Rama takon Obamën: Një orë e paharrueshme në Shtëpinë e Bardhë

Obama-pret-Ramen19:16- “Një orë e paharrueshme në Shtëpinë e Bardhë. Faleminderit zoti president”. Kështu shkruan kryeministri Edi Rama në “Facebook” pas takimit me kreun e SHBA-ve, Barack Obama.

Axhenda ka qenë e rëndësishme në takimin me zv.presidentin Joe Biden për katër minuta dhe më pas për 40 minuta të tjera me presidentin Barack Obama në Zyrën Ovale.

18:59- “Vendit i duhen reformat”. Kjo është deklarata e kryeministrit Edi Rama nga oborri i Shtëpisë së Bardhë, pas takimit me zëvendës/presidentin Joe Biden. Duke folur për reformën në drejtësi, kreu i qeverisë pranoi se ka patur një lloj simulimi nga ana e opozitës, duke krijuar vonesa për miratimin e reformës, e cila do të kalojë shumë shpejt:

“Do të më vinte shumë keq që të merresha me opozitën e vendit tonë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, unë këtu i përfaqësoj të gjithë dhe nuk dua të them propozimin për reformën. Reforma duhej të ishte përmbyllur. Ka pasur shumë simulime si ato të njerëzve që marrim raport fals kur nuk duan të shkojnë në punë, për të penguar procesin, por kam besim të plotë që reforma do të kalojë dhe se cilado palë e ka kuptuar që do të kalojë”.

“Mes Bashës dhe Trampit, do zgjidhja Bashën”

Pas takimit me presidentin amerikan, kryeministri Edi Rama foli për “Zërin e Amerikës”. Kjo është intervista e plotë:

Si shkoi takimi dhe për çfarë u fol?
Mund të them që i kaloi parashikimet në kuptimin e atmosferës miqësore, ku dëgjuam fjalë të shkëlqyera për Shqipërinë, për përpjekjet tona, dhe sigurisht ndamë së bashku bindjen se ky është një partneritet që do të vazhdojë të forcohet dhe se Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në rajon, gjë për të cilën faktikisht morëm përgëzime dhe inkurajim shumë të madh. Dinamika e re e politikës sonë të jashtme ka sjellë një rritje shumë të ndjeshme të reputacionit të vendit tonë edhe në sytë e vetë partnerëve tanë, dhe sot ky është një fakt i provuar edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Një nga temat, padyshim, ka qenë dhe ekstremizmi dhe radikalizmi. Mund të na flisni pak më gjerësisht për çfarë bëhet fjalë?
Patjetër. Presidenti u interesua, me thënë të drejtën, me shumë dëshirë dhe me entuziazëm në lidhje me idenë e futjes në shkolla të mundësisë për të njohur fenë dhe për t’u dhënë të rinjve instrumentin e domosdoshëm që të mos bien pre e propagandës ekstremiste të çfarëdo lloji – qoftë të radikalizmit islamik që flet në emër të Kuranit, por është shkelja më e rëndë mbi Kuranin, qoftë edhe të ekstremizmit politik edhe në demokracitë e zhvilluara.

Si do ta realizoni ju këtë, edukimin në shkolla, si dhe idenë tuaj për qendrën rajonale kundër radikalizmit?
Qendra do të ngrihet dhe ne po përgatitemi me mbështetje shumë të fortë, qoftë nga Shtetet e Bashkuara, qoftë nga Bashkimi Evropian, dhe po ashtu kemi marrë një mbështetje të rëndësishme edhe nga USAID-i për sa i përket një programi që nuk është vetëm te shkollat, por në të tërësi për promovimin e bashkëjetesës fetare te të rinjtë, për garantimin e kësaj pasurie të madhe që është bashkëjetesa fetare në Shqipëri për më të rinjtë, të cilët nuk duhet ta marrin si të mirëqenë njëherë e përgjithmonë, por të investojnë për të. Nga ana tjetër, ka qenë shumë e rëndësishme ajo çka kemi diskutuar për reformën në drejtësi, të cilën edhe Shtëpia e Bardhë e kërkon, e mbështet dhe sigurisht e konsideron një test shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian, që është rruga ku ne kemi një mbështetje shumë të fortë edhe nga Shtetet e Bashkuara, edhe nga presidenti vetë.

