Qeveria miratoi në mbledhjen e fundit marrëveshjen, duke u angazhuar financiarisht për të qenë pjesë e mekanizmit ndërkombëtar për sigurimin e vaksinës së sigurt antiCOVID. Komiteti I Ekspertëve të Imunizimit: Ky angazhim, mundësi që edhe vendi ynë të ketë akses në vaksinën e sigurt si vendet e zhvilluara.
Tiranë, 22 Shtator – Qeveria Shqiptare ka marrë vendimin për t’u angazhuar financiarisht nëpërmjet mekanizmit COVAX, për të patur vaksinën e sigurt anti-covid. Në një takim të organizuar me ekspertë të komitetit të imunizimit në Institutin e Shëndetit Publik, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se Shqipëria do të ketë të drejtën të zgjedhën vaksinën më të sigurt, duke u angazhuar financiarisht në një mekanizëm ndërkombëtar, ashtu si mbi 80 shtete të tjera në të gjithë Botën, përfshirë edhe vendet e Bashkimit Europian.
“Bzuar në rekomandimet tuaja të vlefshme, Këshilli Ministrave ka miratuar në mbledhjen e tij të fundit, nënshkrimin e marrëveshjes së angazhimit me aleancën Gavi, për sigurimin e vaksinës së sigurt kundër COVID19, nëpërmjet mekanizmit COVAX, ku aderojnë 80 shtete, mes të cilave edhe vendet e Bashkimit Europian”, tha Manastirliu.
Gjatë takimit me ekspertët, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se çdo hap drejt përzgjedhjes së vaksinës së sigurt do të hidhet me shumë kujdes.
“Sigurisht do të jemi shumë të kujdesshëm, gjithmonë në konsultim me ekspertët për vaksinën e sigurt, kur ajo të miratohet, për të qenë të sigurt për vaksinën efektive. Por qeveria është angazhuar për të siguruar aksesin, kurdo kur kjo vaksinë të dalë”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale la të hapur edhe kanale të tjera komunikimi dhe bashkëpunimi me vendet e Bashkimit Europian, për sigurimin e vaksinës në kohë.
“Është i rëndësishëm bashkëpunimi i nisur tashmë me instrumentin e COVAX, aleancën Gavi, por paralelisht dua të them se ne vazhdojmë të kemi komunikime me shtete të ndryshme të Bashkimit Europian, të cilët kanë shprehuar angazhimin që të munden të jenë edhe ata ndihmës për të mundësuar blerjen e shpejtë të vaksinës apo aksesin në vaksinë. Sigurisht të gjithë këto kanale komunikimi ne i kemi të hapura dhe do të shqyrtojmë mundësinë më të mirë nga pikëpamja e sigurisë dhe efikasitetit të vaksinës, për të garantuar shëndetin e popullatës kundër COVID19”, tha Manastirliu.
Eksperti I Komitetit të Imunizimit, prof. Eduart Kakarriqi u shpreh:
“Janë dy, marrëveshja e blerjes se përcaktuar dhe marrëveshja e blerjes opsionale, të cilën ne e përzgjodhëm si më të vlefshme për vendin tonë. Aktualisht janë ende në zhvillim e sipër një sërë vaksinash (rreth 200), por vetëm 20 prej të cilave janë në fazat e avancuara, pjesa më e madhe e tyre janë pjesë e mekanizmit COVAX. Ne jemi plotësisht të gatshëm, në pritje, në mirëpritje të vaksinës kundër COVID19 në kuadër të COVAX”, tha prof. Kakarriqi.
Duke shprehur domosdoshmërinë e procesit të vaksinimit, nisur nga kohëzgjatja e virusit, prekja e çdo moshe dhe imuniteti i ulët, sidomos I personave që e kanë kaluar sëmundjen me simptoma të lehta, anëtarja e Komitetit të Imuzinimit, prof. Gjerogjina Kuli tha se pjesëmarrja në COVAX, është një garanci për aksesin e Shqipërisë në vaksinën e sigurt, sikurse vendet e zhvilluara.
“E vlerësoj si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e Shqipërisë në COVAX pasi kjo na e garanton aksesin, na garanton barazinë qoftë edhe me një vend tjetër që është edhe më i zhvilluar ekonomikisht dhe që ka më shumë mundëis për të marrë një akses direct në sigurimin e vaksinës antiCOVID, por nga ana tjetër na jep edhe garancinë për sigurinë e vaksinës”, tha prof. Kuli.
Edhe shefja e shërbimit infektiv, pjesë e Komitetit të Imunizimit, prof. Najada Çomo vlerësoi këtë zhvillim.
“Ne kemi kohë që jemi mbledhur lidhur me atë cfarë diskutohet orë pas ore për prodhimin e vaksinës dhe kemi bërë hapin e parë në sajë të qeverisë shqiptare, për të marrë masat që të jemi gati nëse vaksina del zyrtarisht e prodhuar, ne të kemi mundësinë për ta marrë dhe për ta aplikuar këtë vaksinë”, tha prof. Çomo.
“COVAX Facility” është një mekanizëm ndërkombëtar (i përbërë nga Gavi, CEPI dhe OBSH) që koordinon resurset dhe kërkesën për vaksinë ndaj COVID-19 me kapacitetet prodhuese të kësaj vaksine. Fillimisht, do të furnizohen të gjitha vendet me mjaftueshëm doza për të mbuluar 20% të popullësisë. Më pas do të vijojë furnizimi i vendeve me pjesen e mbetur të dozave të kërkuara (nëse janë më shumë se sa 20%). Shqipëria është zyrtarisht pjesë e këtij mekanizmi, ku marrin pjesë 80 vende të Botës, ndërsa janë lënë të hapura disa kanale komunikimi me vendet e Bashkimit Europian.