Në Shqipëri, mbetet ende e komplikuar zgjidhja për miratimin e reformës zgjedhore. Ndërsa shumica deklaron se do i përmbahet marrëveshjes së arritur me Partinë demokratike dhe LSI-në, ajo nuk i ka votat për miratimin e saj. E gjendur nën trysninë e deputetëve të opozitës parlamentare, ashtu siç deklaroi dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama, edhe sot në parlament kryetari i grupit socialist Taulant Balla, ripërsëriti se shumica është e gatshme të diskutojë për hapjen e listave, një prej kërkesave të deputetëe të opozitës. Këta të fundit bënë sot një “provë force” duke u larguar nga salla, si shenjë e dëshmisë se janë të vendosur në qëndrimin e tyre. Nga ana e saj, Partia Demokratike deklaroi sot se nuk është kundër rishikimit të sistemit por se nuk është ky momenti për ta bërë këtë, duke paralajmëruar se nuk do pranojë asnjë veprim të njëanshëm
“Ne do të çojmë përpara edhe marrëveshjen me opozitën jashtëparlamentare e duam të çojmë përpara dhe një marrëveshje me ju, në kuadër të atyre çfarë ju keni propozuar, ku ajo që është më e rëndësishme, t’i japim mundësi çdo qytetari që përvec logos dhe liderit të partisë të votojë dhe një preferencë unike për një prej deputetëve që ai preferon të jetë në parlamentin e ardhshëm të Shqipërisë”, deklaroi në fjalën e tij zoti Balla, duke ju drejtuar deputetëve të opozitës. Ai shtoi se “politika është art i konsensusit. Ju duhet të jepni konsensusin tuaj sa i përket kodit dhe ne padyshim jemi të gatshëm t’ju japim konsensusin për ndryshimet kushtetuese. Një marrëveshje tre palëshe ku ne jemi në mes dhe nga njëra anë kemi bijtë dhe nga ana tjetër baballarët e partive respektive që ju kanë sjellë këtu, e të arrijmë të organizojmë zgjedhje të përgjithshme që të jenë të denja e padyshim me garancinë që duhet të japin ata që janë jashtë parlamentit që zgjedhjet t’i njohin”.
Por për kreun e grupit demokrat në parlament, Myslim Murrizi, “socialistët kanë sikletin që duan ta kenë mirë me të gjitha palët”. Deputetët e opozitës nuk e njohin marrëveshjen e arritur nga shumica me PD-në dhe LSI-në. “Një marrëveshje e ndërtuar mes një deputeti të shumicës dhe dy qytetarëve të zakonshëm, nuk mund të detyrojë deputetët e opozitës. Ne kemi kërkuar lista të hapura kombëtare dhe votim 100 përqind pa asnjë ndryshim të rekomandimeve të OSBE-së. Kemi kërkuar që të ketë prag zgjedhor që askush të hipë në kurriz të kurrëkujt. Kemi kërkuar që votat, për herë të parë pas 30 vitesh, të numërohen jo nga militantë politikë”, u shpreh zoti Murrizi.
Sipas tij shumica nuk do mund të arrijë të sigurojë 84 vota, duke marrë nga deputetët e opozitës. “Nëse ju si shumicë keni hapur ankand, nëse ju jepni fjalën atyre që janë jashtë sallës, apo dhe individëve të tjerë që takoni brenda apo jashtë sallës, se do të bëni 84 vota, harrojeni. Qytetarët shqiptarë ju kanë dhënë 74 mandate. Me trasta në dorë, me presione jashtë gardhit, me joshje që kjo sallë i ka provuar, ju nuk do i bëni dot ato vota për të votuar një dakortësi, një pazar të pistë që nuk është është as më shumë e as më pak, vetëm lënia në fuqi e këtij kodi zgjedhor e kësaj Kushtetue paçavure e prillit të 2008-ës”.
Si dëshmi të qëndrimit të tyre, zoti Murrizi ftoi deputetët e opozitës të lënë sallën. “Ne do bëjmë një provë që sot. Të ftoj zoti Balla, ngreje ofertën dhe merri 84 deputetë nga këtej. Siç ftoj kolegët e mi opozitarë të dalim nga kjo seancë dhe Balla të vazhdojë merkaton”, deklaroi ai, ndërsa kolegët e tij të djathtë e shoqëruan duke braktisur seancën.
Nga ana e saj, Partia Demokratike bëri të ditur se çështja e listave të hapura nuk mund të diskutohet në këto momente, duke parlajmëruar se çdo veprim i njëanshëm do të ishte me pasoja. “Palët në Këshillin Politik kanë firmosur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore më 5 Qershor, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e SHBA dhe BE. Partia Demokratike nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, por kjo kërkon një reformim të plotë të sistemit kushtetues për të cilën PD ka një propozim konkret. Megjithatë, kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e kriminalizimit të parlamentit dhe të qeverisjes, në kushtet e blerjes së votës nga pushteti dhe mosndëshkimit të këtij krimi nga drejtësia”, thekson PD në një deklaratë të saj, duka saktësuar se “reforma kushtetuese, ku përfshihet edhe çdo ndryshim i mundshëm i sistemit zgjedhor nuk mund të jetë një pazar i fundit të korrikut. Ky proces duhet të jetë transparent dhe vendimmarrja duhet t’u përkasë qytetarëve, përmes referendumit popullor. OSBE/ODIHR ka konfirmuar se ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin një vit para zgjedhjeve”.
Sipas Partisë Demokratike “hapja në këtë moment, e diskutimit për sistemin zgjedhor është vetëm alibi e Edi Ramës për të vonuar kodifikimin në parlament të dakortësisë së 5 Qershorit, që është një kërkesë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe 1 nga 15 kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE. Çdo veprim i njëanshëm në këtë drejtim do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit, me pasoja për vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”, paralajmëroi Partia Demokratike.
voa