Nis me tensionimin e marrëdhënieve komunikimi i Tiranës zyrtare me qeverinë e re në Athinë, shkak për të cilin duket se është një problem i mbartur; ai i përcaktimit të kufirit ujor mes dy vendeve.
Ministria jonë e Jashtme i ka dorëzuar dy ditë më parë një note proteste Athinës, për shkak të mungesës së transparencës së fqinjit tonë jugor për hartat e disponuara për kufirin detar dhe kërkimet për naftë, në zonën e diskutueshme midis dy vendeve tona.
Vetëm një ditë më pas, ambasadorit tonë në Athinë, Dashnor Dervishi, i është anuluar pritja nga ministri i Jashtëm grek, takim i fiksuar shumë kohë më parë se dërgimi i notës së protestës dhe kishte qëllimin e kontaktit me autoritetet e reja në Greqi, si dhe diskutimin e aktivitetit të pritshëm të SEECP-se në Tiranë.
Ministria e Jashtme shqiptare u njoftua për anulimin vetëm pak minuta përpara se diplomati ynë në Athinë të mbërrinte në Ministrinë e Jashtme greke dhe arsyeja lidhet me notën e protestës që dikasteri i Ditmir Bushatit i ka dërguar homologut grek, ku i kërkonte ndërprerjen e programit të kërkimit në det dhe të rishohë planin e saj për dhënien me koncension për kërkimin e naftës dhe gazit në detin Jon, pa u zgjidhur me parë çështja e kufirit ujor me Shqipërinë.
Bëhet fjalë për kuadratin Joni 5, koordinatat e të cilit përputhen me një pjesë të kuadratit 20, që Athina kërkon të japë me koncension gjatë ankandit të paralajmëruar në muajt e ardhshëm. Mësohet se pala shqiptare, në notën e protestës, kërkon që të mos koncensionohet ky kuadrat, pa u zgjidhur më parë statusi i zonës përmes një marrëveshje të re për detin me Greqinë, e nevojshme pas vendimit të Gjykatës sone Kushtetuese. Kjo e fundit rrëzoi si dëmtuese të interesave tona kombëtare marrëveshjen e negociuar nga qeveria “Berisha” me “Karamanlis”.
E pavarësisht se për këtë shkak marrëveshja nuk u ratifikua nga institucionet në Athinë, autoritetet atje insistojnë se ajo është një marrëveshje e mirë dhe e bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Nota e protestës së palës shqiptare, konfirmojnë burimet në Tiranë, vjen pasi ka rreth 6 muaj që Ministria jonë e Jashtme i kërkon vazhdimisht Athines t’i vendosë në dispozicion koordinat e kërkimit në kufijtë e Sektorit Joni 5 ose ndryshe për bllokun e 4-rt të kërkimeve.
Por nga pala greke janë ofruar vetëm hartat e bllokut 3, duke treguar mungesën e transparencës për kërkimet në kufirin ujor mes dy vendeve, çka sipas konstatimeve te Ministrisë sonë të Jashtme konfirmohet që kërkimet për naftë dhe gaz nga Greqia, në rastin më të mirë, prekin zonën ndërkufitare dhe në rastin më të keq hyjnë në zonën tonë ujore.
Në të dyja rastet, e drejta ndërkombëtare i detyron shtetet të ulen bashkë për të tenderuar kërkimet në det, ndërsa situata bëhet edhe më e vështirë në kushtet e mungesës së një marrëveshje ujore mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ndërsa Athina po mundohet ta përçojë këtë reagim të Tiranës, si presion të saj nga ata që Shqipëria i quan aleate strategjike, si Italia dhe Turqia.
Burime diplomatike greke thanë për Top Channel, se pala shqiptare nuk dëshiron zgjidhje të këtij ngërçi mes Athinës dhe Tiranës, si pasojë e presioneve të mëdha që nga Ankaraja dhe Roma. Madje, burimet shtojnë se edhe mbërritja e Presidentit turk në Tiranë gjatë javës së ardhshme është pikërisht në vrazhdën e këtyre presioneve.
Por ajo që nuk thotë Athina është pyetja përse nuk ka pranuar të ulet në bisedime me Tiranën për rinegociimin e marrëveshjes ujore, çka sipas të gjitha gjasave do të detyrojë vendin tonë t’u drejtohet institucioneve ndërkombëtare.
/ Top Channel