Në Shqipëri, një tjetër anëtare e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, rrezikon shkarkimin nga detyra, në kuadër të procesit të riverësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në seancën e sotme dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në ndryshim nga përfundimet e Inspektoriatit të Deklarimit të pasurive, tha se kishte bërë verifikime më të thelluara na bazë të cilave ka mospërputheje në deklarimet e pasurisë nga ana e gjyqtares dhe se ajo nuk justifikon burimin e të ardhurave. Po ashtu pikëpyetje janë hedhur dhe ndaj lëvizjeve të saj jashtë vendit.
Në listën e pasurive të gjyqtares Xhoxhaj, që sipas Komisionit paraqesin problematikë, figuron një apartament në Tiranë, një sipërfaqe trualli në zonën bregdetare të Gjirit të Lalzit dhe një apartament i ngritur mbi këtë truall si dhe dy llogari bankare.
Gjyqtarja Xhoxhaj dhe avokatja e saj hodhën poshtë pretendimet e Komisionit duke deklaruar madje se nuk di të interpetojë ligjin dhe se llogaritë janë bërë apriori.
Vendimi pritet të merret të mërkurën e ardhshme. Nëse gjyqtarja Xhoxhaj do të shkarkohet atëherë praktikisht Gjykata Kushtetuese del jashtë funksionit duke qenë se mbetet me vetëm 4 nga 9 anëtarë që e përbëjnë atë. Pak javë më parë u shkarkua dhe një tjetër gjykatës i saj. (voa)