mua është një kapitull nderi, gati njoh më shumë himnin shqiptar se atë italian. I detyrohemi për këtë brezave të rinj. Ti Edi flet shpesh për rilindje, mendoj se për çfarë kemi bërë në Francë kemi mundësinë për të ndërtuar një rilindje të vërtetë. Ju betohem se me këta djem kam parë një energji të madhe, një kombëtare të të gjithëve. Nuk jam Kryeministër por jam trajneri i vjetër i Shqipërisë që ka ndërmend të vazhdojë të rrijë akoma këtu për të vazhduar rrugën e mrekullisë.

Nikolla: Mirënjohje për shembullin frymëzues

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla nuk e fshehu krenarinë që ndjente për këtë pjesëmarrje historike të kombëtares shqiptare në Euro 2016.

Ajo ndau me futbollistët emocionet e vajzës së saj studente në Francë, e të çdo emigranti siç tha “që falë jush ndjehen kryelartë”.

“Si ministre nuk e kam imagjinuar këtë privilegj, nuk kam fjalë për të shprehur emocionet”,- tha ajo më tej.

Nikolla shprehu më tej “mirënjohje të veçantë për shembullin frymëzues që i dhatë nxënësve dhe studentëve tanë. Shumë faleminderit si qytetare dhe prind që beson se ky vend mund të bëhet më i mirë, krenare për ju”.

(17:10) Kuqezinjtë në Ministrinë e Jashtme, marrin pasaportat diplomatike

Futbollistët e Kombëtares mbërritën në Ministrinë e Jashtme, ku u pritën në ambientet e jashtme të institucionit nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. “Shqipëria ka shumë diplomatë, por mendoj se ju jeni shkëlqesitë e vërtetë, për mesazhin që keni përçuar në Evropë dhe më tej”, tha Bushati në fjalën e mbajtur.

Trajneri Xhani De Biazi dhe lojtarët kanë firmosur me radhë dokumentin që u jep atyre mundësinë të pajisen me pasaporta diplomatike. Ishte ky një premtim i kryeministrit Rama pas fitores së Shqipërisë ndaj Rumanisë.

(16:40) Kombëtares i dorëzohet “Çelsi i Tiranës”

Kombëtarja shqiptare është ndalur rreth orës 16:38 në Bashkinë e Tiranës, ku i është dorëzuar në formë mirënjohje nga kryebashkiaku Veliaj  “Çelsi i Tiranës”.

Qytetarë të shumtë ishin mbledhur pranë bashkisë, duke duartrokitur dhe brohoritur emrat e idhujve të tyre.

Në një fjalim të mbajtur para tifozëve, kapiteni i kombëtares Lorik Cana deklaroi: “Ju falënderoj së pari për mbështetjen dhe pritjen. Ne e kemi një atdhe të gjithë. Se Tirana është shtëpia jonë dhe sa herë jemi këtu ndihemi mirë”.

(15:46) Kombëtarja mbërrin në Rinas, pritet nga Rama e Nikolla

Avioni i kombëtares shqiptare të futbollit ka mbërritur rreth orës 15:42 në aeroportin e Rinasit.

Në ceremoninë e mirëseardhjes ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, të cilët pritën me nderime lojtarët që bënë krenarë shqiptarët në “Euro 2016″.

Garda shtetërore luajti himnin kombëtar, ndërkohë që përballë tyre qëndronin kreu i qeverisë Rama, trajneri De Biazi dhe kapiteni Cana.

Kombëtarja po udhëton drejt Tiranës me një autobus të hapur me ngjyrat e flamurit, i cili do t’u lejojë lojtarëve të përshëndeten me tifozët në rrugë.

Ndalesa e parë do të jetë në Bashkinë e Tiranës, ku do të zhvillohet ceremonia e dhënies së çelësit të qytetit.

Më pas lojtarët do të jenë në Ministrinë e Jashtme për të plotësuar procedurat për marrjen e pasaportave diplomatike, të premtuara nga kryeministri Rama pas fitores ndaj Rumanisë.

Rama do ta presë ekipin në qendrën COD të selisë së qeverisë, përpara se lojtarët të shkojnë në “Fan Zone”, në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të jetë edhe stacioni i fundit i ceremonialit për Kombëtaren. (shekulli)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>