Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili” ka thelluar konfliktin institucional në vend. Presidenca dhe Kryeministria janë përplasur sërish.
Në mungesë të kryeministrit Rama, i cili ndodhet për një vizitë në Kosovë, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ka kërkuar që qeveria të përfaqësohet me zëvendëskryeministrin Niko Peleshi. Por, përgjigja e Presidencës ka qenë refuzimi.
Burime nga Presidenca thanë për Top Channel se kryeministri duhet t’i ishte drejtuar vetë presidentit me një kërkesë për t’i treguar arsyet e mospjesëmarrjes. Dhe nëse presidenti do ta pranonte, kryeministri mund të autorizonte dikë tjetër për ta zëvendësuar. Për rastin konkret, presidenti nuk sheh asnjë arsye objektive për të përligjur mungesën e kryeministrit dhe për të pranuar zëvendësin e tij, pohuan burime nga Presidenca.
Këto zhvillime një ditë përpara mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kanë venë në lëvizje ambasadorin amerikan Donald Lu. Ai është takuar fillimisht me shefen e kabinetit të kryeministrit, por detajet mungojnë plotësisht.
Burime jozyrtare, tregojnë se në qendër është konflikti për Këshillin e Sigurisë Kombëtare, i kërkuar nga kryeparlamentari Ilir Meta, sipas të cilit mosarrestimi i Klement Balili ishte i vetmi shqetësim konkret që iu ngrit në Departamentin e Shtetit.
Por ambasadori amerikan nuk ka mundur të takojë palën tjetër në konflikt, presidentin e Republikës. Burime jozyrtare konfirmuan për Top Channel se ambasadori Lu i kërkoi të enjten një takim presidentit Nishani, por takimi nuk u zhvillua.
Stafi i presidentit nuk pranoi të komentojë përse presidenti nuk e priti ambasadorin amerikan, por zëdhënësja e kreut të shtetit tha se ky nuk ishte refuzim.
Të enjten në mesditë, presidenti u takua me kryeprokurorin Adriatik Llalla, aktualisht në konflikt të hapur me ambasadorin amerikan dhe me informacion të thelluar për çështjen “Balili”.
/ Top Channel