Sot është dita e dytë e regjistrimeve në universitete, por sipas të dhënave nga fakultetet numri i maturantëve të vendosur është i vogël. Një prej tyre është 19-vjecarja që ka zgjedhur degën Administrim Biznes.
“Ishte preferenca ime e parë”, thotë ajo.
Por, ka edhe të rinj që kanë frikë të presin për t’iu ardhur radha në degët më të preferuara.
“Juridiku ishte preferenca e fundit, e gjashta, e para ishte mjekësia por s’mund të digjesha”, thotë një maturant.
Sipas dekanit të fakultetit të Ekonomisë, verifikohet një panik që e priste. Çfarë i bën maturantët të ngurojnë?
“Është afati i ngushtë dhe fakti që i thotë po nuk u regjistrove për 48 orë digjesh. Kjo nuk është normale. Teknikaliteti s’mund të prevalojë në raport me interesat me faktin që maturantët kanë një jetë që e presin këtë ditë dhe ti t’i thuash 48 orë po se ke marrë vendimin të hiqet e drejta jote”, thotë Dhori Kule, dekan i fakultetit të Ekonomisë.
Sipas dekanit të Ekonomisë udhëzimi i MAS cenon rëndë autoritetin e universiteteve përpara ligjit.
“Të gjitha situatat që i digjet e drejta për tu regjistruar, në raundin e dytë nëse do evidentojmë studentë të mirë që nuk janë regjistruar ne do ndërhyjmë në përputhje me ligjin. Të dashur maturantë ne kemi të drejtën vendimmarrëse të shtojmë kuotat. vendimet i marrim ne, nuk do ti lëmë pa i marrë studentët e mirë vetëm mos ikni”, thotë Kule.
Kule ka një tjetër mesazh për studentët e rinj. “Të jenë të qetë, të mos marrin vendime të nxituara, në fakultetin e ekonomisë i kanë mundësitë të gjithë ata që janë pas. të gjithë ata që mund të jenë në nr rendor 2000, 2200 të jenë të sigurt që janë fitues”, thotë ai.
/ Top Channel