Kryeministri Edi Rama, i pranishëm këtë të hënë në një aktivitet të Bordit për Ujitjen dhe Kullimin, tha se qeveria ka si qëllim të dyfishojë dhe të ezaurojë të gjithë nevojat e tokës që aktualisht është në shërbim të bujqësisë për ujin, por edhe të garantojë kullimin e saj në të gjithë territorin, si proces për të shmangur përmbytjet e evitueshme.
Në aktivitetin ku u prezantuan projektet dhe grantet për ujitjen dhe kanalizimin, kreu i qeverisë bëri të ditur se, do të mundësohet ujitja për 100 mijë familje fermere, dhe më tej, kjo do të mundësojë rritjen e ekonomisë bujqësore në rang vendi.
“Janë më shumë se 100 mijë familje fermere që do t’u mundësohet ujitja pas 20 e kusur vitesh. Gjithçka do të ndodhë brenda 2.5 viteve të ardhshme, duke plotësuar kuadrin e një zotimi ambicioz, por të arritshëm të shumicës sonë qeverisëse. Kjo do të sjellë një nxitje të mëtejshme të rritjes së ekonomisë familjare në fshat dhe ekonomisë bujqësore në rang vendi. Ne jemi të bindur se kemi të gjitha mundësitë dhe instrumentet për të siguruar një përmirësim cilësor dhe sasior të kullimit të vendit e për të shmangur përmbytjet”, theksoi Rama.
Aktualisht, u shpreh kreu i qeverisë, kemi nën ujë vetëm 110 mijë hektarë tokë nga 420 mijë hektarë që Shqipëria kishte si tokë bujqësore të ujitur në vitet 1991-‘92. Për kryeministrin Rama, ky 20-vjeçar ka sjellë shumë transformime që, në raport me sipërfaqen e tokës së bukës, janë negative, pasi shumë sipërfaqe që në vitet ‘91-‘92 i dedikohej prodhimit bujqësor, është transformuar në truall ndërtimi.
Mbetet ende një sipërfaqe e konsiderueshme e tokës bujqësore, e cila sipas Ramës, sot është ende jashtë funksionit të saj pasi mundësia për ujitje është kufizuar ndjeshëm. “Kemi bërë një punë të konsiderueshme në këtë drejtim. Ishte e domosdoshme të bëhej një inventar i plotë për ndaljen e një hemorragjie të madhe që 18 muaj më parë kishte dëmtuar të gjithë sektorët”, tha kryeministri duke shtuar se “është punuar për të modernizuar mjetet që administrojnë sektorin dhe për t’i dhënë fund një epoke skandaloze abuzimesh dhe falsiteti në raportimin e punëve të kryera”.
“Për ujitjen dhe kullimin ka pasur abuzivizëm ekstrem dhe shpërdorim të fondeve, çka ka qenë rezultat i një organizimi primitiv. Ajo çka do të ndodhë më pas do të jetë revolucionarizuese për sistemin. Do të kalojmë përgjegjësinë e ujitjes dhe kullimit tek 61 njësitë vendore e do të jenë kryetarët e rinj që do të jenë përgjegjës për ujitjen dhe kullimin. Do t’u vihet në dispozicion një instrument modern për të kontrolluar në kohë reale të gjithë punën që kryhet në këtë sektor”, është shprehur Rama. / Top Channel