Eduard Selami përballet të shtunën me Lulzim Bashën për kreun e Partisë Demokratike, por ka shumë nga ata që mendojnë që edhe sot, Eduard Selami përballet me atë që e kishte përballë në vitin 1995, me Sali Berishën.
Në Top Story-n e kësaj te enjte me Sokol Ballën, Alfred Lelën dhe Arjan Vasjarin ishte i ftuar edhe vetë Eduard Selami. Kandidati për postin e kreut të PD-së pranoi se është në një garë të pabarabartë me Lulzim Bashën, por sërish shprehu bindjen në fitoren e tij.
“Më pëlqen që nënvlerësohem, por do të kemi një surprizë të kendshme. Nëse nuk do të ishin këto pabarazi, nuk do të kishim vend për surprizë dhe unë do të isha kryetari i parashikuar i Partisë Demokratike”, deklaroi ai.
Selami dha edhe arsyet se përse mendon se do ta fitojë këtë garë.
“Për dy arsye kryesore; zoti Basha vjen pas dy humbjeve radhazi, ku thuajse ka përgjysmuar elektoratin e Partisë Demokratike dhe për platformën time të ringritjes. Unë shoh që demokratët besojnë sërish dhe janë gati të rikthehen si parti e shpresës dhe e besimit për shqiptarët dhe ky është modeli im”, shtoi ai.
/ Top Channel