Në Shqipëri prokuroria ka nisur hetimet për shkelje të rregullave të sigurimit teknik, pas shpërthimit të ndodhur mbrëmë në Uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh, pjesë e kompanisë Armo. Një punonjës humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën, ndër të cilët, dy janë ende në gjendje të rëndë. Inspektoriati Shtetëror Teknik u shpreh paraprakisht se shpërthimi ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave teknike. Ndërkohë që shoqëria e cila administron aktualisht uzinën, foli për një gabim njerëzor.
Uzina e përpunimit të Naftës në Ballsh u rivu në punë pak kohë më parë pas një periudhe të gjatë ndërprerjeje për shkak të shpalljes së falimentimit të kompanisë Armo e cila ka në zotërim dhe një tjetër rafineri në Fier. Qeveria e cilësoi si të rëndësishme rihapjen e uzinës me të cilën kanë lidhur jetën qindra punonjës.
Por mbrëmë, për shkak të shpërthimit të fuqishëm në njërin prej reparteve, 42 vjeçari Shkëlqim Muçaj humbi jetën, ndërsa të paktën dhe 5 të tjerë u plagosën. Katër prej tyre u transportuan në Tiranë, në Spitalin e Djegieve, dhe dy vlerësohet të jenë ende në gjendje të rëndë. Shpërthimi ka ndodhur për mosfunksionim të një valvole të hidrogjenit. Disa punëtorë janë shprehur se kishin sinjalizuar që më parë problemin.
Inspektoriati Teknik shtetëror, përmes një njoftimi bëri të ditur se “shkaku i shpërthimit dhe i shfaqjes të kësaj vatre të madhe zjarri ishte mos funksionimi i valvolës të sigurimit të pajisjes dhe mosrespektimi i rregulloreve të shfrytëzimit duke përdorur linjat direkte”.
Nga ana e saj shoqëria “Ionian Refining and Trading Company” , e cila vetëm prej pak kohësh po administron Uzinën, dha një version tjetër. Sipas saj “incidenti është shkatuar nga ndërprerja e paparalajmëruar e energjisë, mosfunksionimi i linjës rezervë dhe një gabimi njerëzor gjatë rivënies në punë të impiantit”.
Prokuroria ka hapur menjëherë hetimet për shkelje të rregullave të sigurimit teknik.
Edhe kjo ngjarje nuk ka kaluar pa përplasje mes opozitës dhe qeverisë. Duke dalë nga spitali ku vizitoi të lënduarit kryetari demokrat Lulzim Basha tha se ata prej kohësh kanë ngritur dyshime “për mënyrën jo transparente të këtij privatizimi klientelist të ARMOS-së. Kemi dyshime të mëdha për përfitimet e jashtëzakonshme dhe ku shkojnë këto përfitime, sepse qartësisht nuk kanë shkuar për të përmirësuar sigurinë në një uzinë që kishte 6 muaj pa u ndezuar. Kemi dyshimet tona për shfrytëzimin e krahut të punës së naftëtarëve.
Nga po i njëjti vend, u kundërpërgjigj zëvendëskryeministri Niko Peleshi: “Dua të shpreh një lloj indinjate për të gjithë ata politikanët që nxitojnë t’i kapin këto ngjarje të rënda, të bezdisin familjet apo personelin e shërbimit duke nxituar të mbledhin ndonjë grusht kapitali politik”.
Armo, u privatizua në vitin 2008, në një proces që nuk kaloi pa polemika e që rezultoi i dështuar. Kompania ka ndërruar disa pronarë ndërsa rezulton të jetë e zhytur në borxhe. Dyshime u hodhën edhe mbi shoqërinë “Ionian Refining and Trading Company” e cila po e administron aktualisht. Por autoritetet kanë deklaruar se ajo është përzgjedhur falë një marrëveshjeje me bankat që po menaxhojnë asetet e Armos (voa)