Ju kishit premtuar, kur sekretari Kerri ishte në Shqipëri, që kjo reformë do të miratohej në pranverë. Por ndërkohë marrëdhëniet janë paksa të acaruara dhe reforma nuk ka shumë gjasa nëse nuk arrihet konsensusi me opozitën. Do të arrini ju ta zbatoni këtë afat?
Do të më vinte shumë keq që të merresha me opozitën e vendit tonë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Unë e konsideroj që këtu i përfaqësoj të gjithë dhe të paktën brenda kufijve të Shtëpisë së Bardhë nuk dua të them atë që mendoj për opozitën, lidhur me reformën në drejtësi. Faktikisht reforma duhet të kishte përfunduar tani, pasi faktikisht ajo çka është përgatitur është gati. Ka pasur shumë simulime – si ato simulimet e njerëzve kur nuk duan të shkojnë në punë dhe marrin raport fals, – për të penguar procesin. Sidoqoftë unë jam besimplotë që reforma do të kalojë dhe jam besimplotë që cilado palë ka kuptuar thelbin që kush identifikohet si pengesa  e reformës hyn në telashe të mëdha me popullin shqiptar në radhë të parë, por sigurisht janë në një telash shumë të madh edhe me partnerët ndërkombëtarë. Ky është një mesazh i qartë që e marrim nga të gjitha anët.

Dje në takimin e Këshillit të Atlantikut, unë ju bëra një pyetje lidhur me klimën politike dhe në fakt ishte e vërtetë ajo që thatë që këtu në Uashington klima është e ashpër, sidomos në një vit zgjedhës që është jashtë normales. Për ta vazhduar më tej mendimin, retorika e SHBA-ve është e  ashpër, por institucionet janë aq të forta sa ta përballojnë një gjë të tillë. Në Shqipëri klima ka qenë shpeshherë e ashpër dhe ju keni qenë aq shumë politikë, sa që të gjithë lojtarët nuk mund të përjashtohen nga kjo. Mund ta vazhdoni pak idenë tuaj? Ka një lloj ndryshimi mes institucioneve të fuqishme këtu, që një fushatë nuk i trondit dot, dhe brishtësisë që ekziston në Shqipëri për shkak të tranzicionit?
Jam 100 për qind dakord me këtë. Sigurisht nuk mund të justifikoj as ashpërsinë, ndonjëherë deri në absurd të republikanëve në Amerikë, në raport, për shembull, me shumë reforma të presidentit Obama dhe as ashpërsinë, përtej absurdit ndonjëherë të politikës në Shqipëri dhe përsëri nuk po vë gishtin mbi një palë, por po them vetëm se është e domosdoshme që përtej retorikës, përtej debatit ne jemi shqiptarë dhe nuk do të bëhemi kurrë danezë apo zviceranë apo suedezë. E ndoshta, nuk jemi keq kështu siç jemi në shumë aspekte. Të mos harrojmë se vendit i duhen reformat, njerëzve i duhen reformat. Shqipëria nuk del dot nga prapambetja e madhe institucionale, e cila është rezultat i 20 e ca viteve pa reforma reale, në qoftë se reformat nuk janë reale, nuk janë të thella dhe me çdo dhimbje ne duhet t’i bëjmë. E patjetër që ne do të bëjmë pjesën tonë si qeveri, siç e kemi bërë deri tani, por ka reforma si ajo e drejtësisë që është mirë të bëhen së bashku dhe unë besoj se do të bëhen së bashku.

