Shkodër, opozita përplaset me policinë, digjet KZAZ-ja në shkollë

KZAZ AlbaniaMbështetës të opozitës, së bashku me punonjës të Bashkisë së Shkodrës dhe ish deputetë të PD-së, u mblodhën të martën mbrëma në oborrin e Shkollës se Mesme “Shejnaze Juka” të Shkodrës dhe, pas disa minuta konfrontimi me forcat e policisë, i vunë flakën njërës prej klasave të katit të parë të shkollës, ku ishte vendosur Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas dëshmitarëve dhe pamjeve nga vendi i ngjarjes.

E gjithë baza materiale e sjellë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përgatitjen e ditës së votimit u dogj.

Ish deputeti i PD, Bardh Spahija, i cili ishte mes protestuesve, tha se “Ishte vetëm fillimi i revoltës popullore, ndaj atyre që po u imponojnë shqiptarëve votime pa zgjedhje. Ishte një reagim i shpejtë i qytetarëve shkodranë. Kjo nuk është dhunë. Dhunë ishte tentativa e policisë së shtetit për të uzurpuar institucionet dhe duke iu imponuar qytetarëve të Shkodrës”.

Ndërsa Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila drejton edhe shoqatën e kryetarëve të bashkive të djathta, tha në mbrëmje se “Janë djegur vetëm kartonat e vendvotimeve. Materialet zgjedhore janë në mënyrë të paligjshme në mjediset e shkollës që administrohen nga Bashkia e Shkodrës. Bashkia ka kërkuar zyrtarisht prej tre ditësh që godinat ku janë vendosur KZAZ-të dhe janë në pronësi të saj, të lirohen”.

Ish deputetja e Shkodrës Jozefina Topalli u distancua nga kjo ngjarje.

“Djegia e shkollës nuk është historia e Shkodrës. E kundërta është historia e këtij qyteti. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në tri dekada. Një demokrat nuk djeg as mandate as shkolla. Një demokrat i vërtetë nuk hedh as molotov, as ka frikë nga zgjedhjet. Demokratët nuk kanë pasur frikë në ‘97 kur gjysma e territorit kontrollohej nga bandat. Nuk largohet Rama duke refuzuar parimet e vlerat e demokracisë. Partia Demokratike lindi si ëndërr e lirisë dhe e të drejtës me votu”, shkruan mes të tjerash zonja Topalli në facebook.

Ministri i Brendshëm Sander Lleshaj tha se kjo është një “përpjekje e turpshme e përfaqësuesve të PD-së për të djegur një shkollë në Shkodër”. Ministri ftoi qytetarët e Shkodrës që të distancohen nga ky “turp i pamasë dhe të izolojnë bijtë e dhunës”.

“Asnjë drejtues bashkie, – shtoi ai, – nuk mund të mbajë me dhunë dhe me zjarr mandatin që tashmë po mbaron. Nuk ka asnjë mundësi që dhunuesit t’i shpëtojnë ligjit. Pushteti mund të mbahet vetëm me votën e qytetarëve”.

Incidenti në KZAZ e Bashkisë së Shkodrës u parapri nga një tjetër ngjarje në Bashkinë e Tropojës, ku një grup mbështetësish të opozitës bashkë me zyrtarë vendorë dhe deputetetin e zonës u futën me forcë në mjediset ku është vendosur Komisioni Zonal i Admistrimit të Zgjedhjeve Vendore të 30 qershorit, siç tregojnë videot e filmuara në vendin e ngjarjes.

Megjithë ndërhyrjen e forcave vendore të policisë, mbështetësit e opozitës, me thirrje kundër Kryeministrit Rama, hodhën në rrugë bazën materiale të votimit, të dërguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Incidentet në Tropojë dhe në Shkodër pasojnë kërkesën e kryetarëve të disa bashkive të djathta për lirimin e mjediseve të KZAZ-ve dhe qendrave të votimit. Përmes kësaj kërkese, bashkitë e djathta dhe mbështetesit e opozitës po synojnë pengimin e përgatitjeve për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, ndërkohe që të majtët vazhdojnë të vendosur fushatën elektorale.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një deklarate për mediat u shpreh pas incidentit të Tropojës se kërkesa e disa kryetarëve të bashkive për lirimin e menjëhershëm të ambienteve ku janë vendosur Vendet e Numërimit të Votave dhe ndërprerjen e veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve në mjediset në administrim dhe pronësi nga këto bashki, është në tejkalim të kompetencave dhe detyrave të njohura nga Ligji “Për vetëqeverisjen vendore”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha se po vazhdon punën për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe paralajmëroi se çdo cenim i këtij procesi përbën vepër penale të ndëshkueshme.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>