Fokusi i dy qeverive do të jetë fitimi i kohës së humbur. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ishte në Tiranë për vizitën e tij të parë zyrtare jashtë Kosovës.
Bashkëpunim më i ngushtë mes dy vendeve, lëvizje e lirë e qytetarëve në të dyja anët e kufirit, unifikim i tregjeve – janë temat qëndrore të bisedimeve mes dy kryeministrave Rama-Haradinaj, në vizitën që ky i fundit zhvilloi të mërkurën (27.09.2017) në Tiranë, e para jashtë Kosovës që nga marrja e detyrës së kreut të qeverisë së Prishtinës. Zvarritja dhe ngadalësia e deritanishme për të forcuar bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë dhe bërë atë real përmes konkretizimit të nismave, të përmendura shpesh, por të mbetura në planin e ideve, u quajtën nga kryeministri Rama “kohë e humbur”.
“Në mbledhjen e katërt mes dy qeverive, që do të mbahet më 27 Nëntor në Korçë, fokusi do të jetë tek fitimi i kohës së humbur, shembja e murit absurd që hasin qytetarët në kalimin e kufirit të përbashkët, ” tha kryemnistri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Haradinaj. Vizioni i tij pas shembjes së “murit absurd” është citoj “një kufi simetrik në ngjashmëri me kufijtë mes vendeve të BE, ku kontrollet nuk do të hiqen për fare, por do të jenë aq të rralla sa dikujt mund t’i bjerë të mos kontrollohet”.
Porti i Durrësit-doganë e njësuar për të dyja vendet
Dy kryeministrat ranë dakord për të unifikuar tregjet dhe paraprirë kështu krijimit të tregut unik rajonal, një nga nismat më të rëndësishme të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Triestes, të zhvilluar korrikun e kaluar, në kuadër të Procesit të Berlinit. Në këtë proces bën pjesë edhe “bashkimi doganor në portin e Durrësit, i cili nuk është vetëm porti i Shqipërisë por dhe i shqiptarëve të Kosovës, është porti që duhet të kthehet në doganë të njësuar mes dy vendeve”, tha kryeministri Rama. Vendimi për këtë pritet të finalizohet në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive.
Procesi i Berlinit, i inicuar nga kancelarja Angela Merkel, në verën e vitit 2014, për t’i dhënë impulse të reja procesit të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përmes bashkëpunimit rajonal, mbetet një drejtim tjeter i rëndësishëm në platformën e bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryeministrat Rama dhe Haradinaj ranë dakort të koordinojnë përpjekjet për të përfituar nga financimet e projekteve rajonale të këtij procesi, në qëndër të të cilave është krijimi i tregut unik rajonal dhe infrastrukturës rrugore dhe energjitike për të lidhur vendet e rajonit me njëri-tjetrin.
Seli të përbashkëta diplomatike dhe konsullore
Bashkëpunimi më i ngushtë parashikon edhe nisma te tjera. Në konferencën e përbashkët për shtyp dy kryeministrat, Rama dhe Haradinaj, deklaruan se ranë dakort që të “të nisë konkretizimi për të patur seli të përbashkëta diplomatike e konsullore”.
“Kemi folur për një plan të përbashkët veprimi në funksion të ndërtimit të një fondi imobiliar shqiptar në Europë duke nisur nga kryeqendra e diplomacisë për t’u shtrirë më tej. Do të jetë një aset i përbashkët i të dy shteteve, që do t’u japin shqiptarëve një adresë”, tha kryeministri Rama.
Shqipëria pro zgjidhjes përfundimtare të përcaktimit të kufirit Kosovë- Mali i Zi
Kjo ҫështje nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së dy kryemnistrave. Për kryemnistrin Rama “është e domosdohme të gjendet rruga për zgjidhjen përfundimtare të një ngërçi që po krijon jo pak probleme me bashkësinë ndërkombëtare, e cila mbetet garanti kryesor i Kosovës dhe një procesi, ku Kosova duhet të ketë gjithnjë e më shumë miq, e nuk ka arsye të humbasë qoftë dhe një të vetëm”. Rama inkurajoi homologun e tij nga Kosova, që kur ishte në opozitë ka kundërshtuar marrëveshjen për përcaktimin e kufirit/demarkacionit mes Kosovës – Malit të Zi, të ndryshojë qëndrim.
“Ka një proces të natyrshëm fiziologjik, kalimi nga opozita në qeveri dhe kryeministri Haradinaj kërkon dhe pak kohë, besoj, që të ndahet nga pozicioni i opozitarit ndaj këtij problemi”, tha kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp. Por kryeministri Haradinaj tha në konferencën e përbashkët për shtyp se “Kosova po procedon në përputhje me rregullat e saj, në përputhje me obligimet politike që ka. Interesimi ynë është që marrëdhëniet e mira me Malin e Zi t’i forcojmë”. (dw)