Raporti i Progresit për Shqipërinë

Komisioni europian vlerëson se vendi ka ende punë për të përmbushur përparësit kyce që janë identifikuar si kusht për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Kritika të forta sistemit të Drejtësisë dhe shqetësime për korrupsionin

komisioni evropianRaporti i Progresit për Shqipërinë i publikuar sot nga Komisioni europian vëren se vendi ka bërë hapa përpara, por ende nuk ka përmbushur plotësisht 5 përparësitë kyce që do t’i hapnin rrugën nisjes së bisedimeve për anëtarësim. Për secilën nga këto përparësi, raporti përcakton dhe detyrat konkrete që Shqipëria duhet të kryejë gjatë vitit të ardhshëm. Dokumenti është tejet kritik lidhur me gjendjen e sistemit të Drejtësisë, ndërsa vlerëson gjithashtu se korrupsioni mbetet i përhapur. Komisioni europian kërkon që vendi të ketë gjurmë të besueshme provash në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar

Raporti i Komisionit europian bën fillimisht një paraqitje analitike të zhvillimeve në Shqipëri. Ai nis me një vlerësim të shkurtër për zgjedhjet e qershorit të 2015 të cilat “u zhvilluan pa incidente të mëdha. Duhet të trajtohen ende shqetësimet lidhur me paanshmërinë dhe profesionalizimin e autoriteteve zgjedhore dhe politizimin e përgjithshëm të procesit zgjedhor”.

Lidhur me situatën politike, raporti vëren marrëveshjen e fundvitit të shkuar që coi në mbylljen e bojkotit nga ana e partisë demokratike. “Megjithatë mbetet ende shumë për t’u bërë për të adresuar kulturën politike ndarëse dhe për të siguruar një dialog ndërpolitik më konstruktiv. Hapa fillestarë janë ndërmarrë me përgatitjet e legjislacionit për përjashtimin e të dënuarve për krime nga postet publike”. Duke folur për ngritjen pas marrëveshjes së dhjetorit, të dy komisioneve hetimore dhe komisionit parlamentar ad hoc për dekriminalizimin, ndonëse ky term nuk përmendet, raporti thekson se “veprimtaria e tyre mbetet e ndikuar nga polarizimi politik”.

Në dokument theksohet se “disa përparime janë bërë në funksionim e parlamentit, në vecanti në përmirësimin e transparencës së ligjbërjes”. Ndërsa lidhur me rolin e tij në procesin e integrimit, raporti thekson ngritjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Megjithatë sipas tij “kapacitetet e parlamentit për të monitoruar zbatimin dhe përputhshmërine e ligjeve të reja me ato të BE-së mbetet të kufizuara. Koordinimi me degët e ekzekutivit duhet forcuar. Mekanizmat e tjerë të kontorllit, si sesionet me pyetje përgjigje, mbeten të pashfrytëzuar”.

Sa i përket qeverisjes, Raporti vëren se “qeveria mbajti në fokus trajtimin e përparësive kyce për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, duke ndjekur një seri reformash të nevojshme për avancimin në rrugën e integrimit europian. Disa përparime janë bërë në nivelin e qeverisjes vendore me nisjen e zbatimit të reformës administrative-territoriale dhe miratimin e strategjisë së decentralizimit. Megjithatë përpjekje thelbësore nevojiten për të qartësuar funksionet dhe përgjegjësitë e njësive të reja të qeverisjes vendore dhe për të rritur kapacitetet e tyre financiare dhe administrative”.

Komisioni europian vë theksin në nevojën e resektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e cila “është shprehur në 12 raste që lidheshin me funksionimin e institucioneve shtetërore. Zbatimi i shpejtë i vendimeve të Gjykatës është thelbësor, dhe në rastet kur kërkohet përshtatja e legjislacionit apo ndryshimi i praktikave të punës, qeveria dhe parlamenti duhet të garantojnë vënien e tyre në jetë”.

