Në Shqipëri, shkon në 6 numri i rasteve të të prekurve nga koronavirusi. Dy të parat u rregjistruan mesnatën e së dielës, dhe i përkisnin një 28 vjeçari të kthyer nga Firence i cili më pas kishte infketuar dhe të atin.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi mbrëmjen e së hënës se nga analizat laboratorike kanë rezultuar pozitiv ndaj Covid 19, katër persona të tjerë, nga të cilët 3 janë pjesë e rrethit familjarë të dy rasteve të para. Rezultatet i përkasin 14 analizave të kryera, pjesa dërrmuese nga një listë prej 24 personash, pjesë e kontakteve të afërta me dy rastet e para. “Aktualisht të gjithë personat e tyre të kontaktit po mbahen në vetëkarantinim të detyruar dhe po ndiqen nga ekipet e epidemiologëve për gjendjen e tyre shëndetësore”, shpjegoi ministria. Të tre rastet e reja do të trajtohen në vetizolim.
Rasti i katërt i rregjistruar mbrëmjen e së hënës, nuk ka lidhje me të tjerët. Ai është “një 31 vjeçar me banim në Tiranë, që ka patur histori udhëtimi me Milanon 6 ditë më parë dhe është kthyer pas një qëndrimi të shkurtër 1 ditor në vendin fqinj”, bëri të ditur ministria. 31 vjeçari po trajtohet së bashku me dy rastet e para në spitalin Infektiv të Qendrës spitalore Nënë Tereza në Tiranë, i cili është boshatisur nga të sëmurët e tjerë dhe po shërben tanimë si vend karantine për të prekurit nga koronavirusi.
Ministria e Shëndetësisë përsëriti mbrëmë thirrjen drejtuar qytetarëve që “të ndjekin me kujdes rekomandimet zyrtare dhe të kujdesen posaçërisht për masat e higjienës personale. Për çdo rast të shfaqjes së shenjave të infeksionit respirator, si temperaturë, kollë, vështirësi në frymëmarrje, sidomos për personat që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura apo kanë pasur kontakt me ta, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social u lutet qytetarëve të lidhen me Urgjencën Kombëtare në nr. 127”.
voa