Analiza e deklaratave të ILDKPKI tregon se shtatë nga nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk e justifikojnë pasurinë e tyre të paktën në një vit të deklarimit, ndërkohë që vlerat e larta të parave cash ngrenë pikëpyetje mbi burimin e tyre.
Të vendosur nën projektorët e opinionit publik dhe të komunitetit ndërkombëtar, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ngritën kartonin jeshil dhe i hapën rrugën zbatimit të ligjit të vetingut në dhjetor të vitit 2016. Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese rrezikojnë të mos e kalojnë testin e vetingut në lidhje me pasurinë e tyre të deklaruar.
Analiza e detajuar e deklaratave të pasurisë së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese përgjatë viteve 2003-2015 tregon se shtatë nga nëntë anëtarët e kësaj gjykate nuk e justifikojnë pasurinë e tyre në një ose më shumë vite të deklarimit.
Pasuria e pajustifikuar, sipas kontrollit aritmetik logjik të deklaratave të dorëzuara në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë kap vlerën e më shumë se 35 milionë lekëve, ose 11 për qind të aseteve totale neto.
Të dhënat e BIRN vijnë si rezultat i analizës së thelluar të 106 deklaratave të pasurisë, të dorëzuara nga nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë nga viti 2003 deri në fund të vitit 2015.
14 prej deklaratave të analizuara rezultojnë me probleme, ku pasuria e shtuar nuk mbulohet nga të ardhurat e deklaruara. Sipas kësaj analize, vetëm dy prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e kalojnë testin e justifikimit të pasurisë me burime të deklaruara.
Pasuria e gjyqtarëve të Kushtetueses është dyfishuar përgjatë 12 viteve. Në vitin 2003, ata kanë deklaruar në total 160 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2015, pasuria e tyre kap vlerën e më shumë se 364 milionë lekëve.
Fatos Lulo rezulton gjyqtari më i pasur i Kushtetueses, i ndjekur nga gjyqtari Vladimir Kristo të cilit i ka përfunduar mandati. Ndërkohë, të dhënat tregojnë se kryetari i gjykatës, Bashkim Dedja ka shënuar rritjen më të madhe në vlerë nga viti i pari i deklarimit deri në fund të vitit 2015, i pasuar në vend të dytë nga Fatmir Hoxha.
Njësoj si gjyqtarët e tjerë të Shqipërisë, edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë preferuar tregun e pasurive të paluajtshme për të investuar të ardhurat e tyre. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se 55% e pasurisë së tyre përbëhet nga pasuritë e paluajtshme, me një vlerë totale të deklaruar prej 1.6 milionë dollarësh.
Llogaritë bankare zënë 26 për qind të pasurisë, paratë cash 15 për qind, automjetet 3 për qind dhe sendet me vlerë të veçantë vetëm 1 përqind.
Në praktikat më të mira ndërkombëtare, vlerat e larta të parave cash ngrenë pikëpyetje mbi trendin e transaksioneve apo burimin e pasurisë së funksionarëve shtetërorë. Por ndonëse ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurive ka vendosur si limit të parave që mund të mbahen në shtëpi shumën e 1.5 milionë lekëve, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e tejkalojnë shumëfish këtë vlerë.
Sipas analizës së BIRN, nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë deklaruar në ILDKP se zotërojnë në total më shumë se 54 milionë lekë cash ose 450 mijë dollarë. Të dhënat tregojnë se gjyqtari me pasurinë më të madhe, Fatos Lulo deklaron edhe vlerën më të larta të parave cash me rreth 18 milionë lekë.
E dyta në listë me rreth 14.5 milionë lekë cash të deklaruara është gjyqtarja Altina Xhoxhaj, ndërsa pas saj vjen gjyqtari Gani Dizdari me më shumë se 9 milionë lekë cash.
Paga nga funksioni përbën vetëm gjysmën e të ardhurave në portofolin familjar të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në deklaratat e tyre të pasurisë evidentohen si të ardhura edhe pagat e familjarëve, fitimi nga shitblerjet apo qiratë e pasurive, mësimdhënia apo dhuratat në cash. Ndërkohë, detyrimet më të mëdha të tyre janë kreditë bankare, detyrimet ndaj shoqërive të ndërtimit apo huamarrjet pa afat dhe interes ndaj të afërmve apo rrethit familjar.
Nga totali i deklaratave të analizuara, BIRN arriti në përfundimin se pasuria e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese reflekton një sërë trendesh të dyshimta, të cilat lidhen me mbajtjen e shumave të larta të parave cash, huamarrjes në vlera të konsiderueshme nga familjarët apo detyrime të larta të pashlyera ndaj kompanive të ndërtimit.
Por pavarësisht se këto të dhëna duhet të ngrejnë këmbana alarmi për inspektorët e kontrollit, asnjëri prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është bërë pjesë e hetimeve për pasurinë e tyre. (voa)