Me rëndësi konsiderohet veprimtaria e institucioneve të pavarura. “Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të garantuar profesionalizimin dhe depolitizimin e institucioneve të pavarura. Shqipëria duhet të marrë në konsideratë mundësinë për të përfshire dispozita të harmonizuara lidhur me emërimin dhe shkarkimin e drejtuesve të institucioneve të pavaruara, një proces seleksionimi të bazuar në meritë dhe transparent si për drejtuesit ashtu dhe pjestarët e bordeve drejtuesve, autonomi financiare dhe autonomi në ngritjen e strukturave të tyre të brendshme”.

Në Raport përmendet dhe shqetësimi për kërkesat në rritje për azil “qartazi të pabaza, të paraqitura nga qytetarët në shtete anëtare BE-së dhe të Shengenit”, duke kërkuar nga qeveria trajtimin e këtij fenomeni.

Në mënyrë të detajuar Raporti bën një analizë të përmbushjes nga ana e Shqipërisë së pesë përparësive kyce.

 

Reforma e administratës publike

Raporti vlerëson se “përgatitja e Shqipërisë është e moderuar. Përparim i mirë është bërë në fushat që përfshihen në kuadër reformës së administratës publike si përparësi kyce, vecanërisht me miratimin e një strategjie përfshirëse dhe Kodit të ri të procedurave administrative”. Megjithatë, sipas dokumentit, përpjekje të tjera janë të nevojshme në fushat që dalin jashtë kësaj përparësie kyce, vecanërisht në përmirësimin e politikave të zhvillimit dhe koordinimit dhe në kapacitetet e gjykatave administrative

Komisioni europian thekson se “në mënyrë që të përmbush përparasinë kyce të reformës në administratën publike, përgjatë viti të ardhshëm, Shqipëria duhet në vecanti:

-Të vazhdojë të dëshmojë që rekrutimi dhe shkarkimi i nëpunësve civil të jetë i bazuar në meritë dhe transparent, në mënyrë që të arrihet objektivi i një administrate publike profesionale dhe të depolitizuar

- Të ketë informacione të sakta mbi vendet e disponueshme në shërbimin publik përmes sistemit informativ të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe ta lidhë atë me sistemin e thesarit

- të përgatitet për zbatimin e Kodit të ri të procedurave administrative  dhe të ecë paralelisht me rivlerësimin dhe përputhshmërinë e legjislacionit që lidhet me të”

 

Sistemi gjyqësor

Kjo është dhe fusha ku notat kritike janë shumë të forta. “Niveli i përgatitjes së sistemit gjyqësor shqiptar është në një fazë fillestare”, vlerëson raporti, ndërsa shton se “disa përparime janë bërë  vitin e shkuar, vecanërisht me ngritjen e Komisionit parlamentar ad Hoc për Reformën në Drejtësi, për realizimin e një procesi reforme të gjerë dhe përfshirës”.

Në analizën e këtij sistemi, Raporti vëren se “administrata gjyqësore është e avashtë dhe vendimet gjyqësore nuk zbatohen gjithmonë. Trajnimi profesional i gjyqtarëve është i papërshtatshëm dhe pavarësia e tyre nuk është plotësisht e siguruar. Përgjegjshmëria e gjyqtarëve dhe prokurorëve është e pamjaftueshme dhe korrupsioni në sistemin gjyqësor është gjerësisht i përhapur. Bashkëpunimi ndërinstitucional, është i varfër dhe burimet janë të pamjaftueshme”.

Sa i përket pavarësisë së gjyqësorit, Raporti thekson se ajo “është e sanksionuar në Kushtetutë. Megjithatë, në praktikë është e kompromentuar nga mënyra tejet politike e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, dhe hapësira e madhe e diskrecionit që gëzon Këshillli i Lartë i Drejtësisë në emërimin, promovimin dhe transferimin e gjyqtarëve. Në parim gjyqtarët dhe prokurorët vendosin në mënyrë të pavarur për proceset e vecanta. Në praktikë, pavarësia e tyre është e kufizuar dhe ka njoftime të rregullta për drejtësi selektive dhe ndërhyrje politike në procese gjyqësore”.

