Ambasadori amerikan në Tiranë e konsideron të domosdoshme reformën në drejtësi, si e vetmja mënyrë, e cila sipas tij do të bëjë të mundur pastrimin e sistemit nga ‘kanceri’ i korrupsionit.
Gjatë diskutimit në një tryezë që u mbajt sot mbi të drejtat e grave dhe reformën në drejtësi, ambasadori Donald Lu u shpreh se përmbushja e kësaj reforme do t’u rikthejë shqiptarëve besimin te drejtësia.
“Kjo reformë në drejtësi i jep Shqipërisë një mundësi, atë të pastrimit të drejtësisë nga kanceri i korrupsionit dhe për t’u rikthyer shqiptarëve besimin se ata mund të marrin drejtësi”, tha Lu.
Diplomati amerikan tha se drejtësia blihet si mall nga politikanët dhe të pasurit, ndërsa viktima bëhen të varfrit. Ai shtoi se shpesh viktima janë vetë gratë, të cilat nuk marrin drejtësinë e merituar, sepsa “gjyqtarit të korruptuar i duhet para për të financuar vilën”.
“Fakti pse më intereson kaq shumë reforma në drejtësi dhe sidomos për të drejtat e grave i referohet një rasti në Shqipëri. Bëhet fjalë për një grua të dhunuar nga burri, e cila pas vuajtjeve iu drejtua gjykatës për t’u larguar nga i shoqi e për të mbrojtur fëmijët. Por në gjykatë u përball me më shumë vuajtje. Gjykata vendosi që burrit, një kriminel që dhunonte gruan, t’i linte pasurinë dhe kujdestarinë e fëmijëve. Kjo ndodhi vetëm për shkak të korrupsionit. Në një sistem të korruptuar, viktimat janë gratë, politikanët dhe të pasurit që e blejnë drejtësinë. Dhe të varfrit janë viktima”, tha Lu gjat fjalës së tij në tryezën me temë “Reforma në drejtësi dhe të drejtat e grave”.
/ Shekulli Online /