Dikur, të kaloje Leqet e Hotit ishte një rrezik i vazhdueshëm. Rruga e pashtruar, mungesa e mbrojtëseve anësore dhe humnera e frikshme ishin udhëtare të pandara të çdo kalimtari, banori apo edhe turisti, që kërkonte të prekte Kelmendin. Sot duket sikur flasim për dy zona krejtësisht të ndryshme.
Natyra e virgjër, historitë e shumta të kësaj zone ndikuan shënimet e udhëtares së famshme Edith Durham në fillimvitet 1900. Kur kalonte këtu, ajo e konsideronte kohën të ngrirë, shprehej e mahnitur nga gjithçka: nga betejat e malësorëve të këtushëm ballë armiqve, nga sjellja e tyre burrërore dhe traditat e forta e të pasura që kishin këto vise.
Franc Nopça përshkruan gjithashtu mikpritjen që i bënë banorët në luginën e Cemit, pranë urës së Tamarës. E po ashtu edhe gazetari i njohur italian, Idro Montanelli, që e quajti veten me fat, që pati mundësi të vizitonte këtë krahinë, e cila – sipas tij, – përmes kullave të malësorëve simbolizonte më shumë se gjithçka Shqipërinë.
“Nëse investohet në formën dhe mënyrën e duhur, edhe zona që deri dje dukeshin të humbura mund të ndryshojnë faqe, duke u kthyer në destinacione të mirëfillta turistike. Ky është rasti i Tamarës, një perlë e Alpeve shqiptare, që sot pret veç të reklamohet siç duhet.
Tamara, kryeqendra e krahinës së Kelmendit, ngrihet mes majave të Sokolit, Jerinës dhe Dubinës. Dikur, për 60 kilometrat që e ndajnë nga Shkodra duheshin mëse 2 orë e 30 minuta, ndërsa sot, jo më shumë se 1 orë. Por përtej pozicionit gjeografik, ajo që bën më shumë përshtypje pas rrugës së shtruar, që të çon deri në fshat, është qendra e tij. Dikur në këtë vend, edhe pse duket e pabesueshme, kalonte rruga e makinës. Një aks i baltosur si mos më keq, kah të cilit ishin godina të ndryshme të ndërtuara sipas dëshirës.
Sot kjo pjesë, falë investimeve publike është kthyer në rrugë këmbësorësh, ndërsa aksi rrugor që shkon drejt Vermoshit është devijuar.
“Na duket një ëndërr e bukur, sepse ishte një vend shumë i largët prej Shkodrës dhe prej rrethinave të tjera, e nuk mendonim kurrë se do të na vinte kjo ditë”, tha Tom Tanazi.
“Ndryshimi është i madh, total, siç e shihni edhe vet. 100 për qind krahasuar me vitet e tjera, siç e keni parë edhe ju, që i keni rrahur vet me këmbë këto anë. Kjo është një gjë e mirë që është bërë për turizmin. Turistët e shkelin çdo ditë, megjithatë presim sërish që rruga të vazhdojë nga këtu drejt Vermoshit”, thotë një tjetër qytetar.
Fshati ka 400 banorë, të cilët më së shumti mbahen me emigracion. Ka një shkollë të mesme të përgjithshme me rreth 160 nxënës, ku funksionojnë edhe konvikte për të rinjtë e ardhur nga e gjithë zona. Që prej vitit 1967, në Tamarë funksionon një hidrocentral, i cili falë prurjeve të mëdha ka mundësuar gjithmonë furnizim të rregullt me energji, edhe pse sot problemi më i madh është rrjeti, që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Veç dy shtëpive pritëse në fshat, biznese të tjera janë shtuar. Sot turistët kanë ç’të gjejnë në Tamarë.
“Këto punë shkojnë dorë pas dore duke u rregulluar, sepse kur bëhet rruga, kur bëhen fasadat, edhe njerëzit arrijnë të merren vet me lokalet e të tjera. Të gjithë e kuptojnë kulturën e shërbimit”, thotë Kol Marku.
“Vitin e kaluar kanë ardhur shumë turistë pasi nisi të rregullohej rruga. Megjithatë, mbetet edhe një problem i vogël, nëse shteti do të mund të na ndihmonte pak të rregullonim edhe shtëpitë, që t’i bëjmë sa më të përshtatshme për turizmin. Ky vend do të bëhet shumë mirë, do të ketë të ardhura”, thotë Mark Nikolla.
Traditat ruhen ende të forta, ashtu si mikpritja, që dukshëm nuk ka ndryshuar që në kohët më të hershme. Atë që e gjetën dikur udhëtarët e huaj, mund ta gjesh edhe sot mes banorëve të këtushëm, siç ndodh në njërën nga kullat më të vjetra të fshatit, atë të Prelës mbi 80-vjeçare.
“Po, këtu ka malësorë që i trashëgojnë traditat, qoftë pak apo shumë. Këta të rinjtë më pak, por ne të vjetrit jemi munduar t’i trashëgojmë dhe do t’i trashëgojmë. Unë për vete jam mirë, kurrë më parë s’kam qenë më mirë”, thotë Prel Kolë Pepaj.
“Në kohën kur në Kelmend ishin jo të pasur, gjithmonë miku është pritur me bukë, kripë e zemër. Domethënë atë çfarë ka pasur shtëpia, ata e kanë ofruar për mikun që ka ardhur, sepse Kelmendi dihet që është një ndër zonat më mikpritëse dhe më dashamirëse”, thotë Drita Tanazi.
Rritja e turizmit për banorët e zonës do të thotë edheë një forcim i ekonomive familjare. Duke filluar nga qarkullimi i brendshëm i produkteve blegtorale apo bujqësore, e më së shumti i bimëve medicinale, që këtu gjenden kudo.
“Kjo zonë ka mundësi që të bëhet shumë e mirë dhe shumë e pasur, sepse ka mjaftueshëm pasuri. Mjafton të punosh. Këtu ka miniera që mund të shfrytëzohen, ka pyje, ka bjeshkë që përdoren për turizëm, ka vende të vizitueshme gjithkund”, thotë Pashko Mujaj, kryeplak.
“Këtu mundesh të merresh me blegtori, apo të mbjellësh diçka kush ka ndonjë tokë, sikurse edhe të mbash ndonjë lopë apo derr. Ne e ndiejmë veten sikur s’kemi qenë kurrë këtu, ashtu na duket kur vijmë tani. Vend i humbur ka qenë”, thotë Nikollë Maci.
Kelmendi është një krahinë e gjitha për t’u zbuluar. Përfundimi i rrugës do t’u japë mundësi të jashtëzakonshme edhe Selcës, Lepushës, Vermoshit e kështu me radhë. Të gjithë kësaj pjese, që dikur ishte një botë larg, e që sot pret të tregojë bukuritë e saj. Sigurisht duhet ende shumë për t’i dhënë kësaj zone atë që meriton vërtet, e megjithatë hapi i parë tashmë është hedhur.
“Tamara është sot një shembull i rrallë por pozitiv, që duhet të shtrihet edhe në pjesë të tjera. Kjo është forma dhe mënyra më e mirë për të zhvilluar zona të tilla. Për t’u dhënë mundësi banorëve të tyre të punësohen e të jetojnë mirë edhe këtu, e të mos largohen as drejt Tiranës, apo në vende të tjera”. (tch)