Rama: Kush është dënuar nga gjykata nuk mund të ketë mbështetjen e PS-së

ramaKryeministri Edi Rama ka reaguar pas dorëheqjes së kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Rama shprehet se Rroshi është kandiduar dhe rikandiduar, pasi është shqyrtuar dëshmia e tij e penalitetit dhe janë verifikuar akuzat e hedhura herë pas here ndaj tij nga opozita. Kreu i qeverisë thotë se pas një verifikimi të thelluar, ka dalë në dritë se Rroshi është dënuar në moshë të mitur në Itali nga gjykata e të miturve. “Jam i keqardhur, por aspak i lëkundur në bindjen time se kur hyn në mes një problem me drejtësinë, vendimmarrja s’ka si të ketë më asnjë ngjyrë tjetër përveçse bardhezi”, shprehet Rama.

Reagimi i Ramës

Kur e kemi zgjedhur Elvis Rroshin si kandidat për Kavajën, kemi marrë si për të gjithë dëshminë e penalitetit, e cila ka rezultuar e bardhë. Po ashtu, kur e kemi mbështetur rikandidimin e tij, kemi sqaruar në rrugë operative të gjitha akuzat e bëra ndaj tij. Dhe asgjë nga çfarë kanë pretenduar akuzuesit e tij publikë deri më sot, nuk ka rezultuar e vërtetë.

Duke i njohur dhe respektuar gjithnjë vështirësitë që të rinjtë shqiptarë kanë kaluar përmes dallgëve të larta të jetesës në emigracion, kam besuar dhe besoj se historia e Elvisit, apo Ervinit, ka qenë thjesht njëra ndër historitë e panumërta të djemve që janë përplasur nëpër ato dallgë, duke jetuar mes ëndrrës për t’ia dalë dhe makthit të rikthimit mbrapsht. Ndërrime emri për të mos u kthyer mbrapsht, përzënie për qëndrim pa leje, kalime ilegale kufiri e me radhë, janë akte të paligjshme që në vitet ’90 i kanë bërë shumë e shumë emigrantë në rrugën drejt ëndrrave të tyre.

Prandaj edhe nuk e kam fshehur përçmimin tim ndaj hipokrizisë ekstreme të atyre që kanë shumë gjëra për t’u  turpëruar apo fshehur nga jeta e tyre në politikë dhe i turreshin kryetarit të Bashkisë së Kavajës me gjithfarë shpifjesh e akuzash. Ashtu sikundër nuk kam pasur pse ta fsheh respektin për punën e jashtëzakonshme të Elvis Rroshit për Kavajën, e cila sot është kthyer në një shembull të shkëlqyer transformimi.

Por fatkeqësisht sot, një verifikim i thelluar ka nxjerrë në dritë një fakt deri tani krejt të panjohur dhe të papërfolur ndonjëherë për Elvis Roshin, për të cilin nuk është lënë gënjeshtër pa treguar. Elvis Roshi është dënuar në moshë të mitur në Itali nga gjykata e të miturve! Jam i keqardhur, por aspak i lëkundur në bindjen time se kur hyn në mes një problem me drejtësinë, vendimmarrja s’ka si të ketë më asnjë ngjyrë tjetër përveçse bardhezi.

Kam qenë dhe mbetem i prerë në këtë pikë: Fajësinë nuk e caktojnë partitë as mediat, po gjykatat. Gjithkush sulmohet me opinione kriminalizuese të pambështetura në fakte po në shpifje, meriton solidaritet. Ama gjithkush që ka një dënim gjykate me heqje lirie, nuk e ka dot mbështetjen e Partisë Socialiste për të kandiduar për çfarëdo qoftë apo qëndruar në një detyrë publike që ka. Fakti në këtë rast që Elvis Roshi nuk e ka vuajtur asnjë ditë dënimin sepse ka qenë në moshë të mitur, nuk mund të ndryshojë gjë.

Kjo ka qenë linja ime në këtë aspekt shumë më përpara se sa të kalonte ligji i “dekriminalizimit”, kjo është linja jonë edhe sot. Asgjë nuk ndryshon në raport me hipokritët e lartpërmendur dhe po ashtu asgjë nuk do të ndryshojë në pikën e lartpërmendur. Dhe ndryshe nga partia përballë, që tjetër thotë e tjetër bën, me papastërtitë e hatashme që ka në grupin e saj parlamentar, deri edhe duke justifikuar shkeljen haptazi të ligjit të “dekriminalizimit” nga një deputet i saj, në familjen tonë politike nuk ka llafe përballë fakteve të provuara. Kush gjendet në shkelje të kësaj linje as nuk mund ta marrë, as nuk mund ta mbajë një detyrë me mbështetjen tonë.

Kam besuar dhe me siguri do të besoj gjithnjë se të trajtosh një njeri si kriminel për vepra që nuk i ka bërë, është kriminale. Ishte kriminale dje dhe mbetet kriminale sot e gjithmonë, çdo shpifje, akuzë, fabrikim që synon të kriminalizojë një person për shkak të detyrës. Edhe Elvis Roshin!
Besoj po ashtu se edhe vetë dorëheqja e Elvis Roshit sot, u jep të gjithëve një tjetër provë të qartë se në Partinë Socialiste në këta 32 muaj qeverisje ka fituar një parim i panegociueshëm:

Kur një fakt i provuar nxjerr në pah një problem që i takon drejtësisë, pushteti ynë nuk futet kurrë mes drejtësisë dhe cilitdo ndër ne.

Duke e konsideruar të përfunduar shërbimin e Elvis Rroshit si kryetar i Bashkisë së Kavajës, do të vazhdoj ta mbështes me gjithë zemër projektin ambicioz të Rilindjes Urbane të Kavajës.​

/ G.S. /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>