Rënia demografike në Shqipëri vijon që prej 3 dekadash, pas rrëzimit të regjimit komunist. Komponenti kryesor është emigracioni dhe lindshmëria që ka rënë me 65 % që prej vitit 1990. Ndërsa popullsisë së Shqipërisë, për shkak të emigracionit, sot i mungojnë rreth 1 milion e 112 mijë banorë, ose afro 38.8% e popullsisë aktuale.
Zyrtarët nuk e shohin me shqetësim emigracionin, ndërsa thonë se po tentojnë të krijojnë një zonë ekonomike në rajon për lëvizjen e mallrave të kapitaleve dhe njerëzve. Nga ana tjetër ekspertët kanë kritika për mungesën e tregjeve të punës për të rinjtë dhe largimin e të kualifikuarve nga vendi.
Në Shqipëri ka një debat të vazhdueshëm mbi zhvillimet demografike të tre dekadave të fundit. Sipas Instat, popullsia (rezidente) e Shqipërisë është mbi 2 milion e 850 mijë banorë.
Në një raport të OKB-së, publikuar pak kohë më parë, thuhej se sipas parashikimit më pesimist, në vitin 2100 Shqipëria do të ketë 18 % të popullsisë aktuale dhe në parashikimin optimist 66%. Zyrtarët shpjegojnë se parashikimi i OKB-sëka kufizime në saktësi.
“Duhet të kemi një gjë të qartë, që edhe hartuesit e këtij raporti, në hyrje të publikimit shpjegojnë kufizimet që ka ky publikim, i cili bëhet që prej vitit 1960. Në përgjithësi shifrat në nivel global rezultojnë të drejta, për nga pikpamja e projeksionit, kur bëhet fjalë për popullsi që kanë një numër të vogël, siç është rasti për vendin tonë, kanë limitacione të saktësisë”- thotë Milva Ekonomi, Kryetare e Komisionit parlamentar të ekonomisë.
Parashikimet nga Instat për popullsinë shkojnë deri në vitin 2061 dhe skenari i mesëm parashikon që në Shqipëri do të ketë 73% të popullsisë aktuale. Ekspertë të demografisë thonë se nuk ka vend për shqetësime në parashikimet afatgjata.
“Projeksionet bëhen duke patur parasysh nivelin e lindshmërisë në të kaluarën, nivelin e vdekshmërisë në të kaluarën dhe atë të emigracionit. Këto projeksione janë bazuar mbi faktin se kanë mbajtur të njëjtat nivele të këtyre tre fenomeneve. Dhe prandaj këto parashikime dalin me ca shifra të frikshme, jo reale për periudhat afatgjata”- thotë Arjan Gjonçaj, profesor i demografisë në “London School of Economics” në Angli.
Në vitet 70-80 Shqipëria kishte rritjen më të lartë të popullsisë në Europë, me 2% në vit, aktualisht rritja është negative me -0.35%. Popullsia e Shqipërisë është tkurrur me 15% që prej vitit 1989, kur kishte afro 3 milion e 300 mijë banorë. Komponentët që ndikojnë në rritjen ose rënien e popullsisë janë lindjet, vdekjet, imigracioni, dhe emigracioni. Në rastin e Shqipërisë emigracioni është faktori kryesor i tkurrjes.
Në 29 vite për shkak të emigracionit në Shqipëri mungojnë afro 1 milion e 112 mijë banorë ose 38.8 % e popullsisë aktuale . Demografët thonë se Shqipëria zë vendin e parë në Evropë për emigrimin masiv. Drejtori i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale Ilir Gëdeshi, thotë se në një studim u vu re tendenca e largimit të të rinjve dhe personave të kualifikuar.
“Nga studimi ynë rezultoi se dëshirojnë të emigrojnë më shumë nga Shqipëria të punësuarit, personat me arsim të lartë dhe kualifikim të lartë. Ndërsa në 2007 dëshrionin të emigronin të papunët, më të varfrit, të pakualifikuarit dhe të paarsimuarit”.
Zyrtarët i kanë analizuar këto shqetësime në lidhje me largimin e personave të kualifikuar nga vendi dhe kanë këtë qasje mbi situatën.
“Natyrisht që do t’i mungojnë Shqipërisë shqiptarët që kanë mëndje të ndritur, por nga ana tjetër edhe do t’i vijnë njerëz të këtij lloji. Sepse çfarë po kërkojmë ne të realizojmë? Po kërkojmë të bëjmë atë që quhet zona ekonomike rajonale, ku përveç integrimit në BE, edhe vendet e Ballkanit perëndimor të kenë një mundësi të lëvizjes së kapitalit të profesioneve të shërbimeve dhe të mallrave”- u shpreh Milva Ekonomi, Kryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë.
