Kreu i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, thotë se Byroja e Hetimit nuk është pjesë e raportit të Komisionit të Venecias. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Xhafaj tha se e Komisioni i Venecias ka mbështetur urgjencën për reformën në drejtësi.
“Byroja e Hetimit nuk është pjesë e raportit të Venecias. Opinioni merret me Njësinë Antikorrupsion, me nevojën për të qenë llogaridhënës. Askush nuk ka pretenduar që Byroja të jetë jashtë kontrollit të prokurorisë”, u shpreh Xhafaj.
Ai theksoi se Komisioni i Venecias nuk e ka rrëzuar draftin e paraqitur për reformën në drejtësi.
“Venecia nuk e rrëzoi draftin. Kush e thotë këtë, dëmton reformën në drejtësi. 2/3 apo 3/5 për zgjedhjen e anëtarëve do ta vendosë diskutimi mes palëve”, tha Xhafaj.
Ai shtoi se maxhoranca është e gatshme “të pranojë çdo zgjidhje me opozitën”. Xhafaj tha se reforma në drejtësi duhet bërë përmes zgjidhjeve radikale siç është ngritja e strukturave antikorrupsion apo edhe përmes zgjidhjeve si vlerësimi për gjyqtarët e prokurorët.
“Procesi duhet të jetë i shpejtë, konstruktiv dhe konsensual. Opozita të kuptojë se institucionet nuk ndahen si parcela e sipas orekseve”, tha Xhafaj.
Ndërsa në lidhje me mandatin e kryeprokurorit Llalla, Xhafaj theksoi se “grupi i ekspertëve nuk ka thënë qartë ndërprerjen e mandatit”.
/ Shekulli /