Partitë politike nisin sot zyrtarisht në Shqipëri fushatën zgjedhore për parlamentin e ri.
Garuesit kryesorë, socialistët dhe demokratët e opozitës, po zhvillojnë tubimet hapëse në dy sheshet më të mëdha të kryeqytetit, duke zbatuar rregullat e pandemisë.
Socialistët po kërkojnë mandatin e tretë qeverisës, duke thënë se kanë punuar mirë dhe kanë plane të reja për zhvillim.
Ndërsa demokratët vijnë pas 8 vitesh në opozitë dhe dy vite bojkotim të parlamentit, duke synuar të largojnë me zgjedhje nga pushteti, sipas tyre, një qeveri të korruptuar thellësisht, që ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe shoqërinë.
Fushata zyrtarisht nis sot, por në fakt partitë politike e kanë hapur atë disa muaj më parë, qyshkur presidenti i Republikës dekretoi 25 prillin si ditën e zgjedhjeve.
Presidenti Meta shpalli sot me një dritare enkas në faqen elektronike të institucionit nismën “Denonco krimin zgjedhor”, dhe një thirrje publike qytetarëve, që shohin shkelje të së drejtës së votimit apo që dëmton procesin zgjedhor.
Zoti Meta tha se rreziku i shitblerjes së votave është një kërcënim i pranishëm, ndërsa krimet zgjedhore shtrëmbërojnë vullnetin e zgjedhësve, dëmtojnë demokracinë dhe instalojnë autokratët.
Ai tha se me këtë nismë do të ndihmonte që procesi zgjedhor të ishte i qetë dhe me standarte europiane dhe u kërkoi qytetarëve të denoncojnë pa frikë, me dokumente, me zë dhe me video, shkeljet dhe manipulimet që shohin gjatë zgjedhjev, për të mbrojtur pluralizmin dhe demokracinë shqiptare.
Partitë politike ato kanë kulmuar këto muaj një oratori të zjarrtë publike me akuza të skajshme për kundërshtarët politikë.
Tensionet e krijuara disa ditë më parë dhe përplasje fizike mes militantëve të dy palëve e kanë rritur vëmendjen dhe shqetësimin e diplomatëve perëndimorë ndaj procesit zgjedhor të 25 prillit.
Shefi i Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca, dhe përfaqësuesit e 27 misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Shqipëri, publikuan një deklaratë të përbashkët, ku theksuan se partitë politike dhe kandidatët duhet t’i përqendrojnë debatet e tyre tek programet politike dhe reformat që synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve.
“Dialogu konstruktiv dhe gjithëpërfshirës është i rëndësishëm, siç u pa me konsensusin e gjerë ndërpartiak që çoi në marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik mbi reformën zgjedhore” – tha ambasadori Soreca.
Po ajo frymë duhet të nxitë një fushatë elektorale paqësore, pa retorikë provokuese apo gjuhë urrejtjeje, të bazuar në respekt të ndërsjellë, dialog dhe vetëpërmbajtje, shtoi ai.
Zoti Soreca nxiti qytetarët të marrin pjesë në votime, duke respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19.
“Zgjedhjet transparente, gjithëpërfshirëse, të lira dhe të ndershme, si dhe respektimi i rezultatit të tyre, janë të rëndësishme për të siguruar legjitimitetin e parlamentit dhe qeverisë së re”, – tha zoti Soreca.
Ai shtoi se vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë po ndjekin nga afër përgatitjen e zgjedhjeve, misioni i ODIHR-it, Delegacioni i BE-së dhe ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit, duke siguruar për mbështetjen e Shqipërinë në rrugën e pranimit të saj në BE.
Përfaqësuesit e SHBA-ve po ashtu janë shumë të vëmendshëm për zgjedhjet në Shqipëri. Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri nxiti marrëveshjen e 5 qershorit mes partive kryesore politike dhe prej asaj kohe edhe sot po këmbëngul që partitë politike të mos përfshijnë në listat e kandidatëve për deputetë persona me rekorde kriminale.
Fushata zgjedhore po kushtëzohet dukshëm nga rregullat mbrojtëse të pandemisë Covid-19.
Gara e tubimeve të mëdha, se cila forcë politike mbledh më shumë përkrahës në sheshe është zhvendosur nëpër ekranë internet.
Vetëm në fund, nga numërimi i votave, mbetet të mësohet se kush e gëzon vërtet besimin e qytetarëve për të qeverisur 4 vitet e ardhshme një ekonomi post-Covid të dëmtuar ndjeshëm, por edhe me ambicjet për t’u ngritur në standartet e kërkuara nga Bashkimi Europian.
voa