Në 11 qershor të këtij viti në Fshat Kurbensh të Bashkisë Rrëshen gjatë një stuhie, një rrufe ka vrarë 225 kokë dhen dhe dhi, kecër dhe qengja, pronë të familjes Buraku.
Për fat të mirë i zoti shtëpisë, nuk ka pësuar dëmtime shëndetësore. Ngjarjen na i tregon zonja Prenda Buraku zonja e shtëpisë dhe i biri i saj Klinton Buraku.
Dëmi i shkaktuar shkon në 25 milion lekë të vjetër. Nga kjo ngjarje shpëtoi vetëm një qengj dhe një dhi. Gjatë kësaj shtrëngate shpëtuan edhe qentë e kopesë që nuk i qëlloi rrufeja, pasi u larguan. E gjithë bagëtia ka qenë rreth një pemë ahu të lart kur qëlloi vetëtima dhe nga goditja, ato janë shpërndarë në ajër në dhjetëra metra largësi.
Në vendngjarje ditën tjetër erdhën veterinerët e bashkisë dhe më pas u bë groposja e bagëtisë. Pas kërkesës që bën për ndihmë në Ministrinë e Bujqësisë familjes Buraku iu kthye kjo përgjigje “Në rastin e dëmtimit të tufës së pronares Prena Buraku nga shkaqe natyrore jo infektive, ligji nr. 10465 datë 29/09/2019 , “Për shërbimin veteriner në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, nuk parashikon dëmshpërblimin e kafshëve që dëmtohen nga shkaqe natyrore”.
Të afërm të familjes dhe dashamirës deri tani i kanë dhuruar familjes Buraku 80 kokë bagëti.
Fiks Fare u interesua edhe ne Bashkinë Rrëshen. Përgjegjësi i zyrës së Emergjencave Civile të Bashkisë Rrëshen, z.Preng Bardhaj thotë se rasti i familjes Buraku nuk është i vetmi. Ata kishin dhe dy raste të tjera nga goditjet e rrufeve në bashkinë e tyre, ku te njëra kishte dhe humbje jete njerëzore dhe ligji nuk i lejon për dëmshpërblim.
“Nuk mund ta ndihmojmë, pasi nuk na lejon ligji” përfundon përgjegjësi.
Top Channel