Në Barometrin Global të Korrupsionit, një raport i hartuar nga Transparency International dhe që mat eksperiencat e qytetarëve me korrupsionin në 42 vende të Europës dhe Azisë Qendrore, tregon se në Shqipëri, qytetarët vlerësojnë se deputetët e tyre janë shumë të korruptuar.
“Qytetarët nga Ukraina, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina dhe Rumania në shumicë mendojnë se anëtarët e tyre të parlamentit janë shumë të korruptuar. Në këto vende më shumë se gjysma e qytetarëve thonë se përfaqësuesit e tyre janë shumë të korruptuara”, nënvizon Raporti.
Shqipëria renditet e treta për nivelin më të lartë të perceptimit se deputetët janë të korruptuar, me 55 përqind. Ajo lë pas vetëm Moldavinë, ku ky nivel është 76 përqind dhe Ukrainën, 64 përqind
Po ashtu Shqipëria ka një renditje jo pozitive edhe lidhur me eksperiencat që qytetarët kanë patur me ryshfetin. “Në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë, ryshfeti është mëse i zakonshëm. Nga vendet në proçes anëtarësimi në BE, Kosova ka një shkallë veçanërisht të ulët të ryshfetit prej vetëm 10 për qind, e cila edhe ka vend për përmirësim tregon se ajo ka kontrolluar korrupsionin në sektorin publik shumë më të mirë se vendet e tjera në këtë fushë. Sipas raportit, përhapja e ryshfetit në Shqipëri është në masën 34 përqind ose një në tre persona ka dëshmuar se ka bërë pagesa nën dorë për të marrë një shërbim public. Mes vendeve të rajonit Shqipëria ka nivelin më të lartë, e ndjekur nga Bosnja me 27 përqind. Edhe në nivel europian Shqipëria lë pas vetëm Moldavinë ku përhapja e ryshfetit vlerësohet në masën 42 përqind.
Lidhur me vlerësimin e korrupsionit si problemi më i madh i shoqërisë, apo përpjekjeve të qeverisë për ta luftuar, perceptimi në Shqipëri është në nivel mesatar. (voa)