Rusia bllokoi me veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, rezolutën e propozuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja, ku kërkohej dënimi i referendumeve të paligjshme në Ukrainë.
Përmes rezolutës u bëhej thirrje të gjitha shteteve që të mos i njohin ndryshimet territoriale te bëra nga Kremlini dhe që Rusia të tërheqë trupat nga territoret ukrainase.
10 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, votuan pro, ndërsa Kina, Gaboni, India dhe Brazili abstenuan nga votimi.
Vota e Rusisë ishte e vetmja kundër rezolutës.
Albana Dautllari, zv. ambasadore në OKB e Shqipërisë dënoi qëndrimin e Rusisë duke thënë se Rusia edhe njëherë tjetër mori peng Këshillin e Sigurimit.
“Kjo është një tjetër ditë e zezë për Këshillin e Sigurimit, për Kombet e Bashkuara dhe për botën. Edhe një herë, Rusia shpërdoroi një privilegj unik që Karta e OKB-së, pikërisht ajo që Rusia me veprimet e saj po e copëton, ua ka dhënë anëtarëve të përhershëm për të ruajtur paqen dhe sigurinë dhe për të mbështetur ligjin ndërkombëtar dhe për të mos bllokuar Këshillin kur bota ka më shumë nevojë për të”, tha Dautllari.
Ndërsa përfaqësuesi i Rusisë, Vassily Nebenzia u justifikua duke thënë se janë të detyruar të vendosin veton, megjithëse bota njëzëri po dënon presidentin Putin dhe Rusinë.
“Ju po na shtyni vetë që ta përdorim të drejtën e vetos. Ky është një provokim i ulët. Referendumi në Ukrainë flet vetë, rezultatet tregojnë dëshirën e qytetarëve për t’ju bashkuar Rusisë. Nuk ka kthim pas, pavarësisht rezolutës së sotme”, tha Nebenzia.
Mbroni sovranitetin, mbroni integritetin territorial, promovoni paqen dhe sigurinë. Kombet e Bashkuara u ndërtuan mbi një ide që kurrë më nuk do të lejohej që një vend të merrte me forcë territorin e një tjetri”, tha ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield.
Pas mbledhjes, në faqen zyrtare në Twitter të Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara shkruhej se Këshilli i Sigurimit u zu sërish peng nga vetoja e Rusisë ndaj rezolutës së propozuar.
“Këshilli i Sigurimit u zu sërish peng nga vetoja e Rusisë ndaj rezolutës së propozuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja që dënonte referendumet e paligjshme. Projekt-rezoluta do të dërgohet në Asamblenë e Përgjithshme, për të mbrojtur Kartën e OKB-së, ligjin ndërkombëtar, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, shkruhet në postim.
Top Channel