Raporti vijon më tej duke nëvizuar se “kuadri ligjor për procedimet disiplinore ka paqartësi dhe disa procedime mund të përdoren për të ndikuar në mënyrë të papërshtatshme gjyqtarët. Ministri i Drejtësisë ka kompetencën ekskluzive për nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve, gjë e cila është në kundërshtim me standartet e BE-së. Gjykatësit dhe prokurorët janë të detyruar të deklarojnë pasuritë e tyre cdo vit. Megjithatë, pavarësisht rasteve të shumta të mosrespektimit të këtij detyrimi, deri tani, asnjë vendim përfundimtar për ndëshkime nuk është marrë. Gjyqësori, përgjithësisht, përceptohet se është tejet i korruptuar”.

Komisioni europian përcakton dhe detyrat që duhen realizuar brenda vitit të ardhshëm, ndonëse disa prej tyre janë tejkaluar këto dy muajt e fundit, për shkak se Raporti e shtrin analizën e tij deri në mesin e shtatorit të kaluar.

Sipas Komisionit europian, në mënyrë që të përmbushë përparësinë kyce që lidhet me reformën e sistemit gjyqësor, vitin e ardhshëm Shqipëria duhet vecanërisht që

-të miratojë strategjinë e reformës në gjyqësor, shoqëruar me planin e veprimit, dhe të ecë, përmes një procesi konsultimesh përfshirëse, me hartimin e drafteve dhe miratimin e masave të nevojshme institucionale, legjislative dhe proceduriale, bazuar në standartet europiane dhe praktikat e mira

-të plotësojë vendet vakante në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe në gjykatat administrative

-të shtrijë sistemin e unifikuar të menaxhimit elektronik të proceseve dhe të sigurojë që ai të jetë efektiv, përfshirë dhe buxhetin e nevojshëm të mirëmbajtjes

-të publikojë të gjitha vendimet e gjykatave me arsyetimin respektiv brenda një afati kohor të arsyeshëm

 

Lufta kundër korrupsionit

Korrupsioni mbetet një fenomen shqetësues për Shqipërinë, edhe për shkak të mungesës ende të rasteve domethënës të ndëshkimit. Sipas Raportit “një farë përparimi është realizuar vitin e shkuar, vecanërisht përmes miratimit të një strategjie dhe plani veprimi. Megjithatë korrupsioni është i përhapur dhe më shumë përpjekje nevojiten për të patur gjurmë solide në hetimin, ndjekjen dhe dënimet në të gjitha nivelet, vecanërisht për rastet ku janë të përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë. Pavarësia e institucioneve të përfshira në luftën kundër korrupsionit duhet të përforcohet, duke qenë se mbeten vulnerabël ndaj trysnisë politike dhe ndikimeve të tjera të papërshtatshme”

Dokumenti i Komisionit europian vëren se “një numër rastesh të profilit të lartë, përfshirë disa, ku faktet për dyshime për veprime të paligjshme nga ana e zyrtarëve të lartë, gjykatësve, kryebashkiakëve dhe ish ministrave, ishin publikuar nga mediat, nuk u hetuan asnjëherë seriozisht”.

Raporti shpreh shqetësimin se falë korrupsionit “infiltrimi në sektorin publik dhe privat i krimit të organizuar, vazhdon të mbetet një cështje shqetësimi madhor dhe duhet të trajtohet me urgjencë. Ndikimi politik ndaj autoriteteve ligjzbatuese dhe gjyqësorit – nënvizohet më tej – është një cështje që përbën shqetësim. Aktorët politikë shpesh kritikojnë rastet e korrupsionit që janë ende në hetim apo dhe vendimet e gjykatave”.

