Shqipëria do të ketë presidencën e OSBE-së në vitin 2020. Vendimi është marrë sot gjatë Këshillit të ministrave të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, dhe u bë i ditur nga Presidenca italiane e kësaj organizate. Përmes një postimi në Twitter, Presidenca italiane “përgëzon Shqipërinë për arritjen e këtij objektivi të rëndësishëm”.
Kandidatura e Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së u bë e ditur pak muaj më parë nga kryeministri Edi Rama, në përfundim të takimit që ai pati në Tiranë me ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas, ndërsa kërkoi mbështetjen e Berlinit. Sipas kryeministrit Rama diçka e tillë do të ishte “një kontribut edhe në funksion të dinamikave në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe procesit të integrimit të tij europian, si dhe një nxitje jo vetëm për Shqipërinë por dhe vetë rajonin”. Vetë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ndërmori një fushatë lobimi për të siguruar mbështetjen e vendeve anëtare.
Pavarësisht se Shqipëria do të marrë kryesimin në vitin 2020, ajo do të angazhohet që gjatë vitit të ardhshëm duke qenë se bëhet pjesë e Trojkës së OSBE-së e cila përbëhet nga vendi që e lë presidencën, në këtë rast Italia e cila e mbyll në fund të vitit, nga drejtuesi i rradhës, që do të jetë Sllovakia dhe vendi që e merr presidencën. Edhe në postimin e saj në Twitter, kryesia italiane thekson se “presim me padurim të punojmë se bashku me Shqipërinë dhe Sllovakinë në kuadër të Trojkës”.
voa