Moti i keq dhe me reshje të dendura shiu ka shkaktuar probleme në disa zona të vendit. Situata vijon të monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, e cila po koordinon veprimet me të gjitha Institucionet dhe strukturat operacionale në terren. Forcat e FNSH-së në gjithë vendin janë në terren në ndihmë të banorëve.
Situata deri në orën 12:00
Qarku Tiranë. Në Babrru, janë evakuar 25 familje pasi banesat e tyre rrezikoheshin nga përmbytjet e lumit. Në njësinë administrative Paskuqan është çarë tubacioni i ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Tiranës dhe po punohet për riparimin e tij.
Aktualisht në qytetin e Tiranës është rritur niveli i Lumit të Lanës.
Në rrugën “Mentor Xhemali”, si pasojë e reshjeve të shiut, ka prezencë uji në disa banesa. Në vendngjarje janë forcat zjarrfikëse dhe të policisë.
Tek “Ura e Beshirit” ka prezencë uji në aksin rrugor kombëtar Tiranë – Durrës. Po punohet nga forcat zjarrfikëse të Tiranës dhe Policia Rrugore.
Në rrugën “Siri Kodra”, pranë ish-Frigoriferit, ka prezencë uji në rrugë, çka ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Po ndërhyhet nga forcat zjarrfikëse dhe tek nënstacioni elektrik.
Në rrugën ‘’Don Bosko’’ ka prezencë uji, që ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Tek Bregu i Lumit, tek ish-Nishtulla nr. 3 janë evakuuar 3 familje që rrezikoheshin nga përmbytja.
Qarku Lezhë. Në fshatin Pllane, njësia administrative Zejmen, Bashkia Lezhë, si pasojë e fryrjes së përroit të Malbardhës rrezikohen disa banesa. Në vendngjarje janë administratori i njësisë administrative dhe forcat zjarrfikëse të Lezhës.
Për t’u ardhur në ndihmë banorëve kanë shkuar forcat e FNSH-së dhe policisë lokale.
Në fshatin Fushë-Kuqe, njësia administrative Fushë-Kuqe, Bashkia Laç, si pasojë e reshjeve rrezikohen disa banesa. Në vendngjarje janë administratori i njësisë administrative dhe forcat zjarrfikëse të Laçit.
Qarku Durrës. Në Fushë – Krujë dhe fshatin Derven i Poshtëm ka pasur prezencë uji si rezultat i fryrjes së lumit që rrezikon disa banesa. Në vendngjarje janë administratori i njësisë administrative dhe forcat zjarrfikëse të Krujës.
Qarku Dibër. Në fshatin Gjoricë e Poshtme të Bashkisë Bulqizë rrezikohet argjinatura e lumit Drin. Forca të Ministrisë së Mbrojtjes janë të gatishmëri për të evakuuar rreth 200 banorë, nëse do të jetë e nevojshme.
Gjithashtu, në Fushë-Bulqizë rrezikohen disa banesa nga përmbytjet.
Moti i keq, ARRSH: Ja gjendja e rrugëve në të gjithë vendin
Pas reshjeve të dendura të natës së kaluar dhe paradites së sotme, Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton për situatën e rrugëve të vendit, sipas tre rajoneve të vendit.
Kështu, në akset kombëtare paraqitet si më poshtë:
Në Rajonin Verior Shkodër: Në akset e këtij rajoni ka pasur rënie gurësh e materialesh, si pasojë e reshjeve. Në të gjithë akset janë në gatishmëri mjete dhe punëtore që po bëjnë pastrimin e tyre. Nuk ka probleme për qarkullimin deri tani.
Në Rajonin Qendror Tiranë: Si pasojë e reshjeve ka pasur një dëmtim të rrugës tek Ura e Peshkatarit – Bërzhitë, deri në gjysmën e korsisë. Janë marrë masat me vendosjen e sinjalistikës përkatëse.
Edhe në aksin Qafë Priskë – Shëngjergj ka një dëmtim të mbrojtëses prej betoni të rrugës, që ka sjellë dëmtim të saj. Është ngritur grupi i punës për verifikimin në vend të situatës. Rekomandohet të bëhet kujdes në qarkullimin në akset që kanë probleme dhe të respektohet sinjalistika e vendosur.
Në Rajonin Jugor Gjirokastër: Në akset e këtij rajoni nuk ka probleme deri tani. Në gatishmëri janë mjete e punëtore sidomos në zonat e njohura të rrëshqitjeve, siç janë Shkalla e Zezë, Rapi i Kuqarit etj. Janë marrë masa që në këto zona të instalohen mjete dhe njerëz në gatishmëri. Në akset e Korçës nuk ka probleme për qarkullimin. Kontraktorët janë në gatishmëri. (shekulli)