Sipas Komisionit europian, në mënyrë që të përmbushë përparësinë kyce lidhur me luftën kundër korrupsionit, vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet që në vecanti

- të dëshmojë përparim të mëtejshëm në krijimin e gjurmëve solide provash në hetimin ndjekjen dhe dënimet në të gjitha nivelet; të sigurojë ndjekjen e ecurisë së rasteve të shumta të denoncuara në prokurori nga ILDKP-ja

- të ndryshojë legjislacionin lidhur me përgjimet dhe survejimin, afatet për hetimet dhe pranimin e provave nga gjykata, që të përmirësojë efikasitetin e hetimeve në rastet e korrupsionit, në linjë me standartet europeiane dhe praktikat e mira.

- të intensifikojë përpjekje për të garantuar aksesin direkt në bankat e të dhënave për prokurorët dhe policinë.

 

Lufta kundër krimit të organizuar

Raporti vlerëson se “një farë përparimi është bërë vitin e kaluar në përforcimin e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, në vecanti në luftën kundër trafikut të drogës. Megjithatë bashkëpunimi mes prorkurorisë dhe policisë mbetet për t’u cuar përpara më tej. Ndjekja efektive gjyqësore e ecurisë së rasteve të krimit të organizuar dhe cilësia e akuzave duhet të garantohet. Numri dënimeve përfundimtare mbetet i papërfillshëm krahasuar me vlerën e cmuar të tregut kriminal të drogës në nivel lokal dhe rajonal. Hetimet financiare mbeten të pashfrytëzuara dhe niveli i aseteve të konfiskuara është i ulët”.

Sipas Komisionit europian “në mënyrë që të përmbushë përparësinë kyce lidhur me luftën kundër korrupsionit, vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet që në vecanti

- të dëshmojë përparim të mëtejshëm në krijimin e gjurmëve solide të provave në hetime proaktive, ndjekjen dhe dënimet, përfshirë shpartallimin e rrjeteve kriminale  të të gjitha formave të krimit të organizuar

- të ndryshojë legjislacionin lidhur me përgjimet dhe survejimin, afatet për hetimet dhe pranimin e provave nga gjykata, për të forcuar efikasitetin e hetimeve në rastet e krimit të organizuar, në linjë me standartet europeiane dhe praktikat e mira.

- të ngrejë një politike efikase të burimeve njerëzore dhe një proces për promovimin dhe transferimin e policëve bazuar në meritë, si dhe të alokojë burimet e përshtatshme për policinë dhe prokurorinë në luftën kundër krimit të organizuar

 

Të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e minoriteteve

Raporti për këtë përparësi kyce vëren se “kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është përgjithësisht në linjë me standartet europiane. Megjithatë zbatimi është i kufizuar dhe respektimi i të drejtave të njeriut mbetet i pamjaftueshëm”.

Raporti nënvizon dhe mangësitë në këtë fushë:

– mbetet për tu garantuar respektimi i të drejtës së pronës. Procesi i regjistrimit, kthimit dhe kompensimit të pronave nuk është përfunduar

– Romët dhe egjiptianët kanë kushte jetese shumë të vështira, përjashtim të shpeshtë social dhe diskriminim për shkak të zbatimit të paefektshëm të politikave dhe një bashkëpunimi ndërinstitucional të varfër

-mekanizmat institucional për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve janë të pakët. Sisitemi i drejtësisë për të miturit nuk respekton standartet ndërkombëtare

Sipas Komisionit europian, në mënyrë që të përmbushë përparësinë kyce që lidhet me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, vitin e ardhshëm Shqipëria duhet që në vecanti:

- të bëjë përparim në zbatimin e strategjisë 2012-2020 për të drejtën e pronës, procesin e regjistrimit të pronave, kthimit dhe kompensimit të tyre,

- të përmirësojë kushtet e jetesës për romët dhe egjiptianët, të dëshmojë përparim lidhur me rezultatet konkrete në fushën e antidiskriminimit

- të shtojë përpjekjet për ta sjellë drejtësinë për të miturit në linjë me standartet europiane (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>