Dy anëtarëve të parlamentit dhe një kryetari bashkie iu është ndërprerë mandati nga Komisoni Qendror i Zgjedhjeve. Shkak e kaluara kriminale, pasi rezultonin të dënuar jashtë Shqipërisë.
Një vit më parë parlameti shqiptar miratoi ligjin e dekriminalizimit, i përshkruar nga faktori ndërkombëtar si “ligji më i ashpër në Europë kundër depërtimit të kriminelëve në politikë”. Në thelb ligji pengon kandidimin në zgjedhjet vendore apo të përgjithshme, si dhe emërimin në funksione të larta të personave me të kaluar paligjshmërie, do të thotë të dënuar nga gjykatat brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Mazhoranca dhe opozita, pavarësisht pozicioneve partizane dhe me akuza të ndërsjella, arritën nën presionin e fortë të diplomatëve perëdimorë të akredituar në Tiranë, të bashkonin votat në sallën e parlamentit duke e miratuar ligjin, që paraprakisht ishte konsultuar dhe nga ekspertë të BE-së dhe SHBA-ve.
Por një vit pas këtij akti të vullnetit të mirë të deputetëve të majtë dhe të djathtë, konkretizimi i procesit të dekriminalizimit u shdërrua në retorikë politike, duke humbur shumë kohë dhe energji me “gjetjen e fajit tek kundërshtari” për mbipopullimin e institucioneve në rang kombëtar dhe lokal me të zgjedhur apo emëruar me të kaluar të errët, deri dhe pjesmarrje në organizata kriminale për trafiqe të qënieve njerëzore, lëndëve narkotike etj. Shpërndarja e një formulari për pastërtinë penale të zyrtarëve të lartë u kthye në një proces gati qesharak, ku rezultonin shumë persona të prezantoheshin me disa emra në të kaluarën, sidomos gjatë periudhave të emigracionit pas viteve ’90. Dyshimeve se ndërrimi i identitetit ishte për fshehje nga organet e drejtësisë, mjaft nga këta zyrtarë i justifikonin me rrethana familjariteti apo gustoje.
Një seksion i posaçëm i Prokurorisë së Republikës filloi verifikimet më të thelluara për rastet e raportuara si aktivitete kriminale. Dhe pas një viti erdhi rezultati i parë: dy deputetë të parlamentit, Shkëlqim Selami i LSI-së dhe Dashamir Tahiri i PDIU-së, si dhe kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, do të duhet të lenë mandatet e tyre, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, në Tiranë ka marrë në konsideratë një kërkesë nga Prokuroria se të tre personat preken nga ligji i dekriminalizimit.
Vendimi i së enjtes (29.12.2016) i KQZ-së është përshëndetur nga të gjtha palët politike. Ambasada e SHBA-së në Tiranë menjëherë publikoi në faqen e saj online një deklaratë mbështetëse duke e vlerësuar si “një fitore për popullin shqiptar dhe një paralajmërim për kriminelët që po mendojnë a të jenë kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar që plotësojnë deklarata false duhet të ndëshkohen më gjithë forcën e ligjit. Personat me dosje penale nuk mund të kenë vend në përfaqësimin e shqiptarëve”, thuhej mes të tjerave në qëndrimin zyrtar të amabsadës së SHBA-së në Tiranë.
Dy deputetët, Selami dhe Tahiri thanë se do ta apelojnë vendimin e KQZ-së, ndërkohë që një qëndrim të tillë ka shprehur dhe avokati mbrojtës i kryebashkiakut Roshi. Kryeministri Edi Rama vetëm pak kohë pas verdiktit të KQZ-së firmosi shkarkimin nga detyra të Elvis Roshit, siç arsyetohej “për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit”, një vendim qeveritar që ka efekt të menjëhershëm.
Fillimi i një procesi të pashmangshëm
Analisti i medias Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë e përshkruan si historik vendimin e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si një rast historik. Është akti i parë i këtij lloji në historinë e munguar të politikës postkomuniste, thotë ai për Deutsche Welle-n.
“Nuk ka një arsye politike, por thjesht për shkak të kriterit dekriminalizues të përfaqësimit politik në nivelet e larta. Unë mendoj se ky është thjesht një fillim i një procesi që pashmangshmërisht do t’i japë fund stanjacionit të ndyrë shqiptar. Kjo është nisje në zbatimin e një reforme, vonesa e së cilës e ka futur në depresion të rëndë shoqërine shqiptare. Në një kontekst tjetër, kjo është fillesë reale e shembjes së një Parlamenti, i cili duhet të themi se shembjen morale e ka mbartur qysh në fillim të mandatit të tij”.
Për Aleksandër Çipën kjo reformë nuk ka të bëjë me vullnetin e anëtarëve të Parlamentit, por me një meritë të madhe të dy faktorëve strategjikë të vendit, SHBA-ve dhe BE-së.
“Ky parlament dhe partitokracia e vjetër e vendit i konsumuan të gjitha mjetet penguese e vonuese të kësaj reforme. Unë kam besuar se faktori ndërkombëtar do t’ia dilte ta vinte në lëvizje zbatuese reformën dekriminalizuese të politikës shqiptare”.
Zbatimi i dekriminalizimit afron më shumë të rinj në institucione
Ilir Aliaj, drejtor i Qendrës për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, një organizatë joqeveritare e njohur në Shqipëri, mendon se vendimi i së enjtes i KQZ- së ka qenë pritur prej kohësh.
“Ligji i dekriminalizimit ka një periudhë prej një viti që është miratuar në parlament dhe vetëm tani filloi të funksionojë. Askush nuk e di se pse gjithë kjo kohë e gjatë pritjeje, megjithatë, më mirë vonë së kurrë. E rëndësishme është që ligji filloi të zbatohet. Unë besoj që për botën e krimit nuk do të ketë më vend në institucionet publike ç’ka do të sjellë hapësirë për njerëz të rinj dhe të shkolluar dhe që janë të gatshëm për të shërbyer më mirë për qytetarët” – thotë Aliaj për Deutsche Welle-n..
Dekriminalizimi paralel me Vetting-un
Analisti Aleksandër Çipa i shikon të lidhur me njeri-tjetrin zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe atë të Vetting-ut në sistemin e drejtësisë, sipas tij, të dy aktet do ta nxjerrin shoqërinë dhe shtetin institucional shqiptar nga kthetrat e kapjes së gjatë. Vetting-u, ose procesi i kontrollit mbi figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të shembë përfundimisht absolutizmin e drejtimit dhe zotërimit politik prej liderëve dhe nënshtrimin e shumëkujt me pasje apo me autoritet nga ligji, thotë ai për Deutsche Welle-n.
“Parashikoj pengesa dhe manovra bllokuese nga kasta e vjetër e politikës dhe e gjyqtarëve e prokurorëve, nga avokatët dhe gjithë sistemi që po shembet, por sistemit i është ndryshuar arkitektura dhe koha në favor të kapësve të rinj apo të vjetër, është në disfavor dhe e pamjaftueshme për ta. Ky është një moment që ligji i Vetting-ut mundëson përfshirjen në sistem të gjeneratës së re të juristëve dhe ekspertëve të pamolepsur dhe të ardhur nga jeta e kalifikimi në vendet perëndimore. Faktori ndërkombëtar duhet jo vetëm të monitorojë, por të selektojë dhe implementojë kriteret e pastërtisë, transparencës dhe së pari meritokracisë kualifikuese për pjestarët që do të përfshihen në sistemin e ri të drejtësisë shqiptare”. (dw)