Rama-Meta, takimi 90 minuta; Kryeministria: Bashkëbisedimi do të vijojë

rama-metaPrej mbrëmjes së të shtunës Presidenti i Republikës vijon të mos bëjë publike arsyet që e çuan në shkelje të Kushtetutës, duke mos dekretuar emërimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm.

Përveç një fjalie në një grup në aplikacionin Whatsapp dërguar gazetarëve nga zyra e shtypit të Metës, kreu i Shtetit vijon të mosinformojë opinionin publik. Paraditen e të dielës ai u kujdes të bënte me dije se po shijonte një kafe nën rrezet e diellit në ballkonin e tij, por asnjë fjalë për detyrimet kushtetuese që ka ndaj qytetarëve.

Pak metra më tutje në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, Edi Rama kishte marrë një letër nga Ilir Meta, që e bëri Kryeministrin t’i kërkonte takim kreut të Shtetit. Nga ora 11:30 deri në orën 13:00, të dy qëndruan kokë më kokë për 90 minuta. Në përfundim, Kryeministria shpërndau një njoftim të shkurtër për mediat.

“Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës”, thuhej në njoftim.

Nga përmbajtja e këtij mesazhi duket se Rama ka ende shpresa që ta bindi Metën për të dekretuar Lleshin, ndonëse përtej afateve kushtetuese. Përndryshe, Kryeministri ka disa opsione në dispozicion. Një prej këtyre është që t’i dërgojë Metës një propozim tjetër, por burime nga mazhoranca tregojnë se kjo ka pak gjasa që të ndodhë. Një tjetër mundësi është që Parlamenti të rrëzojë dekretin presidencial të shkarkimit të Fatmir Xhafës nga detyra, duke e kthyer atë në krye të Ministrisë së Brendshme. Por ky variant, pohojnë burimet, ka pak probabilitet të ndodhë.

Mundësia më e madhe është që Kryeministri të emërojë Sandër Lleshin zv/ministër të parë, duke i dhënë atij drejtimin e dikasterit përmes delegimit të kompetencave ministrore. Kjo do të shmangte kalimin nga Meta për dektret. Rama mund edhe ta marrë vetë titullin zyrtar të ministrit të Brendshëm, ndërsa de facto ia beson drejtimin e institucionit gjeneral Lleshit.

Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>