Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese vendosi sot të pranojë pjesërisht kërkesën e një grupi studentësh të Fakultetit të Mjekësisë për të shfuqizuar disa nene në ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve të kësaj fushe, si të papajtueshme me Kushtetutën.
Gjykata vlerësoi se nenet e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave kushtetuese për arsim dhe punësim.
Gjykata vendosi të shfuqizojë afatet dy / tre dhe 5-vjeçare të parashikuara në ligj për të punësuar brenda vendit studentët e mjekësisë para se t’u dorëzohej diploma e tyre, një përpjekje kjo për të frenuar emigrimin e jashtë vendit të punonjësve të rinj të mjekësisë.
Gjykata vlerësoi se afati 5-vjeçar i kufizimit me ligj është më i ashpër se sa nevoja për të arritur qëllimin legjitim. Gjykata theksoi se në përvojën e vendeve të tjera ky afat nuk e tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve. Madje u vendos që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të kufizimeve.
Në njoftimin e sotëm Gjykata interepretoi se ky kufizim është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin kushtetues të shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, por “gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim”.
Gjykata Kushtetuese pezulloi në mesin e nëntorit të kaluar zbatimin e ligjit për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë, i cili kushtëzon punësimin e tyre disa vite brenda vendit, para se të marrin diplomën e studimeve.
Ligji u prit me protesta të gjata prej studentëve dhe me bojkotim të vitit akademik për disa javë para dhe pas miratimit të tij nga shumica socialiste në korrik.
Ligji parashikon dy vjet punësim të detyruar brenda Shqipërisë për studentët e vitit të peshtë dhe gjashtë, 3 vite punësim brenda vendit për studentët e vitit të dytë deri vitin e katërt, si dhe 5 vite punësim në Shqipëri pas diplomimit për studentët e vitit të parë.
Ky ligji i detyron studentët të nënshkruajnë për këto kushte një marrëveshje në fillim të vitit akademik, ose në të kundërt, ata duhet të paguajnë tarifat e parashikuara nga universiteti për ndjekjen e studimeve.
Për qeverinë kjo është një përpjekje për të frenuar largimin e mjekëve të rinj nga Shqipëria, por për studentët kjo masë e re është shkelje e të drejtave njerëzore dhe kushtetuese, ndaj kërkuan një gjykim nga Gjykata Kushtetuese.
voa