Është ky një premtim që edhe ju do ta zbusni pak tonin tuaj?
Sigurisht, ju më gjykoni dhe të tjerët më gjykojnë shumë më objektivisht nga sa mund ta gjykoj veten time, por sidoqoftë me ndonjë ekses, për të cilin jam ndjerë keq edhe vetë në këtë rrugëtim, besoj që fjalimet e mia janë të standardeve edhe të këtij oborri besoj.

Meqë jemi edhe te ky oborr dhe meqë ju keni folur shpesh për z. Tramp, edhe dje te “CNN International” desha të bëj një pyetje: Vërtet ka pasur edhe nga udhëheqës të tjerë botërorë komente shqetësuese për retorikën e z. Tramp, për kandidaturën e tij, por  mendoj se vetëm ndoshta presidenti meksikan ka qenë më i ashpër sesa ju, për shkak të retorikës së murit. Çfarë ju shtyn të jeni kaq i ashpër?
Unë nuk besoj se jam i ashpër, unë besoj se në këtë pikë jam i vërtetë. Jam pyetur, jam përgjigjur, nuk është se kam ndërmarrë ndonjë fushatë. Sa herë që do të pyetem, do të përgjigjem dhe nuk dua të di fare se çfarë mund të thotë njëri apo tjetri. Unë besoj se ata të cilët në Shqipëri zgjedhin Trampin përpara meje, pavarësisht diferencave që kanë me mua, janë për t’u mëshiruar. Unë midis Lulzim Bashës dhe Trampit zgjedh gjithmonë Lulzim Bashën, pavarësisht se Lulzim Bashën nuk do ta zgjidhja kurrë, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye, për asgjë. Por ama nuk është problemi im nëse Lulzim Basha, apo cilido qoftë tjetër mes meje e Trampit, zgjedh Trumpin. Është problemi i tyre, unë nuk kam problem.

Z. Rama, diçka për Kosovën, në qoftë se ju diskutuat në takim. Shqipëria ka kërkuar si anëtare e NATO-s dhe si një anëtar i rëndësishëm i NATO-s në rajon, institucionalizimin e marrëdhënies së NATO-s me Kosovën. U diskutua në këtë takim për këtë?
Kjo është pjesë e një procesi. E sigurt është që ajo çka ne kemi qenë me zë të lartë dhe në pakicë fillimisht, në mbështetje të plotësimit të projektit të NATO-s, duke këmbëngulur që të ftohej Mali i Zi, ka provuar që është bërë në një kohë të arsyeshme mendimi i shumicës dhe pikërisht për këtë, në fund kemi diskutuar edhe me zëvendëspresidentin sesa e rëndësishme ka qenë kjo dhe sa e rëndësishme është që procesi të vazhdojë. Nuk diskutohet që në këtë proces që vazhdon, Kosova nuk mund të jetë kurrsesi e përjashtuar, përkundrazi. Me zëvendëspresidentin kemi folur edhe për presidentin e ri të Kosovës, i cili së shpejti do të hyjë në këtë oborr dhe do të takohet me zëvendëspresidentin, i cili më tha se e pret me kënaqësi shumë të madhe, si një mik të vjetër dhe si një njeri që ka bërë shumë për Kosovën.

Takimi juaj i fundit sot, para se të largoheni, është me FBI-në. Çfarë prisni nga ky takim?
Ne kemi hapur një proces bashkëpunimi me FBI-në dhe sot nënshkruajmë edhe një marrëveshje. Sigurisht, ne besojmë shumë te potenciali i madh i ndihmës që mund të marrim nga FBI-ja përsa i përket rritjes së kapaciteteve hetimore, rritjes së kapaciteteve në mbledhjen e provave për të cilat FBI-ja është pa diskutim më e kuotuara dhe nëse flasim për vazhdimin e luftës kundër krimit, kundër korrupsionit, çështje që i kanë të gjithë, por që ne i kemi në mënyrë specifike në rajon dhe si pjesë e vendeve që kanë dalë nga e shkuara e errët komuniste, padyshim që kjo është pjesë e kësaj përpjekjeje.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>