Juglindja e vendit i është rikthyer të ftohtit dhe temperaturave të ulëta. Mëngjesin e së dielës reshje të dendura bore janë regjistruar në zonat malore duke kaluar trashësinë deri në 20 cm në zonat më të larta, ndërsa rrethi i Devollit ka qenë gjatë gjithë ditës nën reshje intensive bore.
Sipas të dhënave në gjithë Qarkun e Korçës bora është regjistruar vetëm në zonën e Devollit dhe në fshatin turistik të Dardhës, duke u shoqëruar edhe me disa probleme në akset rrugore, ndërsa temperaturat kanë rënë ndjeshëm.
Trashësia maksimale e borës ka arritur në pikën turistike të Dardhës, ku janë regjistruar 20 cm borë ndërsa më pak reshje ka pasur në Devoll, ku trashësia ka arritur 10 cm.
Pavarësisht fenomenit të zakonshëm për stinën, situata në aksin Korçë-Kapshticë ka qenë e rënduar dhe në disa zona ishte e pamundur qarkullimi i automjeteve të papajisura me zinxhirë.
Masa janë marrë edhe nga njësia e qarkullimit rrugor, e cila ka ngritur postblloqe në disa prej pikave më problematike për të shmangur bllokimin e aksit dhe aksidentet. Sipas të dhënave situata në akset dhe rrugët e tjera të qarkut raportohet normale.
/ Top Channel