Kryeministri Edi Rama tha sot se regjistrimi do t’i japë mundësi për të votuar çdo shtetasi që jeton jashtë vendit.
Këtë deklaratë kreu i qeverisë e bëri gjatë tryezës së diskutimit për “Projektligjin për regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë”.
“Me këtë projektligj ne i hapim rrugë pas 25 vjetësh, si një vend që bashkëjeton me emigracionin, mundësisë së çdo shqiptari, jo vetëm brenda por edhe jashtë, për ta trajtuar atdheun në radhë të parë si hapësirën ku secili ka të drejtën kushtetuese për të vendosur me votën e tij”, u shpreh Rama.
“Nga ana tjetër – vijoi – ky është një proces, fatkeqësisht historik, edhe për faktin se jemi i vetmi vend i Evropës dhe besoj nga të paktët vende të botës, pa sistem adresash, me një sistem ku tjetërkund je, tjetërkund banon dhe tjetërkund shfaqesh”.
Sipas tij, detyra më parësore e një shteti është ta dijë ku i ka njerëzit e vet dhe t’u japë shërbimet e merituara. “Kudo në botën normale, e cila rëndom propagandohet gabimisht se ne i përkasim, ata që emigrojnë në kërkim të një ëndrre për të realizuar një shpresë, janë një pasuri që asnjë shtet dhe asnjë shoqëri nuk ka luksin t’i lërë jashtë inventarëve”, theksoi kryeministri.
Shqipëria, theksoi Rama, për shkak të mungesës së një shteti serioz, ka 25 vjet që këtë pasuri të paçmuar e ka lënë jashtë inventarëve dhe shqiptarët jashtë atdheut i ka trajtuar si shtetas të huaj. “Na duhet t’i bëjmë gjërat me themel dhe kjo kërkon kohë. Po bëjmë një proces që brenda dy vjetësh vendi ynë të bëhet një shtet që ka të regjistruar çdo individ, që ka çdo adresë për çdo frymë të gjallë, brenda dhe jashtë vendit. Dhe kjo sigurisht është ekonomi, veç të tjerave, sepse bën kapërcim epokal me një kohë tjetër, ku detyrimet që shteti merr janë të barabarta dhe ku barra ndahet mes të gjithëve”, nënvizoi drejtuesi i ekzekutivit.
(12:27) Tahiri: Regjistrimi i emigrantëve, kontrata jonë patriotike
Ministria e Brendshme ka prezantuar sot projektligjin “Për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë”. Në aktivitetin prezantues ishte i pranishëm ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe kryeministri Edi Rama.
Ministri Tahiri u shpreh se me këtë ligj, shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit u jepet mundësia të marrin shërbime nga shteti i tyre. Tahiri e cilësoi këtë një kontratë të re patriotike të shtetit me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë.
“Po e nisim nga themeli: regjistrimi i njerëzve aty ku banojnë. Në qoftë se je emigrant që do të shërbehesh nga shteti yt, regjistro adresën ku banon, sepse shteti ka detyrimin të të shërbejë.
Kjo është kontrata e re patriotike që kemi ne me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë. Ne kemi detyrimin që nëpërmjet regjistrimit t’u shërbejmë shqiptarëve kudo ku ata banojnë. Kjo sipërmarrje ndryshon menjëherë marrëdhënien tonë me emigrantët”, tha ai.
/Shekulli Online/