Sipas monitorimit të Qendrës për Studime Ekonomikë dhe Sociale vihet re se emigrimi potencial i të rinjve është i lartë.
“Emigrimi potencial tek studentët që studiojnë në univeristetet publike dhe private në Shqipëri është mjaft i lartë, rreth 79%. Ndërsa po të shohim studentët shqiptarë që aktualisht studiojnë jashtë, 94% e tyre nuk dëshirojnë të kthehen në vend”- thotë zoti Ilir Gëdeshi.
Disa studentë i thanë Zërit të Amerikës se shtysa e tyre drejt Perëndimit është mungesa e tregut të punës kryesisht për degët e reja por dhe korrupsioni në vend.
“Përderisa po jetojmë në një vend ku ka shumë korrupsion, nuk mendoj se e ardhmja për ne studentët është shumë e madhe këtu”, thotë studentja Zeraldina Aliu.
“Dega ku studioj unë, në inxhinierinë ekonomike, është e re, dhe nuk besoj se mund të ketë shumë mundësi pune, pasi të mbaroj studimet”,shprehet Mario Spano, student në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Ekspertët mendojnë se emigrimi do vazhdojë përsa kohë zhvillimi ekonomik dhe social i vendit do të jetë i paqëndrueshëm dhe se këtë e tregojnë dhe shifrat e azilkërkuesveshqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian, rreth 178 mijë në harkun kohor 2010 – 2018 sipas Eurostat.
Kryeministri Edi Rama nuk e sheh me shqetësim rënien demografike dhe emigrimin e shqiptarëve.
“Patjetër që ikja e njerëzve ka problemet e veta, po kush thotë se levizja lidhet me qeverinë nuk kupton asgjë ose është i poshtër. Shqiptarët kanë ikur dhe do ikin, kanë ardhur dhe do vijnë, çfarë duam bunkerin e Enver Hoxhës? Sipas Eurostat në 4 vitet e fundit janë kthyer 155 mijë shqiptarë”.
Një prej shqetësimeve kryesore të ekspertëve lidhet me lindjet të cilat kanë rënë me 65% që prej vitit 1990 kur kishte 82 mijë lindje në vit. Numri i fëmijëve për një grua në moshë riprodhuese është 1.37 dhe që prej 19 vitesh është nën nivelin 2.1 që është kufiri i nevojshëm për të ruajtur popullsinë.
Masat e qeverisë për stimulimin e lindjeve përmes bonusit të bebeve, konsiderohen nga ekspertët të pamjaftueshme.
“Politikat për rritjen e popullsisë duhet të fokusohen kryesisht tek përmirësimi i emancipimit të femrës në Shqipëri, tek përmirësimi i kushteve të punës, i politkave që kanë të bëjnë me barazinë në vendin e punës por dhe në familje”,thotë Arjan Gjonçaj, profesor i demografisë në “London School of Economics” në Angli.
Rënia e lindshmërisë është një shqetësim për të gjitha vendet në BE dhe rajonit të Ballkanit, pasi është nën nivelin 2.1 të ripërtëritjes. Shqipëria ndodhet nën mesataren prej 1.55% të Bashkimit Evropian.
Dukuria tjetër shqetësuese lidhet me shtesën natyrore të popullsisë ose ndryshe raporti mes lindjeve dhe vdekjeve që ka rënë me 89% krahasuar më vitin 1990 kur popullsia rritej me 64 mijë persona në vit. Por edhe pse Shqipëria ka shtesë natyrore pozitive të popullsisë, kjo shtesë nuk dominon mbi emigracionin, ndaj dhe rritja e popullsisë është negative.
Problemi i rënies demografike është një fenomen që ka prekur edhe vendet e Evropës Qendrore dhe Ballkanit. Mjaft udhëheqës të këtyre vendeve janë alamuar dhe kanë shtuar përpjekjet për shtimin e lindjeve dhe nxitjen e politikave të punësimit. Në Shqipëri gjatë këtij viti do të realizohet censusi i tretë, që pas rënies së komunizmit. Dkspertët e shohin si një mundësi për studimin e çështjeve demografike dhe hartimin e politikave të nevojshme në këtë drejtim.
voa