Më shumë se një dekadë nga fillimi i punimeve të ndërtimit, Rruga e Arbrit ka një pamje të shkretë. “Rruga është shumë e amortizuar, me zor kalojnë makinat dhe kamionët”, thotë një banor.
Rruga, që lidh Tiranën me Dibrën, ka një gjatësi prej 75 kilometra, por deri tani janë ndërtuar plotësisht vetëm 17 km, nga Bulqiza në Urën e Cerenecit.
“U bë gati 10 vjet që ka filluar dhe s’është bërë asgjë”, thotë një banor tjetër.
Në vitin 2014, qeveria hyri në negociata me një kompani kineze. Por, edhe pse u njoftua me bujë nga vetë kryeministri Rama, oferta e kinezëve u rrëzua për shkak të kostos së lartë.
“Ka 2-3 vjet që s’ka vendosur njeri dorë”, denoncojnë më tej banorët.
Burime zyrtare nga Ministria e Transporteve thonë se në ministri ka mbërritur një tjetër ofertë nga kinezës e cila është duke u shqyrtuar, por tashmë edhe vetë qeveria nuk duket më shumë entuziaste për këtë variant.
Dy ditë më parë, Edi Rama iu rikthye sërish premtimit të bërë në vitin 2013, por të parealizuar. Këtë herë, me tone shfajësuese deklaroi se ai nuk do të largohet nga zyra pa përfunduar Rrugën e Arbrit.
Ajo që nuk tha është se për cilin vit e kishte fjalën, 2017 apo 2021. Deri atëherë, Rruga e Arbrit ka thyer tre qeveri, përfshirë atë të Ramës.
/ Top Channel