Shqipëria nuk prodhon. 100 bizneset më të mëdha, vetëm shërbime, tregti dhe ndërtim

tiranaRenditja e 100 kompanive më të mëdha dëshmon se ekonomia shqiptare ka një problem të madh strukturor. Ajo nuk prodhon, por dominohet nga bizneset tregtare, ato të ndërtimit si dhe kompanitë e shërbimeve.

Top Channel publikon listën e 100 bizneseve që realizuan xhiron më të lartë në vitin 2017. Sipas të dhënave të siguruara nga bilancet zyrtare, në total 100 kompanitë më të mëdha të vendit patën një qarkullim prej 6.6 miliardë eurosh, duke dhënë plot 53% të Prodhimit Kombëtar të Shqipërisë. Por, cilat janë ato?

Për vitin 2017, në podin e ekonomisë shqiptare qëndron një kompani publike. Ajo është OSHEE. Monopoli shtetëror i Shpërndarjes së Energjisë arkëtoi 55.6 miliardë lekë vitin e kaluar, duke qenë për të disatin vit rresht kompania më e madhe në vend. Pas saj, renditet Banka Kombëtare Tregtare me 46.4 miliardë lekë dhe Kastrati me 43.5 miliardë lekë.

Dhjetëshja e parë e bizneseve më të mëdha të Shqipërisë dominohet nga kompanitë e naftës. Veç Kastratit, në të bëjnë pjesë Bankers Petroleum, Europetrol dhe Gen Claudis. Pjesa tjetër e listës përbëhet nga dy kompani telekomunikacioni që janë Info Telekom dhe Vodafone, një kompani ndërtimi që punon si nënkontraktore e gazsjellësit Tap si dhe turkja Kurum, e cila ndonëse ka shpallur falimentin prej kohësh, vazhdon të bëjë biznes në rendin e 200 milionë eurove në vit.

Struktura e bizneseve që dominojnë ekonominë shqiptare është e ngjashme edhe tek 100 kompanitë më të mëdha. Nga to, gjysma janë biznese që merren me tregti, 26 janë kompani shërbimesh, ndërsa 15 të tjera biznese ndërtimi.

Në 100 kompanitë më të mëdha të vendit ka vetëm 10 kompani prodhuese, edhe këto të përqëndruar kryesisht në shfrytëzimin e pasurive natyrore të vendit ose në fushën e materialeve të ndërtimit.

Shqipërisë i mungojnë kompanitë prodhuese dhe kompanitë industriale, të cilat krijojnë marka kombëtare dhe vlerë të shtuar për ekonominë. Në vend të tyre, struktura e ekonomisë shqiptare dominohet nga kompanitë që ushqehen me tenderat e qeverisë, bizneset tregtare dhe kompanitë e shërbimeve.

Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>