Një raport i hartuar nga Bashkimi Evropian, ka paralajmëruar autoritetet shqiptare se, Shqipëria rrezikon të humbasë një fond prej 66 milionë eurosh të BE-së, për shkak të mungesës së kualifikimit të administratës shqiptare.
Ky raport ishte pjesë e diskutimit të sotshëm në Komisionin e Integrimit, gjatë së cilit, përfaqësuesit e shumicës pranuan se administrata ka nevojë për përmirësim.
“Tani jemi në një situatë më të mirë sesa ku ishim për çështjen e administrimit. Jemi aty ku duhet? Sigurisht që jo”, u shpreh deputeti Taulant Balla.
Këtë shqetësim e referoi ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila theksoi se ky raport ka vënë në siklet administratën dhe qeverinë.
Komisioni pranoi edhe kërkesën e kreut të grupit parlamentar, Edi Paloka që në mbledhje të thirret për raportim ministrja e Integrimit Klajda Gjosha dhe ai i Energjisë, Damian Gjiknuri, lidhur me deklaratën e kreut të komitetit të energjisë në Vjenë, se Çekia kushtëzoi votën pro për statusin e kandidatit për Shqipërinë, me zgjidhjen e marrëveshjes me “CEZ”.